Lajmi se Prokurori i Përgjithshëm i ShBA, Merrick Garland, është arrestuar është i rremë. Garland iu nënshtrua një operacioni gjatë fundjavës dhe vazhdon të shërbejë si Prokuror i Përgjithshëm.

—————————————-

Në rrjet po shpërndahet lajmi se Prokurori i Përgjithshëm i ShBA, Merrick Garland, është arrestuar për pjesëmarrjen e tij në të ashtuquajturin “deep state” (shtetin e thellë) si pjesë e një operacioni të “kapeleve të bardha”.

Nëse këto terma nuk kanë kuptim, kjo sepse ato janë krijuar dhe përdoren gati ekskluzivisht në kontekstin e teorisë konspirative QAnon, e cila e ka origjinën në ShBA në 2017. 

këtë kontekst, “kapelet e bardha” janë “të mirët”, ose mbështetës të Donald Trump që punojnë brenda administratës shtetërore dhe janë të angazhuar në një luftë të fshehtë kundër “shtetit të thellë”, një komplot pedofilësh satanistë që kontrollojnë botën dhe operojnë një rrjet trafikimi fëmijësh, të cilët i vrasin në sakrifica satanike për të përftuar nga gjaku i tyre një substancë që u zgjat jetën, të quajtur adrenokrom.

Shfaqja e termave konspiracionistë na bëri të dyshojmë vërtetësinë e këtij lajmi. Postimi që qarkullon në rrjet nuk shoqërohet me ndonjë burim apo referencë.

Arrestimi i pretenduar i Prokurorit të Përgjithshëm të ShBA përbën një lajm madhor, të cilin duhet ta kishin raportuar mediat e mëdha vendase dhe ndërkombëtare. Por një kërkim në rrjet nuk përfton asnjë lajm të tillë.

Në fakt, më 30 janar, shumica e mediave raportuan se prokurori Garland do t’i transferonte përkohësisht detyrën zëvendës Prokurores së Përgjithshme Lisa Monaco. Kjo, jo se Garland ishte arrestuar, por sepse ai do t’i nënshtrohej një operacioni në kurriz gjatë fundjavës.

3 shkurt, Garland u rikthye në detyrë. Drejtori i Marrëdhënieve me Publikun pranë Departamentit amerikan të Drejtesisë Xochtil Hinojosa tha për CNN se “operacioni i Prokurorit të Përgjithshëm shkoi mirë dhe ai po shërohet në shtëpi. Ai ka rifilluar punët e tij.”

Lajme për arrestime të fshehta të zyrtarëve të lartë amerikanë nga “prokuroria ushtarake”, një strukturë që nuk e ka një kompetencë të tillë,  janë verifikur edhe më parë si të pabaza dhe pjesë e grupeve që qëndrojnë pas teorisë QAnon.