Të martën, më 21 prill nisi aplikimi për pagesën e luftës, pjesë e paketës së dytë të qeverisë, ndërkohë që ende nuk ka përfunduar procesi i pagës nga paketa e parë. Pas dy afateve të dhëna nga kryeministri Rama të cilat nuk u respektuan, drejtoresha e tatimeve, dha një tjetër afat për shqyrtimin e aplikimeve për pagën e parë. A u zbatua afati këtë herë?
Kryeministri Rama shpalli më 19 mars paketën e parë ekonomike me masat financiare, në ndihmë të biznesit të vogël. Paga minimale prej 26 mijë lekësh ishte e përcaktuar për 60442 persona, siç premtoi kreu i qeverisë më 6 prill, kur dha afatin e dytë për miratimin e pagës së luftës.
Ditën e hënë të datës 13 prill, Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, znj. Delina Ibrahimaj në një intervistë për A2 mbi pagën e luftës të paketës së parë financiare, tregoi se pranë DPT kishin ardhur aplikime për 111 mijë të punësuar dhe vendosi një afat të ri për përfundimin e shqyrtimit të tyre.
“E gjithë administrata tatimore është duke punuar intensivisht për verifikimin e të gjitha aplikimeve. Ne presim që brenda kësaj jave, pra brenda ditës së premte të kemi shqyrtuar të gjitha aplikimet të cilat kanë ardhur pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.”, tha znj. Ibrahimaj.
Të dhënat nga znj. Ibrahimaj të datës 13 prill
Dy ditë më vonë, më 15 prill, në një bisedë me TV Klan, znj. Ibrahimaj tregoi se po rishqyrtoheshin gjithashtu edhe refuzimet.
“Ne do të rishqyrtojmë të gjithë refuzimet e kryera me qëllim që të sigurohemi që të gjithë subjektet që duhet ta meritojnë pagën e luftës nëpërmjet paketës së parë ta marrin atë.”-tha ajo.
Të premten e 17 prillit, në faqen e Facebook të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve u lajmërua që aplikimi për përfitimin e pagës së luftës që i korrespondonte paketës së parë do të përfundonte më datë 18 mars.
Me fillimin e kësaj jave, ditën e hënë më 20 prill, drejtoresha e tatimeve gjatë një interviste për Vizion Plus informoi se pranë DPT kishin aplikuar për pagë lufte rreth 120 mijë të punësuar në biznesin e vogël.
“Këto nuk janë shifrat finale të përfitimit të paketës 1 pasi ne jemi duke riverifikuar të gjitha rastet e refuzimeve me qëllim saktësimin e tyre. Refuzimet në total janë 35,197 nipte dhe një pjesë e tyre, të gjithë janë duke u riverifikuar, dhe një pjesë e tyre do të kalojnë në subjektet e miratuara.”- tha znj. Ibrahimaj.
Në këtë lajm, të bërë publik edhe nga faqja e Facebook e Drejtorisë së Tatimeve, bëhet me dije se kanë mbetur ende 14 mijë raste të punësuarish që janë ende në verifikim. Duke marrë parasysh se nga deklaratat e znj. Ibrahimaj, gjatë kësaj jave janë shtuar 9 mijë aplikime, 5 mijë prej tyre janë të “mbartura” nga java e kaluar të cilat nuk janë verifikuar brenda të premtes. Në këtë mënyrë, ky bëhet afati i radhës që është shkelur për proceset e pagës së parë të luftës.
Ndërkohë që ka nisur aplikimi për pagesën e paketës së dytë ekonomike, shpërndarja e pagesës së parë, sipas zonjës Ibrahimaj u ka shkuar deri ditën e djeshme 52,350 personave.
JOEL ÇELA