Projekti studimor shkencor amerikan i quajtur HAARP vijon të shihet nga konspiracionistët si një armë apokaliptike me fuqi të mbinatyrshme. “Faktoje” shpjegon sërish se HAARP është thjesht një radiotransmetues që mund të ndikojë vetëm në një sasi të vogël ajri mbi vete dhe aftësitë mbinatyrore që i vishen janë të pabaza.

————————————————-

Më së fundmi, portali konspiracionist Patriotik Media citon një “insajder” (person të brendshëm) i cili paralajmëron se “HAARP do të krijojë ‘katastrofa biblike’ për të sjellë ‘rendin e ri botëror’”.

Artikulli i Patriotik Media

Ky artikull duket se është një përkthim shkel e shko i një artikulli në anglisht, botuar së pari më 3 prill në portalin amerikan NewsPunch. Ky i fundit është etiketuar si një portal burim lajmesh të rreme. Sipas një raporti të vitit 2017 nga Buzzfeed, NewsPunch ishte burimi i dytë më i madh i lajmeve të rreme që ishin shpërndarë në Facebook atë vit.

Ndërkohë, artikulli i Patriotik Media duket se ka përshkuar barrierat gjuhësore duke u shpërndarë edhe në Twitter nga një përdorues turqisht-folës, postimi i të cilit është shpërndarë dhe më gjerë në rrathët e Twitter që flasin këtë gjuhë.

”Insajderi” që citon artikulli është Emil Strainu, një ish-gjeneral i ushtrisë rumune, politikan, dhe ‘ufolog’. Ai është anëtar themelues i Shoqatës për Studimin e Fenomeneve të Paidentifikuar në Hapësirën Areonautike (ASFAN), një shoqatë dedikuar studimit të objekteve të paidentifikuara fluturuese (UFO).

Gjeneral Emil Strainu

Gjeneral Strainu nuk mban grada shkencore dhe nuk është i afiluar në ndonjë mënyrë me HAARP, kështu, etiketimi i tij si ‘njeri i brendshëm’ që është përfshirë në ndonjë mënyrë si pjesë këtij sistemi kërkimor, është i rremë. 

Në një intervistë të 14 marsit me gazetarin serb Dragan Vujicic, Streniu tha, ndër të tjera, se sistemi HAARP është një “armë apokaliptike” dhe listoi 17 mënyra në të cilat HAARP mund të përdorej me atë qëllim, duke përfshirë këtu aftësinë për të shkaktuar shpërthime të krahasueshme me ato bërthamore, aftësinë për të modifikuar motin dhe klimën dhe aftësinë për të ndryshuar valët e trurit e si rrjedhim, kontrollin e trurit të njerëzve. 

Gjenerali në rezervë është i njohur për mediat rumune për teoritë e tij konspirative. Në një artikull të romaniatv.net të vitit 2012 me titull, “Bisedimet e kandidatëve: Të huajt janë mes nesh”, Strainu nuk u tërhoq nga pretendimet e tij të mbinatyrshme, por ai pranoi se nuk ishte kundër krijimit të një show për publicitet: “Duke qenë se lëvizja jonë politike nuk ka shumë para për fushatën zgjedhore, bëjmë dalje publike që të tërheqim vëmendjen (…) Shpirti i tregtisë është reklama, shpirti i reklamës është skandali dhe tani keni një skandal të vogël”, u tha Strainu në atë kohë gazetarëve.

“Faktoje” ka verifikuar dhe më parë pretendime të ngjashme mbi sistemin HAARP.

Siç “Faktoje” ka shpjeguar më parë, HAARP është një projekt i përbashkët i Forcave Ajrore Amerikane dhe Marinës Amerikane i kijuar në vitin 1993, i cili i ka kaluar më vonë Universitetit të Alaskës Fairbanks (UAF) në vitin 2015. 

Karakteristika e tij kryesore është një transmetues me frekuencë të lartë që përdoret për të studiuar jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Duke analizuar se si valët e radios ndërveprojnë me elektronet në jonosferë, studiuesit në HAARP janë në gjendje të studiojnë fenomene, të tilla si efektet e aurora borealis, ose dritat veriore, në sistemet radio dhe komunikimet e avionëve në lartësi të mëdha.

Që në krijimin e tij, HAARP ka qenë në shënjestrën e teorive konspirative. Fakti që puna studimore që kryen HAARP nuk është lehtësisht e kuptueshme nga publiku i gjerë, bën që këtij projekti t’i vishen fuqi mbinatyrore duke e etiketuar si shkaktar i përmbytjeve, uraganeve, thatësirave, tërmeteve, stuhive, ndërprerjeve të energjisë, rrëzimit të avionëve, sëmundjeve. Në 2016, dy burra nga Georgia, ShBA, u arrestuan me një arsenal masiv armësh. Ata kishin në plan të shkatërronin HAARP sepse besonin se instituti kërkimor manipulonte motin, kontrollonte mendjet e njerëzve, madje edhe rrëmbente shpirtra.

Sipas shkrimtarit të shkencës, Mick West“mënyra për të përgënjeshtruar teoritë konspirative rreth HAARP është të përpiqesh t’i shpjegosh njerëzve ekzaktësisht çfarë HAARP bën. Shpjegoi se është thjesht një radiotransmetues që është në një vend në Alaska dhe mund të ndikojë vetëm në një sasi të vogël ajri mbi të. Shpjegoji se fuqia e përdorur nga ky radiotransmetues është shumë shumë e vogël krahasuar me çfarë do të duhesh për të bërë disa nga gjërat që po pretendohen.”

HAARP ka si objekt studimi dhe eksperimentimi jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Gati të gjithë fenomenet e motit ndodhin më poshtë jonosferës, në troposferë. Kështu, HAARP nuk ka si të ndikojë në fenomenet e motit.