Javën e kaluar një numër portalesh shqiptare raportuan se dy emigrantë shqiptarë në Belgjikë kishin shpëtuar një të moshuar që kishte rënë në lumë. Verifikimi i Faktoje zbuloi se ka një keqintepretim të qëllimshëm nga portalet për të veshur kuqezi heronjtë e kësaj ngjarjeje. 

———————————–

Në 8 nëntor, faqja në Facebook Revista Fjala, postoi një video të shoqëruar me pretendimin se ajo tregonte dy të rinj shqiptarë në Belgjikë që shpëtojnë një të moshuar, i cili kishte rënë në lumë. 

Video ka marrë më shumë se 740 mijë shikime, 16 mijë pëlqime dhe 1600 komente, ku pothuaj të gjthë komentuesit vlerësojnë aktin heroik të shqiptarëve dhe shprehin kënaqësinë e tyre që emri i vendit tonë lartësohet në Evropë. 

Lajmi u raportua edhe në portalin info-albania, artikulli i të cilit pretendon se dy shpëtuesit ishin jo vetëm shqiptarë, por edhe vëllezër.

Fatkeqësisht, duket se lajmi i samaritanëve të mirë shqiptarë është i rremë, ndoshta i nxitur nga dëshira për të krijuar sa më shumë klikime në rrjet. 

Duke qenë se në video dëgjohet të flitet frëngjisht dhe arabisht, Faktoje vendosi të verifikojë vërtetësinë e pretendimit se dy shpëtimtarët ishin shqiptarë.

Duke hulumtuar, hasëm një sërë mediash marokene që raportonin se dy të rinjtë ishin në fakt emigrantë marokenë, por as ato nuk jepnin një burim konkret për këtë pretendim.

Megjithatë, media belge RTL Info botoi, më 6 nëntor, një intervistë të shkurtër me të riun, i cili u hodh i pari në lumë. 

Ai quhet Ismael, është 24 vjeç dhe është me origjinë nga Afganistani. Ismael po frekuentonte një kurs kuzhine pranë kanalit në Bruksel, kur dëgjoi zhurma. Sapo doli jashtë, i riu pa një njeri në ujë. Instinktivisht, Ismael, i cili tha për RTL se “nuk është notar shumë i mirë”, u hodh në lumë për ta ndihmuar. Pas tij, siç duket edhe në video, u hodh edhe një i ri tjetër.

Sipas zëdhënësit të zjarrëfikësve të Brukselit, të tre personat ishin ende në lumë kur në vendngjarje arritën zjarrëfikësit. Ata u dërguan në spital, ku personi që kishte rënë fillimisht në lumë ishtë në gjendje të rëndë, ndërsa dy të tjerët kishin vetëm hipotermi, si pasojë e ujit të ftohtë.