.

.

BallinaDeklarataEdi Rama: Në Tiranë këtë vit janë regjistruar 5 vrasje

Edi Rama: Në Tiranë këtë vit janë regjistruar 5 vrasje

ANXHELA RUÇI

Rendi dhe siguria në Tiranë u trondit së fundmi me vrasjen që ndodhi në zonën e ish-bllokut, ku një person mbeti i vrarë me armë zjarri dhe dy të tjerë u plagosën.

Në mbledhjen e grupit parlamentar, kryeministri i vendit Edi Rama gjatë fjalës së tij foli ndër të tjera edhe për statistikat e vrasjeve në vite duke u ndalur edhe në shifrat për kryeqytetin. Për qytetin e Tiranës, Rama thotë se në 2017 janë vrarë 9 persona e ndërsa këtë vit janë 5 të vrarë .

Duke qenë vazhdimisht të informuar për zhvillimet në vend, “Faktoje” nuk u bind nga kjo deklaratë dhe vendosi ta verifikojë. Nga të dhënat që “Faktoje” ka siguruar nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, nga janari deri në shtator të këtij viti janë shënuar 7 vrasje. Nëse llogarisim dhe vrasjen e ndodhur në zonën e ish bllokut, të enjten e datës 4 tetor, numri i vrasjeve vetëm në qytetin e Tiranës ka arritur në 8 persona.

Por nuk janë vetëm shifrat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë që e hedhin poshtë deklaratën e kryeministrit se këtë vit në Tiranë kanë ndodhur vetëm 5 vrasje. Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, qytetari i parë i Tiranës Erion Veliaj ka dhënë të njëjtën shifër për numrin e vrasjeve në Tiranë. Dhe sipas tij, në Tiranë që nga janari deri në shtator të vitit 2018 gjithësej janë shënuar 7 vrasje.

Edhe pse ashtu si ne, por besojmë edhe kryeministri, do të donim që numri i vrasjeve të ishte sa më i ulët,  faktet flasin ndryshe. Fatkeqësisht në kryeqytet nuk janë shënuar 5 vrasje, por deri në datën 4 tetor, janë regjistruar 8 të tilla, pra 3 jetë njerëzish që kreu i qeverisë Rama nuk i numëroi. Zoti Kryeministër, ulja fiktive e vrasjeve nuk e bën Tiranën një qytet më të sigurt, e pavarësisht kësaj, duke iu referuar edhe shifrave zyrtare, deklaratën tuaj do ta klasifikojmë GËNJESHTËR.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img