BallinaFaktometerE vërtetëDeputeti i PD Saimir Korreshi: Ke frikë të hysh në spitalin e Lushnjës

Deputeti i PD Saimir Korreshi: Ke frikë të hysh në spitalin e Lushnjës

Mungesa e ngrohjes apo ujit, mjediset me lagështirë dhe kushtet e vështira, janë ato me çfarë përballesh në spitalin e Lushnjes. Faktoje bëri një verifikim në terren, nisur nga deklarata deputetit të PD, Saimir Korreshi në Kuvend. Gjatë vëzhgimit, pacientë në spitalin e Lushnjës pohuan se janë të kënaqur me shërbimin e mjekëve, por u ankuan për kushtet e spitalit, ku mungojnë uji dhe ngrohja. Në këto ditë, kur temperaturat shkojnë nën 0 gradë celcius, të afërm të pacientëve në Lushnje dëshmojnë se marrin ngrohëse nga shtëpia dhe blejnë batanije para se të shtrohen në spital.

———————————————————————————————-

“Këtu u tha që ne kemi bërë shëndetësinë jashtëtokësorë. Po hajde njëherë në spitalin e Lushnjës, ke frikë të hysh e jo më të mjekohesh” – deklaroi më 17 shtator 2021, deputeti demokrat Saimir Korreshi gjatë fjalimit në Kuvend.

Nisur nga kjo deklaratë Faktoje vendosi të bëjë një verifikim në terren dhe në datë 13 janar udhëtoi drejt spitalit të Lushnjës, për të parë nga afër situatën.

Sapo u futëm brenda ambienteve të këtij spitali, na ra në sy lagështira në mure dhe mosfunksionimi i sistemit të ngrohjes. Ne arritëm të futeshim në disa pavione të këtij spitali, për të parë kushtet në të cilat ofrohet kujdesi shëndetësor për pacientët.

Spitali i Lushnjës, 13 janar 2022

Pediatria

Te pavioni i pediatrisë, situata ishte shqetësuese. Përveç lagështirës në mure, kabllove të hapur të energjisë elektrike në dhomën e pacientëve të mitur, aty mungonte ngrohja dhe uji.

Pavioni i Pediatrisë në spitalin e Lushnjës, 13 janar 2022

Një nënë me dy fëmijë, e cila prej disa ditësh kishte shtruar të vegjlit tha se prej 5 ditësh nuk kishte ujë në banjon e spitalit. Ajo shprehu shqetësimin për mungesën e ngrohjes, pasi në ato kushte, fëmijët e saj mund të sëmureshin edhe më keq.

Pavioni i Pediatrisë në spitalin e Lushnjës, kaldajat nuk funksionojnë, 13 janar 2022

“Këtu nuk ka kushte, çdo gjë është copë-copë, që nga çarçafët dhe batanijet që janë të vjetra. Ngrohje nuk ka dhe është problem shumë natën, se ditën bie dhe dielli, dritaren dhe derën i kam mbajtur mbyllur dhe është pak më ndryshe. Ilaçe ka dhe shërbimi është i mirë nga stafi i spitalit, por mungon uji, kemi blerë ujë vetë për të larë duart të paktën dhe për ta përdorur për banjë. Fëmijët nuk kam ku t’i laj.”- tregoi e shqetësuar nëna e dy fëmijëve.

Pavioni i Pediatrisë në spitalin e Lushnjës, 13 janar 2022

Pavioni i Pediatrisë në spitalin e Lushnjës, mungon uji i rrjedhshëm, 13 janar 2022

Materniteti

Edhe në pavionin e Obstetri-Gjinekologjisë, mungonte ngrohja. Kaldajat e vjetra nuk funksionin, të paktë ditën që kryem verifikimin.

Një grua shtatzënë, e cila priste të vizitohej tha për Faktoje:

“Kemi tri orë që presim këtu për të bërë një vizitë. Kemi shumë ftohtë, lëri çfarë thonë këta që kemi bërë investime në shëndetësi”.

Kirurgjia

Në Shërbimin e Kirurgjisë gjithashtu mungonte ngrohja. Pacientët rrëfyen për Faktoje se kjo situatë i ka detyruar të marrin ngrohëse nga shtëpia, pasi në këto temperatura është domosdoshmëri sistemi i ngrohjes.

“Sapo erdhëm në spital, shtrova babain. E dinim që është ftohtë këtu dhe morëm ngrohëse me vete”- tha 35 vjeçarja.

Shërbimi i Kirurgjisë në spitalin e Lushnjës, 13 janar 2022

Infektivi

Një zonjë rreth të 40-ave, e cila kishte shtruar të atin te shërbimi Infektiv i spitalit të Lushnjës tha:

“Unë e kam shtruar dje babin, mjekët janë të mirë, shërbimi është i mirë. Ngrohje nuk ka, i kam blerë babit dy batanije që ia çova.”

Urgjenca

Pacientët thanë për Faktoje se shërbimi i Urgjencës në spitalin e Lushnjës ishte rikonstruktuar kohët e fundit, por vetëm pjesërisht. Edhe nga verifikimi brenda mjediseve të urgjencës, konstatuam se rikonstruksionin gjysmak të mjediseve. Një pjesë e saj ishte transformuar tërësisht, ndërsa pjesa tjetër ende jo.

Urgjenca e Spitalit të Lushnjës, ku është kryer rikonstruksioni, 13 janar 2022

“Ka pak kohë që e kanë rregulluar, taman nuk e di kur ka përfunduar. Çudi e madhe, vetëm gjysma është rregulluar, pjesa tjetër akoma. Shpresojmë ta bëjnë taman, jo copa-copa”- tha një paciente.

Urgjenca e Spitalit të Lushnjës, 13 janar 2022

“Kushtet e spitalit janë përmirësuar me hapjen e urgjencës së re. Ka një sipërfaqe më të madhe për shërbim ndaj pacientëve. Kushtet janë shumë më të mira, mund ta shihni është vetë që gjërat kanë ndryshuar. Ne u japim shërbim të gjithëve pacientëve pa dallim, jemi në gatishmëri të plotë për çdo rast”, tha një prej mjekëve të urgjencës.

Urgjenca e Spitalit të Lushnjës, 13 janar 2022

Në lidhje me këto problematika dhe për zgjidhjen e tyre, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Ministrisë së Shëndetësisë dhe Bashkisë së Lushnjës dhe jemi në pritje të një përgjigjeje nga këto institucione.

Kërkesa për informacion dërguar MSH dhe Bashkisë së Lushnjës

Gjatë një kërkimi që Faktoje bëri në faqen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe atë të Bashkisë së Lushnjës, në dy vitet e fundit nuk rezulton të ketë buxhet për investime në këtë spital.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img