.

.

BallinaFaktometerE PavërtetëFatura e dëmeve të tërmetit do publikohej në mesin e muajit janar, por nuk ndodhi

Fatura e dëmeve të tërmetit do publikohej në mesin e muajit janar, por nuk ndodhi

FJORI SINORUKA & MARJO BRAKAJ

Qeveria duhej të kishte përfunduar hartimin e raportit për faturën e dëmeve nga tërmeti i 26 nëntorit. Sipas një deklarate të Ministrit Bledi Çuçi në Komitetin Kombëtar të Rindërtimit, raporti paraprak do të publikohej në mes të janarit, por deri më sot kemi vetëm fatura të pjesshme dhe jo një totale. Për hartimin e këtij raporti, janë angazhuar 60 ekspertë, siç konfirmon Koordinatorja Kombëtare Milva Ekonomi, por rezultatet e tij janë të panjohura.

…………………………………………………………………………………………………………………………………………………..

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, në rolin e Drejtuesit Qendror të Operacionit për Menaxhimin e Fatkeqësisë Natyrore, më 30 dhjetor 2019 deklaroi se në mesin e muajit janar do të dilte fatura e parë e dëmeve nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar.

“Besoj se draftin e parë të këtij raporti kaq të rëndësishëm që do të çojë pastaj dhe në mbledhjen e Konferencës së Donatorëve, do e kemi në mes të janarit”, tha ai gjatë mbledhjes.

Tabelë pasqyruese gjatë mbledhjes së Komitetit Kombëtar të Rindërtimit

Raporti paraprak mbi fondet për Programin e Rindërtimit pasqyruar më 11.12.2019

Deri pasditen e 17 janarit nuk patëm ndonjë njoftim për publikimin e faturës . “Faktoje” pyeti ministrin Bledi Çuçi përse nuk u publikua në afatin e parashikuar fatura e dëmeve të tërmetit, ashtu siç kishte premtuar, por nuk morëm një përgjigje prej tij.

Pyetëm edhe Koordinatoren Kombëtare për Raportin e Dëmeve Milva Ekonomi, e cila dha këtë përgjigje:

“PNDA është një instrument që hartohet sipas modelit të miratuar nga EU/WB/UN (BE, Banka Botërore dhe OKB *shënim i redakisë) dhe bashkëpunon me qeverinë e vendit të prekur nga fatkeqësia.

Shqipëria po mbulon 8 sektorë, po punon me 60 ekspertë dhe të dhënat janë në proces përpunimi. Zoti Çuçi vazhdon të besojë se së shpejti, (në mes të janarit) do të ketë një info mbi faturën”-tha Ekonomi.

Më herët, qeveria ka deklaruar se do alokojë 13 miliardë lekë nga Buxheti i Shtetit për Programin e Rindërtimit, nga të cilat 7 miliardë lekë janë të ardhura të mbledhura nga donacionet.

Ministri Çuçi në 11 dhjetor dha një faturë paraprake për dëmet nga tërmeti tek institucionet e arsimit, që shkon rreth 3.05 miliardë lekë.

Bazuar në të dhënat zyrtare që “Faktoje” ka marrë nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, tërmeti dëmtoi 54 shkolla në vend, ku 22 prej tyre kanë nevojë për rikonstruksion dhe 32 kanë nevojë të ndërtohen nga fillimi.

Nga ana tjetër Operatori i Shpërndarjes së Energjisë nëpëmjet Drejtuesit të Divizionit të Shpërndarjes, Petraq Lika në një intervistë për Televizionin SCAN ka deklaruar se janë dëmtuar 259 kabina të rrjetit të shpërndarjes së energjisë, riparimi i të cilave do të kushtojë 9.8 milionë euro.

Duke iu rikthyer verifikimit të “Faktoje” për deklaratën e ministrit Bledi Çuçi për publikimin në mes të janarit të faturës së dëmeve të tërmetit të 26 nëntorit, vendosëm ta kategorizojmë “Të Pavërtetë”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img