BallinaFaktometerE PavërtetëA u rehabilituan qendrat shëndetësore në periferi, siç u premtua 3 vite më parë?

A u rehabilituan qendrat shëndetësore në periferi, siç u premtua 3 vite më parë?

Qendrat shëndetësore nëpër fshatra nuk janë në gjendje të ofrojnë shërbimin e duhur, edhe pse 3 vite më parë qeveria premtonte rehabilitimin e tyre. Faktoje sjell verifikimin në qendrën shëndetësore të fshatit Çermë Proshk në Lushnje, e cila dëshmon që nga pamja e jashtme se në ç’kushte skandaloze ndodhet. Banorët e zonës tregojnë se kjo qendër shëndetësore ka vetëm një mjek, i cili vjen dy herë në javë dhe dy infermiere ndihmëse që përgjithësisht e ofrojnë shërbimin nëpër banesa, pasi qendra shëndetësore nuk i ka kushtet.

————————————————————————-

”Rehabilitojmë jo vetëm qendrat shëndetësore në qytet, por edhe pikat e ambulancave në periferi, për të garantuar të njëjtin standard të shërbimit shëndetësor për qytetarët”- deklaroi Manastirliu në janar të vitit 2019 gjatë përurimit të qendrës shëndetësore në Allias.

Por, si është realisht situata në periferi, kur kanë kaluar 3 vite nga ky zotim i ministres së Shëndetësisë?

Faktoje vendosi të bëjë një verifikim qendrën shëndetësore të fshatit Çermë Proshk të Lushnjës, nw javwn e dytw tw janarit. Ndërtesa 2-katëshe, dallohej që nga jashtë se katin e sipërm e kishte jashtë funksionit, pasi edhe dritaret ishin të thyera. Objekti ishte gati i rrënuar dhe me lagështirë. Në momentin e verifikimit, rreth orës 15:00, qendra shëndetësore ishte e mbyllur.

Qendra shëndetësore Çermë Proshk, janar 2022

Banorë të zonës me të cilët komunikoi Faktoje, bënë të ditur se këtu shërbimi ofrohet nga ora 8 e 30 deri në orën 13:30 dhe se kjo qendër ka vetëm një mjek dhe dy infermiere.

“Këtu bëhen vizita të çastit, ndonjë gjilpërë kush ka nevojë. Nuk ka pajisje dhe mjete që të bëjmë vizita të tjera. Na japin një letër dhe na dërgojnë te spitali kur kemi për të bërë ekzaminime”- tha një banore e zonës.

Pjesa e pasme e godinës së qendrës shëndetësore Çermë Proshk, janar 2022

Një tjetër banore e fshatit rrëfeu se të njëjtat kushte janë edhe brenda, mure të rëna, lagështirë dhe mungesë pajisjesh, qoftë për të kryer edhe ekzaminimet më bazike. Ajo shtoi se gjatë kësaj periudhe pandemie kanë pasur shumë nevojë për serume dhe gjilpëra dhe janë detyruar që t’i marrin infermieret në shtëpi për shërbimin mjekësor, pasi kushtet në qendrën shëndetësore janë jashtë çdo standardi.

Qendra shëndetësore Çermë Proshk, foto e shkrepur nga banorët

“Qendra shëndetësore funksionon për të bërë ndonjë gjilpërë dhe vizita mjekësore. Dy herë në javë vjen doktori, bën vizita, është mjek i përgjithshëm. Janë dy infermiere, njëra bën vaksinat e fëmijëve. Infermieret vijnë ndonjëherë edhe pas orës 16:00, kur kanë për të bërë gjilpëra. Aty më shumë marrim rekomandime dhe shkojmë në Lushnjë, për të bërë ndonjë vizitë për zemrën përshembull.

Unë i kam bërë vjehrrës serume kur ishte me Covid, por e kam marrë infermieren në shtëpi. Ajo është ndërtesë e vjetër, mirëmbahet me aq sa kanë mundësi. Unë kam 7 vjet e martuar në këtë fshat dhe po njësoj vazhdon të jetë situata në këtë qendër shëndetësore”-tha banorja për Faktojen.

Qendra shëndetësore Çermë Proshk, foto e shkrepur nga banorët

Në lidhje me kushtet e vështira në këtë qendër dhe nëse ka ndonjë plan për rehabilitimin e saj, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Ministrisë së Shëndetësisë, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk kemi marrë një përgjigje nga ky institucion.

Kërkesa për informacion dërguar MSH, 20 janar 2022

Më 21 prill të vitit 2018, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastriliu njoftoi nisjen e programit kombëtar të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore në të gjithë vendin, duke premtuar kushte dinjitoze për pacientët dhe mjekët.

“Kemi nisur programin kombëtar të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore në këtë mandat qeverisës, në mënyrë që shërbimi për qytetarët të jetë me të njëjtin standard nga veriu në jug”- njoftoi Manastriliu 4 vite më parë.

Ndërsa, në shkurt 2021, kryeministri Edi Rama publikoi disa pamje nga transformimi i Poliklinikës së Lushnjës dhe i qendrës shëndetësore 1 dhe 2 në këtë qytet, si pjesë e programit kombëtar të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore.

“Poliklinika e Lushnjës si e gjetëm dhe si është sot. E lënë pas dore prej pothuajse dy dekadash, pa asnjë investim dhe drejt amortizimit të plotë, ndërtesa 3-katëshe në qendër të qytetit të Lushnjës, ku ushtron aktivitetin shëndetësor poliklinika e specialiteteve, qendra shëndetësore nr. 1 dhe konsultorja e gruas dhe fëmijës e qendrës shëndetësore nr. 2, është rehabilituar tërësisht dhe është pajisur me aparatura mjekësore të reja”- shkruante ndër të tjera kryeministri Rama.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img