BallinaFaktometerPa kategoriBanorët e fshatrave, të rinjtë dhe komunitetet vulnerabël, kategoritë më pak të vaksinuara në Korçë

Banorët e fshatrave, të rinjtë dhe komunitetet vulnerabël, kategoritë më pak të vaksinuara në Korçë

DANIELA ZISI

Zyrtarë të shëndetësisë paralajmërojnë se pandemisë po i vjen fundi, por nga ana tjetyër nuk rreshtin së apeluari për vaksinimin kundër Covid, pasi ky virus dhe variantet e reja do vijojnë të qarkullojë. Nga një verifikim për Faktoje mbi vaksinimin në Korçë, rezulton se fushatat për rritjen e vaksinimit nuk po japin rezultat. Në këtë qark raportohet se që nga nisja e procesit është vaksinuar me dy doza rreth 43 %, ose më pak se gjysma e popullsië. Problem mbeten banorët e fshatrave, të rinjtë dhe komuniteti rom-egjiptian të cilët kanë refuzuar masivisht të vaksinohen.



“Siç po shihet nga të dhënat që ne kemi nga spitali Infektiv, mbi 94% e rasteve të shtrimeve me komplikacione janë ata të cilët nuk janë vaksinuar.”- tha ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu rreth dy muaj më parë, duke u bërë thirrje të pavaksinuarve që sa më shpejt të vaksionheshin kundër Covid 19.

Pavarësisht apelit të vazhdueshëm për injektimin e vaksinës anticovid, në qarkun e Korçës rezulton të jetë vaksinuar (me dy doza), që prej nisjes së procesit të vaksinimit, më pak se gjysma e popullsisë.

Referuar të dhënave të Drejtorisë së Shëndetit Publik, deri tani janë vaksinuar me dy doza 43% e popullatës mbi 16 vjeç dhe me një dozë 47% e saj. Rritja e kurbës së infektimeve gjatë janarit, që shënoi edhe kulmin e pandemisë me 711 të infektuar në këtë qark, nuk u pasua nga shtim i interesit të popullatës për t’u imunizuar.
Edhe pse të moshuarit rezultojnë kategoria me nivelin më të lartë të vaksinimit ndaj Covid 19 në Korçë, 74 vjeçari Agim D. banor i lagjes 14, ka vendosur të mos vaksinohet për shkak të informacioneve që ka dëgjuar në lidhje me efektet anësore të vaksinave.

“Bashkë me gruan e kemi ndarë mendjen të mos vaksionhemi! Kemi dëgjuar që po u vaksinove, vdes nga zemra. Një kushëririt tonë i ra infarkt tri ditë pasi mori dozën e parë të vaksinës dhe të gjithë thanë që nga vaksina i ndodhi. Edhe po më zuri Covidi do bëj si do bëj, vetëm kam hallin e fëmijëve, që u vaksinuan dhe nuk më pyetën. Jam në merak se mos iu ndodh ndonjë e keqe dhe lenë 4 nipërit dhe mbesat rrugëve”-thotë i moshuari.

43 vjeçari E. Zeneli, ka shumë dyshime për efektet e vakisës anticovid, nga informacionet që qarkullojnë, por është i detyruar të vaksinohet meqë do të punojë në Greqi për një sezon.

“Kurrë nuk do vaksinohesha, nëse do kisha një punë këtu. Por ç’të bëj, jam vetë i gjashtë në familje dhe më duhet të shkoj në Greqi nja 3 muaj për të punuar. Prindërit i kam të moshuar, por i kam penguar të vaksinohen. Kam frikë mos u jep efekte vaksina dhe më mbeten në krevat të dy”-thotë 43 vjeçari, anëtar i komunitetit egjiptian të Korçës.

Mjekja epidemiologe Merita Kroi sqaron se lëvizjet e qytetarëve brenda vendit, por edhe emigracioni sezonal është një prej faktorëve që ndikon në numrin total të të vaksinuarve në Korçë.

“Procesi  i vaksinimit ka ecur me ritme të mira, por për shkak të lëvizjes së popullatës, shifrat e të vaksinuarve mendoj se janë më të larta se ato që kemi evidentuar. Janë një numër jo i vogël familjesh nga qyteti i Korçës, por edhe zonat rurale që punojnë në Greqi dhe janë vaksinuar atje. Ne ende nuk kemi një shifër përfundimtare të kësaj kategorie, por jemi duke evidentuar të gjitha rastet nëpërmjet mjekëve të familjes.”-thotë Kroi
Ne pyetëm për Faktoje edhe një student, Roxhersin 22 vjeç, i cili është i bindur se nuk ka arsye të vaksinohet.

“Jam shumë i ri dhe e kam kaluar covidin pa probleme. Nuk kam asnjë sëmundje dhe vaksinimi më duket i paarsyeshëm për ne të rinjtë, sepse mund ta përballojmë sëmundjen pa pasur pasoja. Prindërit e mi janë vaksinuar, por unë nuk mendoj se vaksina të mbron dhe për më tepër më bën skeptik fakti që një pjesë e vaksinave sjellin pasoja të rënda për shëndetin.”

Refuzimin e vaksinimit kundër covid e konfirmojnë edhe autoritete të Shëndetit Publik të Korçës, të cilët edhe pse nuk japin shifra, pranojnë se kjo kategori mbetet më pak e ineteresuara, ashtu sikurse rezultojnë të jenë edhe banorët e zonave rurale. Gjatë komunikimit me banorë të fshatit Dishnicë, konstatuam një refuzim në masë të vaksinimit anticovid.

Në foto fshati Dishnicë

 

“Nuk besoj se vaksina të mbron nga covid 19. Sa raste kemi pasur në fshat që janë infektuar me covid edhe pse kanë qenë të vaksinuar. Pse duhet të rrezikojmë jetën nga vaksinat që u prodhuan shpejt e shpejt dhe nuk janë fare të sigurta? Po të më ndodhë mua diçka nga vaksina dhe të sëmurem ose të vdes, kush e mban përgjegjësinë?”- thotë për Faktoje Genci Malelli, kryefamijar.

Në familjen prej 6 anëtarësh të Altin Mullallit nga Dishnica janë vaksinuar vetëm dy prindërit e moshuar.

“Prindërit janë vaksinuar se donin vetë. Ne të tjerët nuk duam të vaksionohemi se nuk na ka sqaruar njeri që nuk do na dëmtohet shëndeti. Pse duhet të rrezikojmë kot dhe të bëjmë vaksinat kur jemi të gjithë të shëndetshëm,”-thotë  42 vjeçari.

 

Në foto Altin Mullalli, banor i fshatit Dishnicë

72 vjeçari, Hekuran Labi është një tjetër banor i Dishnicës që nuk është vaksinuar edhe pse kategoria e të moshuarve ishte ndër të parat që duhet të vaksinohej.

“Në fillim kishim frikë nga covidi, tani kemi marrë tmerr nga vaksinat. Nuk do të vaksinohem sikur nami të bëhet!”-këmbëngul i moshuari i cili nuk ka lejuar as familjarët e tij të vaksinohen.

Refuzimi i vaksinimit nga banorët në fshatra, të rinjtë apo komunitetet vulnerabël theskohet edhe nga burimet zyrtare shëndetësore në Korçë.

“Ecuria e procesit të vaksinimit konsiderohet e kënaqshme, me interes më të shtuar sidomos nga të sëmurët kronikë dhe mosha e tretë. Interes më të lartë për t’u vaksinuar ka pasur nga banorët e zonave urbane, ku vaksinimi ka arritur në 43%, ndërsa në zonat rurale jo më shumë se 30%. Po ashtu pak të intersuar kanë qenë edhe grupmoshat e reja”-thuhet në përgjigjen e Drejtorisë së Shëndetit Publik.

 Screenshot pergjigjia e Drejtorisë së Shendetit Publik Korçë

Në përgjigjen e kërkesës për informacion Drejtoria e Shëndetit Publik të Korçës sqaron se gjatë muajit janar 2022, infektimet u rritën disafish, duke shënuar 711 të prekur nga covid krahasuar me janarin e vitit të kaluar me 223 persona të infektuar. Rritja e kurbës së infektimeve, sipas autoriteteve ishte pasojë e grumbullimeve gjatë festave të fundvitit, mosrespektimi i masave mbrojtëse dhe fakti që varianti Omicron ka një transmetueshmëri të lartë, por edhe niveli i ulët i vaksinimit pati rolin e vet.

Autoritetet shëndetësore pranojnë se numri i ulët i vaksinimit kundër Covid është pasojë edhe e lajmeve dizinformuese dhe teorive të konspiracionit  që qarkullojnë në masë nëpër rrjete sociale, por edhe televizione. Ndaj Instituti i Shëndetit Publik ka nisur një fushatë ndërgjegjësimi, pikërisht me të rinjtë në Universitete.

Screenshot nga postimi në faqen zyrtyare të ISHP, fushatë ndërgjegjësuese me studentët e Mjekësisë

Edhe në faqen online të Ministrisë së Shëndetësisë janë publikuar  informacione dhe rubrika si “Mite apo fakte” me video ndërgjegjësuese për vaksinimin kundër Covid 19. Megjithatë këto fushata mbeten ende të vakëta kur vjen fjala tek ndikimi në rritjen e numrit të vaksimimeve kundër Covid 19.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img