Qendra e verifikimit të fakteve, Faktoje prezantoi të premten, 7 shkurt, përpara përfaqësuesve të Bashkisë Fier, Këshillit Bashkiak, gazetarëve lokalë dhe shoqërisë civile, gjetjet e raportit mbi “Transparencën dhe mbajtjen e premtimeve”, pas monitorimit të kryer në harkun kohor të një viti mbi punën e kësaj bashkie.
Pjesë e monitorimit për vitin 2024 ishin 10 bashki; Shkodra, Lezha, Elbasani, Korça, Dibra, Durrësi, Vlora, Fieri, Kavaja dhe Saranda.
Monitorimi bazohet në dy elementë kryesorë: niveli i transparencës së pushtetit vendor, si dhe përmbushja e premtimeve elektorale. Nisur nga ky monitorim, transparenca për Bashkinë Fier, matur përmes 16 indikatorëve që derivojnë nga kuadri ligjor vendas, arriti nivelin 68.75% duke u renditur e shtata mes 10 bashkive të monitoruara.
![](https://faktoje.al/wp-content/uploads/2025/02/image-1.png)
Kryetari i bashkisë Fier, Armando Subashi vlerësoi procesin e monitorimit dhe njohu mundësinë që Bashkia Fier të punojë për përmbushjen e atyre indikatorëve që kanë rezultuar të paplotësuar.
“Është e vërtetë që urdhrat dhe vendimet e kryetarit të bashkisë nuk janë publikuar në faqen ëeb të Bashkisë. Ne mundet të angazhohemi dhe të organizohemi që edhe ky detyrim të përmbushet nga Bashkia duke publikuar ato urdhra të cilat kanë interes për qytetarët.” – Armando Subashi, Kryetar i Bashkisë Fier.
Njëkohësisht Subashi njohu mangësinë e pushtetit vendor në Fier për publikimin e njoftimeve të mbledhjeve të Këshillit Bashkiak dhe komisioneve dhe njoftoi synimin që bashkia të investojë në pajisje teknologjike për të rritur transparencën dhe mundësuar publikimet elektronike.
“Sfida e rradhës për ne është që në fund të muajit shkurt ose mars të nisim transmetimin online të mbledhjeve të këshillit. Momentalisht jemi në procesin e përcaktimit të pjesës teknike dhe nevojës për burime njerëzore për ta mundësuar këtë.” – njoftoi Subashi. Sa i përket katër premtimeve elektorale të monitoruara nga qendra Faktoje, Bashkia e Fierit ka përmbushur pjesërisht një prej tyre, ndërsa tre premtime të tjera mbeten të papërmbushura.
![](https://faktoje.al/wp-content/uploads/2025/02/image-2.png)
Kryetari i Bashkisë Armando Subashi njohu faktin se tre premtime kanë mbetur të papërmbushura dhe shprehu synimin që një prej tyre, rehabilitimi i qendrës së Libofshës, të përmbushet Brenda muajit mars.
“Në qendrës e Libofshës punimet kanë rifilluar. Sipas afateve dhe kontratës me FSHZH der inga marsi pritet të përfundojë projekti. Sa i përket tregut të shumicës për produktet bujqësore vlerësum se kostoja e ndërtimit të tregut që mund të shkojë deri në 1 milionë euro, nuk justifikohet për shkak të mungesës së kërkesës. Fieri sot e ka një treg dhe kemi parashikuar që nga pranvera të testojmë përdorimin e tij edhe si treg shumice.” – deklaroi kreu i bashkisë Fier, Armando Subashi.
Sa i përket ndërtimit të rrugës nga Manastiri i Ardenicës deri tek Kisha e Shëngjergjit, kryebashkiaku tha se bashkia e ka një project por mungojne fondet dhe nuk kanë gjetur një mekanizëm financimi deri më tani.
Nga 40 premtime të verifikuara për 10 bashki, vetëm 5 janë mbajtur plotësisht, 14 janë përmbushur pjesërisht, ndërsa 21 premtime nuk janë realizuar. Kjo do të thotë se 52% e premtimeve të monitoruara kanë mbetur të pambajtura.
Prapavijë
2024 ishte viti i pestë që Faktoje monitoroi performancën transparencës dhe mbajtjen e premtimeve në 10 institucione të pushtetit vendor në Shqipëri në kuadër të projektit “40 premtime, 10 bashki”, mbështetur nga National Endoëment for Democracy (NED).
Analiza 5 vjeçare ka treguar se për periudhën 2019-2024, nga 135 premtime të verifikuara nga Faktoje, 76 premtime kanë mbetur të pambajtura, 34 janë përmbushur pjesërisht, dhe vetëm 25 janë realizuar plotësisht.
![](https://faktoje.al/wp-content/uploads/2025/02/image-3.png)
Bashkitë e Shkodrës dhe Lezhës kanë shënuar rezultatet më të mira në vite për përmbushjen e premtimeve, duke rritur gjithashtu nivelin e transparencës dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve.
Ndërkohë, bashkitë e Durrësit, Elbasanit dhe Vlorës mbeten sfiduese në këtë aspekt. Monitorimi ka treguar se kryebashkiakët e këtyre bashkive kanë dështuar në përmbushjen e një numri të konsiderueshëm premtimesh, kryesisht në lidhje me infrastrukturën dhe shërbimet publike.
***
Faktoje është një organizatë e pavarur mediatike që ofron shërbimin e verifikimit të fakteve dhe që është pjesë e International Fact Checking Network (IFCN) si dhe European Fact-checking Network (EFCSN).