BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookTitull i rremë për zbulimin e autorëve të sulmit ndaj Top Channel

Titull i rremë për zbulimin e autorëve të sulmit ndaj Top Channel

Një artikull i publikuar dy ditë pas sulmit me armë ndaj Top Channel pretendon në titull se policia ka arritur të identifikojë një prej autorëve të ngjarjes. Verifikimet tregojnë se bëhet fjalë për një titull bombastik për të fituar klikime, ndërkohë që policia ende nuk ka rënë në gjurmë të autorëve.

“Person me rrezikshmëri shumë të lartë” Kujt i përkasin shenjat e gishtave që u gjetën nga hetimet për sulmin ndaj Top Channel, detaje…”, me këtë titull portali Shqiptari.net pretendon se policia ka arritur të identifikojë të paktën një nga personat që sulmuan “Top Channel” mesnatën e 27 marsit nga ku mbeti i vrarë roja i sigurisë Pal Kola.

Artikulli është lexuar nga mbi 4 mijë përdorues dhe është shpërndarë nga qindra të tjerë. Por në brendësi të tij nuk ka asnjë të dhënë mbi personin me rrezikshmëri të lartë që pretendohej se policia ka arritur ta gjejë nga shenjat e gishtave.

Ky është rasti tipik kur portalet kërkojnë të fitojnë klikime duke shfrytëzuar ngjarje të caktuara që kanë interes për publikun, përmes titujve bombastikë të cilët ‘peshkojnë’ lexuesit.

Screenshot nga portali Shqiptari.net

“Burimet thonë se hetuesit kanë tre profile të sakta ADN-je si dhe një nga gëzhojat. Edhe në një pjesë të makinës është gjetur një shenjë e plotë gishti që i përket një personi me rrezikshmëri shumë të lartë.” – shkruhet ndër të tjera në brendësi të lajmit që citon burime, por pa dhënë asnjë informacion lidhur me identitetin e autorëve të sulmit terrorist ndaj medias kombëtare Top Channel.

Edhe në faqen zyrtare të Top Channel, në kronikën e fundit lidhur me sulmin, ngrihet si shqetësim fakti që sulmi ka mbetur ende i pazbardhur.

“Sulmi terrorist, ende i pazbardhur! Policia nuk ka rënë ende në gjurmë të autorëve që goditën Top Channel”.

“Top Channel” njofton gjithashtu se i ka dërguar një kërkesë policisë së shtetit për t’u informuar mbi hetimet lidhur me ngjarjen, por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi nuk ka marrë ende përgjigje.

  • Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dezinformimin

Fotografia kryesore e marrë nga webi.

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img