BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookModeratoja Arbana Osmani nuk ka këshilluar asnjë preparat dobësimi

Moderatoja Arbana Osmani nuk ka këshilluar asnjë preparat dobësimi

Moderatorja e njohur, Arbana Osmani nuk ka sugjeruar asnjë preparat që përdoret për dobësim. Faktoje verifikoi se kemi të bëjmë me një skemë mashtrimi, që ka si qëllim promovimin e produktit dhe rrjedhjen e të dhënave personale.

Një postim i shpërndarë në rrjetet sociale më 21 korrik pretendon se një preparat u ofron mundësinë që të humbisni peshë. Për ta bërë të besueshme për lexuesit, profilet në Facebook kanë përdorur figurën e moderatorës së njohur, Arbana Osmanit.  

“Jeni 90 kg? Së shpejti do të jeni 53-Pse SLIM FIT?- Me të vërtetë funksionon; Nuk ka përbërës kimikë; 100% natyrale; Nuk ka kundërindikacione; 50% ULJE; Pastron mëlçinë dhe zorrët; Aktivizon metabolizmin tuaj”-shkruhet në postimin e shpërndarë.

Postimi i shpërndarë në rrjetet sociale

Nisur nga interesi publik për sa i përket çështjeve të shëndetit, Faktoje vendosi të bëjë një verifikim të postimit.

Nëse do klikojmë linkun hapet një faqe që nuk ka asnjë lidhje me publikim e bërë. Linku na dërgon në një faqe të rremë Youtube, ku fillimisht na shfaqet një tabelë që na kërkon të pranojmë disa të dhëna, që kanë si qëllim marrjen e informacioneve personale.

Faqja që hapet pasi klikoni linkun, që ka si qëllim marrjen e të dhënave personale

Faktoje kontaktoi edhe moderatoren, e cila konfirmoi se asnjë sugjerim nuk është bërë nga ajo në lidhje me këtë çështje. Madje, Arbana Osmani thekson se për këtë ka pasur edhe një reagim në rrjetet sociale.

“Nuk ka asnjë lidhje me mua. E para njëherë, akoma nuk e kam gjetur vetë si qenka kaq kollaj të dobësohesh nga 90 kg në 53 kg. E dyta është tërësisht pa lejen time, pa aprovimin tim edhe me siguri një budallallëk. Si një njeri që jam gjithmonë pro ushqyerjes së shëndetshme , nuk do reklamoja kurrë gjëra të tilla”- sqaroi moderatorja në reagimin e bërë publik në mediat sociale.

Në lidhje me përdorimin e këtyre preparateve, nutricionistja Albana Daka sqaron: “Këto reklamat ndikojnë në psikologjinë e njerëzve, që pretendojnë për disa ditë humbje të mëdha në peshë. Megjithëse, së pari e kuptojnë se kjo gjë nuk ka për të ndodhur, por edhe nëse ndodh, këto që japin ulje të peshës me ritme të shpejta në disa ditë, patjetër që japin dëmtime në nivelin e dehidrimit të organzimit. Gjëra, të cilat bëjnë që pacientët të kenë kaluar edhe në dializë për shkak të bllokimit të veshkave nga elementë apo përbërës të këtyre suplementeve totalisht të pakontrolluar. Rënie të tilla, edhe nëse ndodhin, japin probleme shumë të mëdha në organizëm, të cilat I drejtojnë personat drejt urgjencave, sidomos në ditët e nxehta deri në defiçite afatgjara si anemi apo rënië të flokëve, probleme të lëkurës, gastritet, të cilat pastaj duan shumë kohë për t’u trajtuar”.

Faktoje ka verifikuar disa postime, ku figura të njohura publike janë përdorur nga këto skema mashtrimi, me qëllim shitjen e produkteve.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img