ANXHELA RUÇI
Zhvendosja e shqiptarëve larg atdheut për të punuar apo jetuar është kthyer një nga shqetësimet më të mëdha të viteve të fundit në shoqërinë tonë. Shifrat e Institutit të Statistikave flasin për largim masiv dhe sipas tyre, vetëm në vitin 2013-të nga Shqipëria kanë emigruar rreth 50 mijë persona.
Shumë zyrtarë të partive opozitare kanë dhënë shifra alarmante për largimin e shqiptarëve gjatë viteve që Partia Socialiste është në pushtet. Për shembull, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për integrim (LSI) Monika Krymemadhi një vit më parë foli për 450 mijë shqiptarë të larguar nga vendi, për 5 vite të PS-së në pushtet.
Po nga kampi opozitar pati një deklaratë të ngjashme e cila është verifikuar nga “Faktoje”. Orjola Pampuri e Partisë Demokratike tha se në 2018-ën janë larguar 200 mijë shqiptarë. Të dyja deklaratat e sipërpërmendura janë të gënjeshtërta, pasi ish-deputetët e Parlamentit kanë folur për shifra që nuk gjenden në asnjë dokumentacion zyrtar, përveçse në fjalimet e tyre politike.
Duket se në “rrjetën” e shifrave për personat që kanë lënë Shqipërinë ka rënë edhe zv.kryeministri Erion Braçe. I provokuar nga gazetari Adi Krasta nëse shqiptarët e larguar nga viti 2013 deri më sot kapin shifrën e 1 milionëshit, Braçe nuk nguroi të përgjysmonte shifrën e dhënë nga gazetari duke thënë: “Nga 2013 unë besoj që mund të jenë gjysmë milioni njerëz që mund të jenë larguar….”
Pra zv.kryeministri thotë se gjatë viteve që partia e tij ka qenë dhe është në pushtet janë larguar rreth 500 mijë shqiptarë, një shifër alarmante kjo duke patur parasysh popullsinë e Shqipërisë, ku sipas censusit të fundit (2011) popullsia jonë llogaritet të jetë 2.8 milionë. Por çfarë thonë shifrat zyrtare për largimin e shqiptarëve?
Sipas publikimeve të INSTAT, nga 2013-2018 Shqipërinë e kanë “braktisur” rreth 250 mijë persona. Dashje pa dashje zv. kryeministri duke u përpjekur të zbusë shifrën e 1 mlilion shqiptarëve të larguar të dhënë nga gazetari, ka dyfishuar numrin real të tyre. Më shumë se në këtë situatë nuk mund të zinte vend shprehja popullore shqiptare: “Duke u përpjekur të hiqte vetullën, nxorri syrin”.
Nga viti në vit shihet se ka një trend ulës të emigrantëve që lënë Shqipërinë. Politikanët shqiptarë nga të dyja kahet politike përpara se të japin një shifër për shqiptarët e larguar duhet të ballafaqojnë shifrat e tyre me ato zyrtare për të qenë më koherentë dhe të informuar. Ashtu si kolegët e tij politikanë, edhe deklaratën e Erion Braçes për 500 mijë shqiptarë të larguar do ta klasifikojmë si GËNJESHTËR.