.

.

BallinaPremtimeIshulli i gënjeshtërt i qeverisë në mes të Osumit

Ishulli i gënjeshtërt i qeverisë në mes të Osumit

KLEVIS PALOKA

I siguroj të gjithë qytetarët e Beratit se me të marrë nga duart e jurisë propozimin fitues, ne do të nisim punën me bashkinë e re për ta jetësuar këtë projekt, si një projekt strategjik për Beratin e ri, ku e shkuara dhe e ardhmja do të ndërthuren në një të tashme me më shumë shpresë, entuziazëm dhe sidomos ekonomi”, ky ishte premtimi i kryeministrit Edi Rama për ndërtimin e një ishulli mbi lumin Osum gjatë fushatës elektorale të vitit 2015 në Bashkinë e Beratit, ku kandidonte zoti Petrit Sinaj .

4 vjet më vonë, çfarë ka ndodhur me projektin ambicioz?

“ Faktoje” shkoi në zonën e planifikuar të kthehej në ‘‘Ishullin e Osumit’’, por aty shihet qartë se nuk ka asnjë shenjë që të tregojë minimalisht nisjen e punimeve.


“Faktoje”, u interesua pranë Bashkisë së Beratit se në ç’fazë është projekti për ishullin në Osum.

Në përgjigjen zyrtare Bashkia e Beratit ia lë përgjegjësinë pushtetit qendror:

Projekti ‘ Ishulli i Osumit’ është iniciuar dhe zhvilluar nga institucionet qendrore, Ministria e Zhvillimit Urban dhe Kryeministria, nën kujdesin e të cilave është zhvilluar dhe konkursi nga ku u përcaktua subjekti, studio projektimi, fitues që do të hartonte projektin. Nga ky moment nuk kemi informacione zyrtare për zhvillime të mëtejshme. Aktualisht nuk shohim të kemi zhvillime konkrete ndërtimore në zonën e projektit, thuhej në përgjigjen zyrtare të Bashkisë së Beratit.

Me shpresën se do merrte një përgjigje shterruese, “Faktoje” iu drejtua Kryeministrisë dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Nga të dyja institucionet morëm të njëjtën përgjigje ku këtë herë, “topi” i përgjegjësisë i mbetet Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, AKPT:

Në zbatim të kërkesës së Bashkisë Berat dhe detyrës së ngarkuar nga Zyra e Kryeministrit, AKPT-ja së bashku me Fondin Shqiptar të Zhvillimit kanë organizuar dhe zhvilluar një konkurs ndërkombëtar për të marrë ide projektimi. AKPT-ja ka qënë përgjegjëse për hartimin e termave të references, dizenjimin e procedurës, si edhe kontrollin teknik të produkteve të konkursit. Konkursi është zhvilluar në 6-mujorin e parë të vitit 2015. Konkursi është zhvilluar me fonde të FSHZH-së. Nga ky konkurs ka dale ideja fituese, e shpallur nga një juri ndërkombëtare. Me fituesin është nënshkruar nga FSHZH-ja një kontratë për hartimin e studimit të fizibilitetit. Projekti i fizibilitetit në dijeninë tonë ka përfunduar dhe është dorëzuar brenda vitit 2015 pranë FSHZH-së. Nuk kemi dijeni të mëtejshme në lidhje me ecurinë e procedurave për realizimin e projekt-zbatimit dhe vetë investimit të këtij projekti”.

Në vijim të kësaj sorollatjeje burokratike, “Faktoje” kontaktoi Fondin Shqiptar të Zhvillimit AKPT-së si një nga organizmat përgjegjës për zhvillimin e konkursit dhe studimin e fizibilitetit.

Për Ishullin e Osumit u realizua një konkurs ndërkombëtar, bazuar në një marrëveshje bashkëpunimi mes FSHZH-së, AKPT-së dhe Bashkisë Berat. Pas vlerësimit të 12 projekteve të prezantuara për ishullin e Beratit nga studio prestigjoze ndërkombëtare juria përzgjodhi projektin e UnLab Corda si projekti fitues. Pas përzgjedhjes së projekt-idesë fituese, hapi i radhës ishte fillimi i hartimit të studimit të fizibilitetit për projekt-idenë e Ishullit të Osumit, Berat nga UnLab Corda. Ky studim fizibilitetit u përfundua dhe një kopje e tij iu dorëzua AKPT dhe Bashkisë Berat. Lidhur me interesimin tuaj mbi projektin e zbatimit dhe kostot, Fondi Shqiptar i Zhvillimit nuk ka informacion, ishte një pjesë e përgjigjes së FSHZH-së, në vazhdën e atyre përgjigjeve që morëm edhe nga institucionet e tjera e që ia hidhnin përgjegjësinë njëri-tjetrit.

Po ashtu në përgjigjen e FSHZH-së thuhej se janë akorduar 12.6 milionë lekë për zhvillimin e konkursit.

Projekti fitues për ishullin e Osumit

Me këtë përgjigje të FSHZH-së, që ia pason përgjegjësinë Bashkisë së Beratit, ‘‘Faktoje’’ e kategorizon premtimin e kryeministrit Rama si TË PAMBAJTUR.

 

 

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img