NASA nuk ka zbuluar piramidën misterioze nën malin e Tomorrit

1032

Një artikull i publikuar nga portali inforculture.info pretendon se në brendësi të malit të Tomorit gjendet një piramidë e madhe e mbushur me objekte të tjera jashtëtokësore. Verifikimet tregojnë se pretendimet janë të pabazuara në fakte, por fryt i teorive konspirative të vazhdueshme për “malin e shenjtë”.

‘Mali i shenjtë i Tomorrit, ja misteri që qarkullon në NASA’, ky është titulli i një lajmi të publikuar në rubrikën e kurioziteteve nga portali inforculture.info më 16 qershor.

Screenshot nga portali inforculture.info

‘Një misteri i madh ka qarkulluar kohët e fundit në NASA, sipas një ish -punonjësi të këtij institucioni, i cili ka deklaruar në një ambient me miq të tij, që në Shqipëri dhe me ekzaktësisht në malin e Tomorit, ka ndodhur diçka e rëndësishme për NASA. Sipas tij, aty ka mundësi të madhe që në brendësi të malit të ekzistojë një piramidë e madhe që përmban objekte misterioze.’, shkruhet në brendësi të artikullit, i cili të gjitha pretendimet i bazon mbi një ‘deklaratë mes miqsh’ të një ish-punonjës të NASA-s, por pa e dhënë identitetin e tij dhe asnjë provë që të vërtetojë këtë ‘deklaratë’.

E vërteta është që NASA, agjencia Kombëtare e Aeronautikës dhe hapësirës në SHBA, nuk ka bërë asnjë deklaratë të tillë.

Ky është rasti tipik i lajmeve që kërkojnë të tërheqin lexuesit duke fituar klikime me teori konspiracioni, duke mos e bazuar informacionin në asnjë burim.

I adhuruar hershëm nga kultet pagane të natyrës, por më pas edhe nga besimit fetar bektashian, mali i Tomorrit cilësohet në gojëdhëna dhe traditën e zonës si “Mal i shenjtë”.

Megjithatë, askush, përfshirë studiesit, historianët dhe arkeologët, deri më sot nuk kanë folur për ndonjë piramidë nën këtë mal apo objekte të tjera jashtëtokësore prej nga mund të burojë ndonjë fuqi e veçantë, sikurse pretendohet në artikull.

Më herët edhe analisti i teorive konspiracioniste Alfred Cako ka bërë një deklaratë të ngjashme, e verifikuar si e pabazë nga “Faktoje”, që mesa duket ka shërbyer si ‘ushqim’ për portalet.

Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dezinformimin.