Mitrovica e Veriut u rikthye në qendrën e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë që precipitoi në akte dhune ndaj forcave të sigurisë dhe gazetarëve. Por mes zhvillimeve në terren dhe përçapjeve diplomatike të grupeve të interesit, situata është shënjuar nga narrativa ekstreme që ka zënë vend në media dhe portalet e të dy vendeve dhe jo vetëm. Raportimet me tituj bombastikë dhe informacione të paverifikuara për Mitrovicën, i kontribuojnë vetëm manipulimit dhe përhapjes së panikut dhe urrejtes etnike në opinionin publik.

Barbara Halla

Që nga data 26 maj, qytetet e Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut në veri të Kosovës janë përfshirë në trazira dhe protesta. Ato u shtuan pasi tre kryetarët që fituan zgjedhjet e 26 majit, të shoqëruar nga forcat policore të Kosovës, u futën në godinat zyrtare për të filluar punën. Vlefshmëria e zgjedhjeve të majit është vënë në pikëpyetje duke qënë se vetëm 3.47% e popullsisë mori pjesë në votime, pasi ato u bojkotuan nga partitë serbe.

Vendimi i qeverisë Kurti që kryetarët në veri të fillonin punën në godinat zyrtare u prit me protesta nga serbët e zonës. Ballafaqimet midis protestuesve dhe policisë së Kosovës u bënë të dhunshme, sidomos në Zveçan. Kjo solli mobilizimin e forcave të KFOR-it të cilat po ashtu patën përplasje serioze, ndërsa protestuesit gjuajtën me sende të forta drejt trupave dhe gazetarëve. Më 30 maj, u raportua se 30 ushtarë të KFOR-it ishin lënduar në këto përplasje, ndërkohë që KFOR-i vetë mori vendimin të mobilizonte trupa shtesë ne veri.

Në javën e dytë të qershorit, protestat filluan të zbuteshin dhe të uleshin në numër, edhe pse pati dhunë nga ana e protestuesëve ndaj gazetarëve më datë 16 qershor, kësaj radhe në Leposaviq. Aktualisht, situata politike midis dy vendeve vazhdon  e tensionuar. Veriu i Kosovës ka çuar në tensione të shpeshta në dy vitet e fundit, sidomos në momente kur qeveria e Albin Kurtit është përpjekur të mbrojë sovranitetin e saj në veri, qoftë edhe me ligje, si mosnjohja e targave apo kartave të identiteti të lëshuara nga Serbia. Nga ana tjetër, Serbia i ka portretizuar këto ligje si manovra për të dhunuar serbët e Kosovës, duke i nxitur më tej tensionet.

Në hijen e dhunës dhe tensioneve, mediat shqipfolëse dhe serbe kanë përhapur  edhe propagandën nga anë të caktuara mbi tensionet e kësaj radhe. Shpesh këto lajme, edhe pse mund të nisen nga një analizë e  situatës, përdorin gjuhë të ekzagjeruar që jo vetëm përhap panikun për një konflikt etnik në veri (një luftë e paralajmëruar tashmë prej vitesh), por edhe nxit urrejtjen ndaj grupeve të caktuara. Më poshtë gjeni një analizë e narrativave kryesore që morën dhenë gjatë dy javëve të fundit.  

Konflikti në këndvështrimin e Kosovës

Për shumë nga mediat shqipfolëse, tensionet në veriun e Kosovën ishin pasojë direkte e manovrave nga ana e Serbisë. Një shkrim nga analisti Genc Burimi u shpërnda nga mediat shqiptare me një titull sensacional.

Burim: BalkanWeb

Në fakt, analiza e Burimit është më e thellë sesa titulli bombastik. Ai nuk thotë në këtë analizë që Vuçiç do të nisë luftë në Ballkan, por se Vuçiç i frymëzuar dhe mbështetur nga aleanca me Rusinë, përdor ushtrinë si taktikë për të intimiduar rajonin dhe për të vendosur axhendën e Serbisë përpara. Sipas Burimit, vendimi i Perëndimit për të qetësuar Vuçiçin, ndërkohë që qorton Kosovën, nuk bën gjë tjetër veçse i jep më shumë shtysë Vuçiç të vazhdojë më këto teknika.

Burim: Gazeta Shqip

Kjo narrativë, se Serbia po përpiqet të krijojë një klon të situatës në Ukrainë është përsëritur edhe nga ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Panariti gjatë emisionit ‘Frontline’. Përsëri ka një tendecë nga mediat shqiptare që të mos përfshijnë detajet dhe nuancën e argumenteve të ngritura nga analistët, të cilët nuk po flasin për ardhjen e një lufte të re ne Ballkan, por, në mënyrën sesi Serbia po përdor një strategji të caktuar ndaj Kosovës që të marrë përfitime për interesat e veta.

Por nuk kanë qenë vetëm analistët ata që kanë fajësuar Serbinë për situatën në veri të Kosovës. Kryeministri Albin Kurti i ka quajtur po ashtu protestat në veri si të organizuara nga Beogradi me urdhër të Vuçiç.

Burim: Nacionale

Në fakt, një nga narrativat më të përhapura si nga mediat tradicionale dhe ato  sociale, që e kanë ndjekur situatën hap pas hapi është pikërisht se protestat në veri nuk janë shprehja legjitime e dëshirës së popullit, por e pjesëtarëve të bandave kriminale që veprojnë nën urdhërat e Vuçiç. Kështu është shkruar edhe nga një faqe mjaft e ndjekur në Twitter, ku një nga protestuesit që po ushtronte dhunë kundër forcave të KFOR-it është identifikuar si një polic nga Serbia dhe është përshkruar si dikush i dërguar nga vetë Vuçiç për të shkaktuar trazira.

Burim: ABC News

Kurti e ripërsëriti këtë akuzë edhe në një takim me përfaqsues të BE-së dhe SHBA-së me 6 qershor. Në një deklaratë të dhënë më 9 qershor, KFOR-i vetë e ka pranuar se ka pasur grupe të ndryshme kriminale pas protestave në veri. Megjithatë, koloneli Andrea Gallieni ka vënë në dukje edhe ekzistencën e protesatve paqësore.

“Gjatë protestës, shumë ushtarë të KFOR-it u plagosën nga gurët, mjetet shpërthyese të improvizuara dhe armët. Ishte e qartë se ku njerëzit përpiqeshin të manifestoheshin dhe të protestonin në mënyrë paqësore, por ishte gjithashtu e qartë se pas tyre fshiheshin disa grupe kriminale që tentonin të sulmonin trupat e KFOR-it,” ka thënë ai.

Konflikti në këndvështrimin e Serbisë

Ndërkohë si mediat edhe qeveria serbe fajësojnë Kosovën dhe Perëndimin, për situatën e krijuar në veri.

Burim: ABC News

Së pari, ai ka pretenduar se gjithçka është organizuar nga Albin Kurti që të nxitet një konflikt mes serbëve dhe NATO-s, dhe ai është përgjegjësi i vetëm. Në fakt, nuk ka asnjë provë që Kurti të ketë orkestruar situatën për të shkaktuar konflikt midis serbëve dhe NATO-s. Inagurimi i kyretarëve të rinj të bashkive është bërë pikërisht si pjesë e strategjisë politike të Kurtit për të siguruar sovranitetin e Kosovës në të gjithë territorin e saj.

Burim: TPZ

Vuçiç i mëshoi po ashtu narrativës se serbët në veri nuk qenë përgjegjës për dhunën, por ajo erdhi si pasojë e veprimeve të policisë së Kosovës dhe forcave të KFOR-it. Kjo akuzë nga ana e Vuçiç u mbështet edhe nga Kremlini, ndërsa Ministria e Jashtme e Rusisë ka lëshuar deklarata duke thënë po ashtu se serbët nuk mund të fajësohen për dhunën dhe tensionet në veri.

Burim: Ora News

Si Vuçiç edhe Kremilini pretendojnë se dhuna ka ardhur nga policia e Kosovës dhe se serbët thjesht janë kundërpërgjigjur për të mbrojtur veten. Por hetimet e KFOR-it tregojnë se grupe të ndryshme kriminale serbe kishin dorë në dhunën ndaj policisë, ushtarëve dhe gazetarëve, sidomos në Zveçan.

Përtej deklaratave zyrtare, edhe mediat serbe nxitën flakët e mosmarrveshjeve me tituj keqinformues dhe të rremë. Për shembull, versioni në serbisht i Russia Today publikoi një opinion ku shkruhej: “SHBA dhe NATO po përgatisin një revolucion në Serbi me ndihmën e shqiptarëve të Kosovës.”

Burim: Russia Today         

Artikulli pretendon se NATO dhe SHBA po përgatisin shqiptarët e Kosovës për të bërë luftë kundër Serbisë, dhe për këtë arsye serbët e Kosovës janë ngritur në protesta. Ky artikull është i bazuar në opinion e një studiuesi rus dhe nuk përmban asnjë fakt të verifikueshëm, siç e ka parashtruar organizata e verifikimit të fakteve Hibrid në një raportim.

Reagimi i Ndërkombëtarëve

Për më tepër, si SHBA dhe BE-ja kanë qënë shumë të ashpra ndaj Kosovës, duke e akuzuar Kurtin si fajtorin kryesor të situatës në veri. Që në ditën e parë të protestave, me 26 maj, Sekretari i Shtetit të SHBA, Antoni Blinken, dënoi qëndrimin e Kosovës duke thënë se vendimi për të vënë kryebashkiakët në punë në godinat zytare, shkonte kundër strategjisë së dakordësuar midis Kosovës dhe SHBA-së.

Më 30 maj ambasadori i SHBA për Kosovën, Jeffrey Hovenier, publikoi një paketë sanksionesh kundër Kosovës, që përfshinte anulimin e pjesëmarrjes në stërvitjen ushtarake të Defender-23. Dy javë më vonë, edhe BE-ja ndërmori disa masa (të cilat nuk i quajti sanksione), kundër qeverisë së Kosovës. Këto masa parashikojnë ndërprerjen e vizitave dhe takimeve të larta qeveritare midis vendeve të BE-së dhe qeverisë së Kosovës dhe mundet gjithashtu të dëmtojnë  punën e bërë nga grupet e angazuara për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA).

Si SHBA, edhe BE i kërkojnë qeverisë Kurti të ulë tensionet duke zhvendosur kryetarët e komunave nga godinat ku po punojnë, në godina alternative, të heqë forcat speciale rreth godinave, të organizojë zgjedhje të reja dhe të fillojë punën për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Kurti, ndërkohë, ka thënë se zgjedhjet mund të bëhen, nëse do të ketë siguri që kësaj radhe serbët e zonës do të marrin pjesë në to. Për më tepër, Asociacioni vazhdon të jetë një pikë përplasjese, pasi ekzistojnë disa drafte për formatin e tij, por asnjë format përfundimtar që të kënaqë të gjitha palët.

Situata në veri u rindez më datë 14 qershor, kur tre policë kosovarë u rrëmbyen nga forcat e policsë serbe, me akuzën se kishin shkelur territorin serb. Kjo ngjarje ka rikthyer frikën, ndërsa SHBA-ja i ka kërkuar Serbisë t’i lirojë policët kosovarë dhe të dyja vendet të rikthehen në tryezën e diskutimeve.  

*Ky shkrim është prodhuar si pjesë e iniciatiavës rajonale Qendra Kundër Dizinformiminit e Ballkanit Perëndimor

Redaktoi: Viola Keta & Aimona Vogli