Vaksinat e Covid-19 nuk kanë përmbajtje grafeni, siç aludohet në postime të shpërndara në rrjetet sociale në vendin tonë. Faktoje verifikoi se postimi është i pasaktë, pjesë e teorive konspirative me qëllim dezinformimin e publikut.

Postime të shpërndara në rrjetet sociale më 25 shtator pretendojnë se vaksinat e Covid-19 përmbajnë grafen dhe sipas këtyre aludimeve, qëllimi i tyre nuk është shërimi i njerëzve.

Kjo është arsyeja pse grafeni, i cili është në vaksinat, është i rëndësishëm për këta satanistë! Nuk bëhet fjalë për shërimin e njerëzve me këto vaksina të modifikuara gjenetikisht, por për t’i kthyer ata në robotë transhumanistë!”-shkruajnë përdorues në rrjetet sociale. Postimi shoqëron një video të një eksperti të supozuar, të quajtur Steve Hotze që pretendon se grafeni është transmetues i valëve të antenave dhe në këtë mënyrë ai mund të përdoret si përcjellës për pajisjet që mund të kontrollojnë njerëzit në distancë.

Postime të shpërndara në rrjetet sociale

Faktoje bëri një verifikim të këtyre pretendimeve, duke iu referuar informacioneve zyrtare që vijnë nga organizmat botërorë. Një verifikim i kryer nga kolegët e “Associated Press” ka paraqitur një sërë provash që dëshmojnë se vaksinat e përdorura kundër Covid-19 nuk kanë përmbajtje grafeni. Ekspertët kimikë dhe mjekësorë konfirmuan për “Associated Press” se nuk ka asnjë mënyrë që oksidi i grafenit të gjendet në vaksina.

“Oksidi i grafenit u përdor vetëm për të studiuar strukturën e vaksinës,” tha Dr. Matthew Laurens, një specialist i sëmundjeve infektive pediatrike dhe studiues në Qendrën për Zhvillimin e Vaksinave të Shkollës së Mjekësisë të Universitetit të Maryland. “Nuk është një përbërës.”

“Nuk është në listën e përbërësve dhe nuk ka asnjë mënyrë që të jetë i pranishëm“, konfirmoi gjithashtu Allen Myerson, një profesor i inxhinierisë kimike në Institutin e Teknologjisë në Massachusetts.

“Absolutisht pa sens” tha Dr. Paul Offit, një ekspert vaksinash në Spitalin e Fëmijëve të Filadelfias, duke iu referuar pretendimeve të ngritura.

Gjithashtu, në faqen e Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, CDC mund të gjejmë çdo informacion përsa i përket vaksinave.

Ndonëse ka shumë aludime, kjo substancë nuk gjendet në vaksina dhe kjo është verifikuar nga Faktoje edhe në artikuj të mëparshëm.

Artikulli paraprakPo, fluturimet ‘low cost’ të Ryanair nisën në 31 tetor  
Artikulli tjetërCeremonia budiste në Tibet keqinterpretohet si kamp refugjatësh palestinezë
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.