Vaksinat nuk prodhohen nga copëzat e fetuseve të gjallë. Disa vaksina zhvillohen me anë të qelizave fetale, të cilat janë rritur në laborator nga qeliza fetale të marra nga dy fetuse të abortuar në fillim të viteve 1960.

———————————————-

Në rrathët anti-vaksinë po qarkullon pretendimi se “vaksinat përmbajnë copëza të fetusit të abortuar të gjallë.” 

Personi në video përshkruhet si “farmacisti nano-pathollog” Stefano Montanari. Një kërkim i thjeshtë në internet na tregon se Montanari njihet kryesisht për qëndrimet e tij anti-vaksinë dhe konspiracioniste. 

Në 2020, shkencëtarët e shoqatës Pakti Transversal për Shkencën, një shoqatë përkushtuar “mbrojtjes së kulturës së shkencës, progresit të saj dhe metodës shkencore” e paditën Montanarin për përhapjen e keqinformimit lidhur me pandeminë Covid-19.

Në video, Montanari pretendon se në klinikat e organizatës amerikane jo-fitimprurëse Planned Parenthood fetuset e abortuar “copëzohen të gjallë” dhe indet e tyre përdoren për prodhimin e vaksinave.

Planned Parenthood (Prindërim i Planifikuar) është një organizatë amerikane e themeluar në 1916, e cila për dekada ka mbështetur legjislacion që mbron të drejtën e grave për të abortuar në ShBA, si dhe ka promovuar edukimin seksual, sidomos lidhur me kontraceptivët dhe planifikimin familiar. 

Sipas Montanarit, Planned Parenthood paguan gratë për të abortuar dhe “fetuset e gjallë priten pa anestezi, sepse anestezia mund ta shkatërrojë këtë fetus.”

Kjo narrativë keqinformuese kundër Planned Parenthood e ka origjinën në 2015, kur organizata amerikane anti-abort CMP shpërndau disa video “kompromentuese” ku pretendonte se tregohej se Planned Parenthood shiste fetuset. 

Pas këtij pretendimi, Komisioni i Energjisë dhe Tregtisë i parlamentit amerikan urdhëroi hetimin e akuzave ndaj Planned Parenthood, një hetim që i kushtoi taksapaguesve amerikanë 1,59 milionë dollarë.

Komisioni i Mbikëqyrjes dhe Reformës në parlamentin amerikan shpjegon në faqen e tij online se organizata merr “rimbursim të arsyeshëm për shërbimet e dhurimeve të indeve, siç lejohet shprehimisht nga ligji.” Më tej, vetëm një nga 59 klinikat e Planned Parenthood rimbursohet për shpenzimet me $60 për kampion për dhurimin e indeve.

Kjo narrativë keqinformuese solli një valë kërcënimesh me jetë dhe vandalizmi ndaj Planned Parenthood dhe punonjësve të tyre. Për më tepër, më 27 nëntor 2015, 57-vjeçari Robert Lewis Dear Jr. hapi zjarr brenda një klinike të Planned Parenthood në Colorado Springs, duke vrarë 3 persona dhe duke plagosur 9 të tjerë. Justifikimi i tij ishte “boll copëtuat bebet”.

Sa i përket pretendimit se copëzat e bebeve që do shpëtonte Dear Jr. përdoren për prodhimin e vaksinave, ai është gjithashtu i rremë. 

Megjithëse një sërë vaksinash prodhohen duke zhvilluar viruse në qeliza fetale embrionike, këto qeliza e kanë prejardhjen nga 2 fetuse të abortuar në fillim të viteve 1960. Të njejtat qeliza kanë vijuar të rriten në laboratore dhe përdoren ende për të bërë vaksina.

Qelizat fetale u përdorën fillimisht në zhvillimn e vaksinave sepse viruset rriten më mirë në qeliza njerëzore sesa shtazore. Qelizat fetale nuk ndahen aq shpejt sa llojet e tjera të qelizave, dhe kështu mund të përdoren për më gjatë.

Industria e zhvillimit të vaksinave përdor qeliza fetale nga dy fetuse të abortuar në vitet ‘60. Këto qeliza vijojnë të riprodhohen në laboratorë dhe madje mund të blihen nga kushdo, vetëm me një kilk.

Kështu, shkencëtarët nuk kanë nevojë të torturojnë fetuse të blerë nga Planned Parenthood për të zhvilluar vaksinat.