BallinaFaktometerE vërtetëPo, fluturimet ‘low cost’ të Ryanair nisën në 31 tetor  

Po, fluturimet ‘low cost’ të Ryanair nisën në 31 tetor  

Në qershor të këtij viti, në një ceremoni në aeropotin “Nënë Tereza” të Tiranës, kryeministri Rama njoftoi se në vjeshtë do të niste fluturimet kompania me kosto të ulët Ryanair. Në 31 tetor kompania nisi fluturimet e para për 17 destinacione, siç konfirmon edhe Autoriteti i Aviacionit Civil. Ekspertë të turizmit e konsiderojnë pozitiv këtë zhvillim në drejtim të nxitjes së konkurrencës, në favor të udhëtarëve dhe në rritjen e turizmit.

Arta udhëtoi në 1 nëntor nga aeroporti i Tiranës drejt Romës dhe u kthye më 3 nëntor me bileta që i kushtuan gjithsej 30 euro me kompaninë e dytë low cost që nisi aktivitetin këtë vjeshtë në Shqipëri.

Ndërkohë Andi, 29 vjeç vjeç planifikoi udhëtimin me linjë direkte Tiranë-Stockholm në mes të dhjetorit me një kosto 40 euro vajtje-ardhje, sapo nisi operimin kompania e dytë low cost.

Në 8 qershor kryeministri Edi Rama mbajti një fjalim ceremonial në mjediset e Aeroportit “Nënë Tereza” ku njoftoi nisjen e operimit të kompania ajrore më kosto të ulët “Ryanair”, prej vjeshtës.

“…..Ardhja e Ryanair me 18 destinacione nga Tirana nëpër Europë tregon që ne kemi marrë një vulë të rëndësishme e cila vjen pas një përpjekje të gjatë për të ndryshuar katërcipërisht jo vetëm imazhin e Shqipërisë….”-tha ndër të tjera Rama në prani edhe të presidentit të kompanisë Michael O’Leary.

Në 25 tetor kryeministri Rama njoftoi në Facebook:

“Kompania e fluturimeve Ryanair, gati prej 31 tetorit të nisë fluturimet në Shqipëri, pas firmosjes së marrëveshjes disa muaj më parë”.

Postimi i kryeministrit Rama në Facebook

Po atë ditë ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion Autoritetit të Aviacionit Civil për t’u informuar se kur nisnin fluturimet dhe cilat ishin destinacionet e ofruara.

Kërkesa për informacion dërguar Aviacionit Civil

Në përgjigjen zyrtare që ktheu në 26 shtator, Autoriteti i Aviacionit Civil njoftoi se “Ryanair” fillon fluturimet më 31 tetor, me 17 destinacione si: London Stansted; Manchester; Edinburgh; Brussels Charleroi; Prague; Paris Beauvais; Rome Ciampino; Weeze Gjermani; Bergamo; Catania; Pisa; Bologna; Treviso; Krakow; Warsaw Modlin; Bucharest; Stockholm.

Fluturimin e parë nga Aeroporti “Nënë Tereza“ Ryanair e bëri në 31 tetor drejt Romës.

Gjatë një kërkimi online në faqen zyrtare të “Ryanair” vumë re re se gjatë muajit nëntor në destinacionet kryesore ishin rezervuar një pjesë e mirë e biletave, ku shihej se kishin mbetur pak vende të lira për fluturime të caktuara. Çmimet ndryshonin në varësi të destinacioneve apo edhe datave.

Përshembull, në 6 nëntor kërkuam çmimet e biletave për datat 23-27 nëntor dhe çmimet varonin nga 17 deri 43 euro për itinerarin Tiranë – Londër.

Çmimet për fluturimin Tiranë-Londër, nëntor 2023

Interesin e lartë për bileta me kosto të ulët për destinacione në Europës e konfirmoi në një intervistë televizive, CEO i Ryanair Michael O’Leary më 26 tetor.

“70% të vendeve për muajin nëntor janë shitur që tani. Rreth 70% prej tyre janë turistë që vijnë në Tiranë. Ka shumë kërkesë.

Do t’i japim mundësinë njerëzve të udhëtojnë për 15 euro. Mund të shkosh nga Tirana në Bruksel me 15 euro. Mund të shkosh në Romë me 15 euro”- theksoi ai.

Nga një verifikim online të hënën e 6 nëntorit arritëm të gjejmë biletë me 15 euro për destinacionin Tiranë-Londër Stansted për datën 11 dhjetor.

Gjithashtu, në dhjetor kishte bileta me këtë çmim edhe për destinacione si Tiranë-Bolonja.

Biletat për sezonin e festave të fundvitit variojnë nga 14.99 euro për një rrugë, por edhe në mbi 100 euro sidomos për destinacionet drejt Italisë.

Kompania e dytë ‘low cost’ në Shqipëri nxit konkurrencën, në favor të qytetarëve

Kreu i operatorëve turistikë, Besnik Vathi tha për Faktoje se çfarë pritet të sjellë për tregun shqiptar hyrja e një kompanie të dytë ‘low cost’ në vendin tonë.

“Hyrja e vetëm një kompanie ‘low-cost’, zgjerimi në mënyrë të menjëhershme i asaj kompanie la të kuptojë se ky ishte një treg i paeksploruar dhe i vonuar për t’u futur në treg.

Do të shtohet konkurrenca edhe në ‘low-cost’. Do ketë edhe çmime më të lira, sepse duke u futur nëpër të njëjtat destinacione, nuk do të jenë në gjendje më të mbajnë çmime më të larta.

Do të fillojnë të konkurrojnë me njëra-tjetrën dhe në favor të klientit, turistëve shqiptarë që do shkojnë jashtë apo edhe turistit të huaj që do vijë në Shqipëri. Do ndikojnë patjetër edhe në rritjen e fluksit të trafikut ajror, që përkthehet në shtim të vetë rritjes së turizmit në Shqipëri apo edhe shqiptarëve jashtë”, argumentoi Vathi.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img