BallinaFaktometerE PavërtetëA u ndërtua Ura e re e Tapizës brenda afatit të premtuar nga Ministrja Balluku dhe Kryeministri Rama?

A u ndërtua Ura e re e Tapizës brenda afatit të premtuar nga Ministrja Balluku dhe Kryeministri Rama?

Alked Luku

Investimi 1.5 milionë dollarë për rindërtimin  Urës së Tapizës nuk ka përfunduar në asnjë nga afatet e premtuara fillimisht nga Ministrja Balluku dhe më pas nga Kryeministri Rama. E para garantoi përfundimin e urës që lidh Tiranën me Fushë Krujën dhe veriun, në shtator 2021, ndërsa Kryeministri premtoi se kjo vepër do ishte gati brenda vitit 2021. Nga verifikimi në terren rezultoi se punimet për urën ende nuk kanë përfunduar, ndërkohë që ARRSH i konfirmoi Faktojes se projekti është shtyrë deri në fillim të marsit të këtij viti.

………

Ura e Tapizës, e ndërtuar në vitet 70’ dhe një nyje lidhëse e Tiranës me veriun e vendit, iu nënshtrua procesit të rindërtimit, pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, me vendim të Këshillit të Ministrave në 2020-n. Në fillim të marsit 2021 Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës Belinda Balluku gjatë inspektimit të punimeve që nisën me shembjen e urës së vjetër premtoi se kjo vepër do të përfundonte në 30 shtator të vitit 2021.

“Kemi nisur nga puna, sot kemi nisur prishjen e urës. Bay Passi do të jetë provizor,  sepse synimi ynë është ta dorëzojmë urën deri në 30 shtator të 2021. Pra janë 10 muaj punë dhe një fond prej 1.5 milion dollarësh i vënë në dispozicion nga programi i rindërtimit”- tha Balluku në fjalën e saj.

Në fillim të muajit shkurt të këtij viti, Faktoje bëri një verifikim në terren ku konstatoi se në urën e Tapizës punimet ende nuk kanë përfunduar.  Gjithashtu në tabelën e vendosur në kantier, janë të dukshme detajet informuese mbi vlerën e projektit, projektuesin, zbatuesin, afatin e punimeve prej 10 muajsh, ndërsa tek data e fillimit të punimeve 20 shtator, mungon viti, i cili duket të jetë fshirë jo rastësisht.

Foto nga punimet në kantierin e ndërtimit për Urën e Tapizës

Foto nga punimet në kantierin e ndërtimit për Urën e Tapizës

Pas këtij verifikimi, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Autoritetit Rrugor Shqiptar, si njësi zbatuese, për të mësuar arsyet e vonesës në përfundimin e kësaj ure, si dhe kur do të përfundojë projekti.

ARRSH në përgjigjen e saj zyrtare na informoi për devijim të projektit fillestar:

“Projekti fillestar i ndërtimit të Urës së Tapizës parashikonte bllokimin e trafikut në aksin Fushë Krujë – Tiranë dhe devijimin e tij drejt rrugës së Rinasit dhe asaj të Vorës. Kjo përkoi me ndërtimin e Nyjes së Doganës dhe devijimi i trafikut nga aksi F.Krujë – Tiranë, i cili do të shtonte shumë fluksin e mjeteve që  vinin nga aksi Durrës – Tiranë dhe kjo do të vështirësonte shumë kryerjen e punimeve në këtë nyje. Gjithashtu komuniteti i zonës rreth Urës së Tapizës si Kamza dhe Nikla etj, do të kishin shumë vështirësi në qarkullimin e ndërsjelltë. Për këtë qëllim me Vendim të Këshillit Teknik të A.RR.SH-së u vendos që të ndërtohet një By Pass Provizor për kalimin e mjeteve dhe këmbësorëve që do të lehtësonte ndjeshëm si punën për prishjen Urës së Vjetër ashtu dhe ndërtimin e Urës së Re. Kjo është arsye e vonesës së përfundimit të ndërtimit të urës.”

Screenshot i përgjigjes së ARRSH, shkurt 2022

Autoriteti Rrugor Shqiptar gjithashtu pohon se punimet për ndërtimin e Urës së Tapizës janë shtyrë deri në datën 2 mars 2022, pra jo më larg se dy javë. ARRSH nuk dha përgjigje nëse ka kosto shtesë vonesa e përfundimit të këtij projekti, si dhe kush e paguan këtë kosto.

“Për shkak të procedurës së miratimit të by passit dhe shtimit të volumit të punimeve, u shty edhe afati i përfundimit të Urës së Re deri më 02.03.2022, i cili është plotësisht i respektueshëm.”- shprehet ARRSH.

Screenshot i përgjigjes së ARRSH, shkurt 2022

Nga verifikimi i kryer dhe informacioni i siguruar në rrugë zyrtare vendosëm që deklaratën e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjitikës Belinda Balluku, se deri në shtator të vitit 2021 do të përfundonte rindërtimi i Urës së Tapizës, ta kategorizojmë të Pavërtetë.

Kujtojmë se 4 muaj pas deklaratës që kishte artikuluar Ministrja, Kryeministri Rama në korrik 2021, përmes një videoje të postuar në rrjetet sociale, njoftonte se deri në atë moment ishin kryer rreth 50 përqind e punimeve dhe se i gjithë projekti për Urën e Tapizës përfundonte brenda vitit 2021.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img