.

.

BallinaBurokraciKërkesat që presin përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë

Kërkesat që presin përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë

Në fillim të këtij viti, Faktoje iu drejtua Ministrisë së Shëndetësisë me 4 kërkesa për informacion për disa çështje me interes publik. Ne kërkuam informacion zyrtar për kushtet në spitalin e Lushnjes, qendrën shëndetsore në Çermë, situatën nga pandemia në shkolla dhe të dhëna mbi të lënduarit e shtruar në spital ditën e protestës së 8 janarit. Pavarësisht tejkalimit të afatit dhe ankimimit te Komisioneri për të Drejtën e Informimit, Ministria e Shëndetësisë refuzon të japë informacionin e kërkuar, pavarësisht detyrimit ligjor.

———————————————————————

Ndonëse zyrtarët publikë propagandojnë rregullisht transparencën për mediat dhe qytetarët, Faktoje ndeshet çdo ditë me centralizimin dhe mungesën e informacionit nga institucionet.

“Ne vazhdojmë të besojmë fort në ofrimin me transparencë të të dhënave”- deklaroi ministrja Manastriliu dy vite më parë.

Së fundmi, Faktoje i është drejtuar me disa kërkesa për informacion institucionit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në lidhje me çështje që prekin direkt interesin e qytetarëve, por edhe pas ankimimeve të bëra në adresë të Komisionerit për të Drejtën e Informimit, deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk kemi marrë përgjigje nga institucioni në fjalë.

Një prej kërkesave lidhet me raportimet se në protestën e 8 janarit para selisë së Partisë Demokratike, kishte persona të lënduar dhe që shfaqnin probleme nga përdorimi i gazit lotsjellës dhe lëndëve të tjera. Në kërkesën e dërguar më 11 janar 2022 ne kërkuam informacion për numrin e personave të paraqitur në spital me pasoja nga dhuna dhe përdorimi i gazit në këtë protestë. Pas tejkalimit të afatit ligjor, Faktoje iu drejtua Komisionerit Për të Drejtën e Informimit më 1 shkurt.

Kërkesa për informacion, 11 janar 2022

Më 14 shkurt mbërriti një shkresë në rrugë elektronike, ku viheshim në dijeni se kjo kërkesë i delegohej Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Në email nuk kishte asnjë të dhënë në lidhje me pyetjet e adresuara.

Përgjigja e MSH, 14 shkurt 2022

Një tjetër kërkesë për informacion iu drejtua Ministrisë së Shëndetësisë nga Faktoje më 18 janar të këtij viti, pas një verifikimi në terren, ku evidentuam kushte skandaloze në spitalin e Lushnjës.

Kërkesa për informacion dërguar Ministrisë së Shëndetësisë, 18 janar 2022

Pyetjet drejtuar MSH lidheshin direkt me problemet e qytetarëve dhe faktin se këta të fundit po merrnin shërbim në kushte aspak të përshtatshme. Mirëpo, as për këtë kërkesë nuk kemi marrë një përgjigje, edhe pas ankimimit të bërë më 8 shkurt në adresë të Komisionerit Për Të Drejtën e Informimit.

Kërkesa tjetër për informacion që iu dërgua këtij institucioni nga Faktoje ishte për qendrën shëndetësore në fshatin Çermë Proshk dhe faktin që edhe pse në situatë pandemie, kjo qendër nuk ofronte as shërbimet bazë për banorët e zonës. Kjo kërkesë iu dërgua MSH më 20 janar dhe u ankimua në adresë të Komisionerit më 8 shkurt.

Kërkesa për informacion dërguar Ministrisë së Shëndetësisë, 20 janar 2022

Ky institucion solli një përgjigje me postë në zyrat e Faktoje më 15 shkurt, ku ia delegonte përgjegjësinë për këtë Operatorit të Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor.

Dokumenti ku MSH delegon përgjegjësinë për kërkesën në fjalë

Duke qenë se situata e pandemisë Covid-19 ka një interes të gjerë publik, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Ministrisë së Shëndetësisë në lidhje me numrin e nxënësve të prekur nga koronavirusi në shkolla gjatë muajit janar 2022.

Kërkesa për informacion dërguar Ministrisë së Shëndetësisë, 26 janar 2022

Në tejkalim të afateve ligjore, ne iu drejtuam Komisionerit Për Të Drejtën e Informimit më 11 shkurt. Edhe pas ankimimit, Ministria e Shëndetësisë nuk ka kthyer një përgjigje për çështjen në fjalë.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img