Këngëtarja e njohur, Leonora Jakupi nuk ka bërë asnjë postim në rrjetet sociale, ku ajo ofron 10 mijë euro për komentuesit në faqen e saj. Faktoje sjell faktet që tregojnë se kemi të bëjmë me një skemë mashtrimi.
Postime të shpërndara në rrjetet sociale, në emër të këngëtares Leonora Jakupi, pretendojnë se do të japin 10 mijë euro për 300 personat e parë që shkruajnë “Përshendetje” në postimin e bërë në këtë faqe.
“Ju bekoj te gjitheve!! 300 personat e parë që thonë (Përshëndetje), do t’u jap 10,000 € dhe jam i vërtetë, Që tani e tutje”-shkruan faqja në Facebook që mban emrin e Leonora Jakupit.
Postimi i shpërndarë në Facebook
Publikimi shoqërohet me një video, ku duket këngëtarja e njohur, po në asnjë moment në video ajo nuk thotë se do të japë 10 mijë euro për ndjekësit. Në këtë video live që këngëtarja kishte me ndjekësit, i falenderon ata për mbështetjen dhe flet për projektet e reja.
“Tani e tutje Facebook do ta kem në menaxhimin tim. Pra, unë do jem ajo që do të postoj më shumë, po ashtu edhe dy miqtë e mi që kanë postuar deri më tani. Ju falenderoj për mbështetjen që i bëni faqes sime dhe të gjitha aktiviteteve që janë postuar deri tani. Së shpejti do të kem 3 këngë të reja”, thotë Leonora në videon e publikuar nga kjo faqe.
Ajo që vihet re është se kanë komentuar me mijëra persona, të cilët besojnë se do të marrin vërtetë këtë shumë parash.
Por, a është vërtetë kjo faqe në menaxhimin e saj dhe se këngëtarja do të japë 10 mijë euro për ndjekësit që komentojnë?
Faktoje kontaktoi artisten, e cila bëri të ditur se këto janë thjeshtë skema mashtrimi, që nuk kanë asnjë lidhje me figurën e saj.
“Më duhet t’i denoncoj patjetër se nuk po kam zgjidhje tjetër. Njerëzit po më shkruajnë çdo ditë ‘çfarë po ndodh’. Më duhet t’i denoncoj në polici, pasi po vazhdon si dukuri, prej disa kohësh”- tha këngëtarja për Faktoje.
Gjithashtu, ne bëmë edhe një verifikim, ku shihet se faqja zyrtare e këngëtares Leonora Jakupi ka mbi 200 mijë ndjekës dhe nuk ka bërë asnjë postim, ku ofron shpërblime për ndjekësit.