Një studim amerikan mbi viktimat e Covid-19 është keqinterpretuar në rrjetet sociale duke pretenduar se mënyra e trajtimit të pacientëve me Covid-19 vrau më shumë njerëz se vetë virusi. “Faktoje” verifikoi më tej studimin e Spitalit Northwestern Memorial si dhe deklaratat e autorëve. 

————————–

Një artikull i Patriotik Media, një portal që Faktoje ka përgënjeshtruar edhe më parë, njofton në 23 maj se një studim amerikan provoi se praktikat e trajtimit të Covid-19 vranë më shumë njerëz se vetë virusi.

Artikulli i referohet një studimi të botuar në Prill 2023 nga një grup studiuesish nga Spitali Northwestern Memorial. 

Studimi analizoi, me anë të një programi kompjuterik, të dhëna nga 585 pacientë me “pneumoni të rëndë dhe paaftësi në frymëmarrje”, 190 prej të cilëve ishin të infektuar me Covid-19, të cilët u vendosën në intubim.

Pra, vetëm 32% e rasteve të studiuara ishin të infektuar me Covid-19.

Studimi gjeti se vdekshmëria ishte më e lartë në personat që u infektuan me pneumoni të lidhur me intubimin (VAP), një infeksion dytësor që mund të zhvillohet kur mikrobet hyjnë në mushkëri nëpërmjet tubave të intubimit. 

“Ata që u shëruan nga pneumonia dytësore kishin më shumë gjasa të jetonin, ndërsa ata të cilët nuk u shëruan nga pneumonia kishin më shumë gjasa të vdisnin,” tha autori kryesor i studimit, Benjamin Singer. “Të dhënat tona sugjerojnë se vdekshmëria e lidhur me vetë virusin është relativisht e ulët, por gjëra të tjera që mund të ndodhin gjatë qëndrimit në njësitë e përkujdesjes intensive [reanimacion], si pneumonia dytësore bakteriale, kompesojnë për këtë.”

Ishte kjo deklaratë e Singer që u mor nga konspiracionistët si dëshmi se “ata vranë më shumë se virusi”. Por, vetë Singer e ka quajtur këtë një keqinterpretim të studimit të tij.

“është thelbësore të përmendet se të gjithë pacientët në studimin tonë ishin të sëmurë rëndë si pasojë e pamundësisë në frymëmarje dhe do të kishin vdekur nëse nuk do të ishin intubuar,” tha ai për kolegët e AFP. “Kështu, pneumonia parësore, duke përfshirë këtu edhe Covid-19, ishte shkaku i vdekjes në pacientët që humbën jetën gjatë studimit tonë.”

Të pretendosh të kundërtën, tha Singer, është njësoj si të thuash se dikush që vdes gjatë operacionit pas një aksidenti me makinë vdiq si pasojë e operacionit, dhe jo e aksidentit.

Gjetjet e studimit të Singer theksojnë rëndësinë e parandalimit dhe trajtimit të infeksioneve dytësore si VAP në pacientë të sëmurë rëndë, por, siç thotë ai, ky studim ka kufizimet e veta. 

Në brendinë e studimit, si në të gjitha studimet e mirëfillta shkencore, autorët ndalojnë për të deklaruar kufizimet e hulumtimit të tyre. 

“Studimi ynë ka kufizime të rëndësishme. Fillimisht, duke qenë se ky i yni është studim vëzhgimor, ne nuk mund të përjashtojmë faktorë që nuk janë matur dhe që lidhin VAP e pakuruar me rezultate të dobëta.”