Policia nuk ka arrestuar ish-deputetin e PD, Bardh Spahinë. Video që po qarkullon është nga viti 2019, dhe tregon Spahinë duke u nxjerrë nga policia jashtë Spitalit të Traumës në Tiranë.

——————————————–

Video e shoqërimit të ish-deputetit të Partisë Demokratike Bardh Spahia nga policia është postuar nga faqja Kolibri.al në 17 shkurt 2024, shoqëruar me përshkrimin: “Policia “plas” në qeli Bardh Spahinë, pse vallë?”

Video e mësipërme është parë mbi 900 mijë herë, dhe ka marrë mbi 5 mijë pëlqime.

Me anë të motorit të kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, Faktoje zbuloi se video e mësipërme tregon një incident të Qershorit 2019.

Pas protestës së mbajtur më 2 qershor 2019 në Tiranë nga opozita, mbetën të plagosur një numër oficerësh policie dhe protestuesish.

Incidenti që tregohet në videon e mësipërme ndodhi më 3 qershor, kur ish-deputeti Spahia dhe Ministri i Brendshëm asokohe Sandër Lleshaj u përplasën në Spitalin e Traumës, ku gjendeshin për të vizituar, respektivisht, protestuesit dhe policët e plagosur.

Spahia u shoqërua nga policia jashtë sallës. 

Kështu, postimi i mësipërm riciklon një video të vjetër, duke e risjellë si një incident të kohëve të fundit, pak ditë përpara se të mbahet protesta e lajmëruar e opozitës më 20 shkurt 2024.

Më tej, edhe përshkrimi me të cilin e shoqëron videon e ricikluar është i pasaktë. Bardh Spahia nuk u “plas në qeli”, por u shoqërua jashtë Spitalit. Nga ky incident nuk rezultoi ndonjë arrestim.