BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookI pabazë alarmi i Cakos për përdorimin e antenave 5G për “shfarosjen” e të vaksinuarëve

I pabazë alarmi i Cakos për përdorimin e antenave 5G për “shfarosjen” e të vaksinuarëve

Alarmi i nxitur nga kospiracionisti Alfred Cako për përdorimin e teknologjisë 5G për të dëmtuar të vaksinuarit “gjatë netëve të dimrit”, është një teori e pabazë e konspiracionistëve. Faktoje sjell të dhënat që tregojnë se këto pretendime, për fat të keq të ndara edhe nga mediat, nuk kanë asnjë bazë shkencore.

Në ditët e para të shtatorit, analisti i teorive konspiracioniste Alfred Cako ka “ngritur sërish temperaturat” online duke lëshuar alarmin për përdorimin e antenave 5G për të “shfarosur të vaksinuarit kundër Covid-19”.

Kjo është arma që do palosë shumë te çpuar këtë vit. Tani kjo do të lëshohet në të gjithë botën dhe sidomos natën, në periudha të ndara gjatë gjithë dimrit; pasi të kompjuterizohen numra të përzgjedhur te vraskinave me shpërndarje me përqindje të caktuar sipas zonave, lagjeve të qyteteve dhe adresave që kanë personat e çpuar, do lëshohen frekuenca të larta nga antenat 5G me termostat që do të godasin numrat e përzgjedhur me pllakat me oksid grafeni, të cilat duke u nxehur mbi 45 gradë nga valët do të rritin shpejtësinë e do të çajnë enët e mureve të gjakut në tru, trup, zemër…”-shkruan në postimin e tij në Facebook në 5 shtator Cako.

Postimi i shpërndarë nga Cako

Publikimi i Cakos në Facebook është shpërndarë edhe në portale të ndryshme, duke krijuar panik te qytetarët. Mediat online që e kanë shpërndarë janë: Gazeta Tema, Info.com, CNA.al, Noa.al, Bulevard.al.

Ne vendosëm të bëjmë fillimisht një kërkim në lidhje me vaksinat dhe nëse ato përmbajnë grafeni siç pretendohet në postimin e Cakos.

Në një artikull të publikuar nga kolegët e “Associated Press” janë publikuar prova të mjaftueshme që tregojnë se vaksinat nuk përmbajnë grafen. Ekspertët kimikë dhe mjekësorë konfirmuan për “Associated Press” se nuk ka asnjë mënyrë që oksidi i grafenit të gjendet në vaksina.

“Oksidi i grafenit u përdor vetëm për të studiuar strukturën e vaksinës,” tha Dr. Matthew Laurens, një specialist i sëmundjeve infektive pediatrike dhe studiues në Qendrën për Zhvillimin e Vaksinave të Shkollës së Mjekësisë të Universitetit të Maryland. “Nuk është një përbërës.”

“Nuk është në listën e përbërësve dhe nuk ka asnjë mënyrë që të jetë i pranishëm“, konfirmoi gjithashtu Allen Myerson, një profesor i inxhinierisë kimike në Institutin e Teknologjisë në Massachusetts.

“Absolutisht pa sens” tha Dr. Paul Offit, një ekspert vaksinash në Spitalin e Fëmijëve të Filadelfias, duke iu referuar pretendimeve të ngritura.

Gjithashtu, në faqen e Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, CDC mund të gjejmë çdo informacion përsa i përket vaksinave.

Përsa i përket antenave të teknologjisë hyrëse 5G, grafeni po testohet vitet e fundit që të përdoret si izolues për të ulur temperaturat në pajisjet mobile dhe antena. Kjo pasi teknologjia 5G ofron përdorim të gjerë të spektrit wireless për të siguruar shpejtësi të lartë transmetimi duke rritur temperaturën e pajisjeve. Përdorimi i materialit grafen premton antena me përmasa më të vogla dhe dimensione më të holla, por të afta për të emetuar frekuenca më të larta.

Pavarësisht këtij përdorimi të materialit të grafenit ne teknologjinë 5G, kjo subsancë nuk gjendet në vaksina dhe si rrjedhojë, është e pamundur që të krijohet një lidhje shkak-pasojë në shëndetin e të vaksinuarëve. Kjo nuk është hera e parë që teknologjia e 5G bëhet pjesë e teorive konspirative të pabaza, të cilat janë verifikuar nga Faktoje në një sërë artikujsh.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img