Pretendimi: Ky imazh tregon zjarret në Los Angeles në janar 2025

Verdikti: E pavërtetë

—————————————————————-

Një imazh që tregon një tabelë që shkruan “Qyteti i Los Angeles” ndërsa zjarre që digjen në sfond qarkulloi në rrjete sociale në janar 2025 me pretendimin se pamjet ishin nga zjarret e atij muaji në Kaliforni.

Megjithatë, me anë të motorit të kërkimit pamor Tineye Faktoje gjeti se imazhi i mësipërm është postuar në internet që në vitin 2008, në faqen e fotografit Ted Soqui

Sipas faqes, Ted Soqui është një fotoreporter me bazë në Los Angeles dhe “ka mbi 30 vjet përvojë duke mbuluar lajmet dhe ngjarjet e Los Angeles.”

Foto e postuar më 13 tetor 2008 u shfaq edhe në faqen e medias vendase LA weekly.

Zjarret e vitit 2008 ishin nga më shkatërrimtarët në Kaliforni këtë shekull. Ndodhën 6255 zjarre dhe u dogj një sipërfaqe prej 6449 km2.

Në Los Angeles nisën dy zjarre më 12 dhe 13 tetor 2008, të cilët dogjën për 4 dhe 5 ditë, respektivisht. Imazhi i mësipërm me gjasa tregon pamje nga këto zjarre. 

Gjithsesi, është e sigurt që foto nuk është shkrepur gjatë zjarreve të janarit 2025, por 17 vite më parë, në vitin 2008.