BallinaFaktometerE PavërtetëNdërtime pranë monumenteve të kulturës? Veliajn e përgënjeshtron vetë Bashkia e Tiranës: Dha 5 leje ndërtimi në tre vite

Ndërtime pranë monumenteve të kulturës? Veliajn e përgënjeshtron vetë Bashkia e Tiranës: Dha 5 leje ndërtimi në tre vite

 

Në Tiranë janë bërë ndërtime në zonat e shpallura monumente kulture, ndryshe nga çfarë deklaron kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj. Konfirmimi zyrtar vjen nga vetë insititucioni i bashkisë, duke rrëzuar pretendimin se në 8 vite nuk është dhënë asnjë leje ndërtimi në këto hapësira. Nga viti 2018 deri në 2020-n me urdhër të Veliajt rezultojnë 5 leje ndërtimi në zonat shpallura monument kulture. Arkitektët theksojnë se po veprohet me hipokrizi, sepse në terminologji u qëndrohet besnikë kartave dhe konventave, por cedohet në zbatueshmëri dhe metodologji të këtyre parimeve. Ndërkohë qytetarët shprehin shqetësimin se Tirana po humb identitetin.

Më 5 shkurt të këtij viti, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj deklaroi, se në 8 vite nuk ishte dhënë asnjë leje ndërtimi në zonat që janë shpallur monumente kulture.

“Në 8 vite, nuk kemi dhënë asnjë leje ndërtimi në hapësirat që janë shpallur monumente kulture”, theksoi kryebashkiaku Veliaj gjatë një interviste televizive.

Nisur nga kjo deklaratë, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë së Tiranës, ku e pyetëm nëse janë dhënë leje ndërtimi në vitet 2015-2023 në zonat e shpallura monumente kulture dhe nëse ka pasur ndërtime gjatë kësaj periudhe kohore në këto zona.

Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Tiranë, 6 shkurt 2023

Ne morëm një përgjigje për këtë çështje nga Bashkia në datën 9 mars, gati një muaj më vonë dhe vetëm pas ankimimit te Komisioneri për të Drejtën e Informimit. Zyrtarisht Bashkia e Tiranës pranon se ka pasur ndërtime pranë zonave të shpallura monumente kulture. Ky institucion liston edhe disa nga objektet e ndërtuara në këto zona.

“Në përgjigje të shkresës tuaj, me anë të së cilës kërkoni informacion për lejet e ndërtimit të miratuara gjatë viteve 2015-2023 pranë zonave apo në zonat e shpallura monument kulture, ju sqarojmë se në afërsi të zonës së shpallur ‘Qendra Historike e Tiranës’, janë miratuar lejet e ndërtimit, me vendim të Kryetarit të Bashkisë Tiranë, si më poshtë vijon:

1.  Nr. X-27570/7, datë 02.02.2019, për ‘Godinë polifunksionale ‘Eyes of Tirana’ 6, 8, 9, 13, 18 dhe 24 kat, me 4 kat nëntokë, (Faza 1) në kryqëzimin e rrugës së ‘Kavajës’ dhe rrugës së ‘Durrësit’, bazuar Lejen e Zhvillimit të miratuar me Vendimin nr. 11, datë 12.12.2017 të Këshillit Kombëtar të Territorit.

 2.  Nr. A-29978/7, datë 18.03.2019 për Miratimin e lejes së ndërtimit për objektin ‘Zgjerimi i kapaciteteve akomoduese e shërbimeve të Hotel Tirana International, me shtesë anësore dhe kullë me destinacion hotel dhe qendër shërbimesh turistike’, në rrugën ‘Urani Pano’, Njësia Administrative nr. 9, Tiranë”, sqaron Bashkia e Tiranës.

Gjithashtu, pjesë e listës, sipas përgjigjes zyrtare janë:

“3.Nr. S-20284, datë 26.01.2020 për Miratimin e lejes së ndërtimit për ‘Godinë banimi dhe shërbime ‘Tirana’s Rock’, 25 kat me 5 kat parkim nëntokë, në rrugën e ‘Dibrës’.

4. Nr. I-24484/5, datë 05.12.2018 për Miratimin e lejes së ndërtimit për ‘Godinë polifunksionale (hoteleri, shërbim dhe banim) 4, 5, 9, 11 dhe 21 kat, me 3 kat nëntokë, në rrugën ‘28 Nëntori’ dhe ‘Abdi Toptani’, njësia strukturore TR/1.

 5.  Nr. A-12705/6, datë 22.08.2018 për Miratimin e lejes së ndërtimit për objektin ‘Godinë banimi dhe shërbime 2 deri 13 kat, me 4 kat parkim dhe shërbime nëntokë’, Rruga ‘Myslym Shyri’ (Bulevardi ‘Zhanë D’Ark’) Njësia Administrative nr. 2, në pronë të Enklajd Malo, Hauard Malo, Migena Malo, Miranda Malo dhe Perla Malo, me zhvillues Shoqëria ‘MET INVEST’ sh.p.k. dhe me subjekt ndërtues Shoqëria ‘ALBANIA INVESTMENT CONSTRUCTION (A.I.C)’ sh.p.k”.

Pra, ndryshe nga çfarë deklaron kryebashkiaku Veliaj, institucioni pranon që ka pasur ndërtime në zonat monument kulture.

Përgjigjia e Bashkisë Tiranë pas ankimimit, 9 mars 2023

Ndërtimet në Tiranë në “syrin” e ekspertëve

E pyetur nga Faktoje në lidhje me ndërtimet pranë zonave të shpallura monument kulture, arkitektja Doriana Musai renditi disa problematika të ndërtimeve në kryeqytet.

“Në aspektin fizik, ndërtimi që është zhvilluar në Tiranë, e gjithë metodologjia që është përdorur në zhvillimin e strukturave ekzistuese në qytetit nëpërmjet parimit të shkatërrimit dhe rindërtimit, por edhe zënies se hapësirave, apo edhe shtesave që janë bërë në  objektet ekzistuese, nuk kanë marrë parasysh aspektin kulturor të hapësirave të qytetit, pra aspektin fizik, i cili mbart edhe vlera kulturore.

Kjo për faktin se edhe ligji për trashëgiminë kulturore si ai i 2003 dhe ky që kemi aktualisht i 2018, e injoron aspektin urban si vlerë e shtuar e objektit në momentin që ai shpallet monument kulture”, thekson ekspertja.

Musai shprehet se për fat të keq në vendin tonë nuk vlerësohet rëndësia e objekteve kulturore, por ato trajtohen si ndërtime të thjeshta.

“Po shohim se edhe pse ka një ligj në fakt, zhvillimi po ndodh. Kjo ndodh për faktin se ligjet tona kanë hapësira, që u lënë vend për interpretim vendimarrësve, të cilët më pas e përdorin apo deformojnë apo edhe e përkulin ligjin, në mënyrë që të zhvillojnë sipas interesave politike, private apo ekonomike në këtë rast.

Ndërsa në rastin e monumentit të kulturës, ku bëhet fjalë vetëm për një objekt, ne nuk trajtojmë hapësirat rreth e qark objektit. Objekti fatkeqësisht vazhdon prej shumë e shumë dekadash që të trajtohet thjesht si një objekt arkitektonik, pra ku shihet vetëm si vepër ndërtimtarie. Kur themi monumente kulture është shumë më e madhe se thjesht një objekt arkitektonik, ndërsa ne i vlerësojmë thjesht si objekte arkitektonike, edhe pse i konsiderojmë monumente kulture.

Ka një hipokrizi këtu në mes, e cila na kushton shumë, sepse në terminologji jemi shumë të gjerë, i përafrohemi kartave dhe konventave, por në zbatueshmëri dhe metodologji të këtyre parimeve jemi më të ngurtë”, sqaron arkitektja Musai.

Shqetësimi i qytetarëve

Qytetarët shprehen se këto ndërtime po i humbasin identitetin Tiranës. Ina, një 35-vjeçare që jeton në kryeqytet shprehet: “Stili i Tiranës nuk janë godinat mbi 20 kate, sepse si çdo qytet në Europë janë të ndara me lagje dhe zona të ndryshme. Nuk kemi një zonë që të thuash përshembull është zona historike e Tiranës dhe zona e re moderne që të paktën të justifikonte ndërtimin.

Ndërtimet në zonat e shpallura Monument Kulture, Tiranë 27 mars 2023

“Ndërtimet sot janë të gjitha pa asnjë plan dhe gjithë stili i Tiranës që ka qenë njëherë e një kohë nuk ekziston. Pse të mos bëheshin parqe në vend të këtyre godinave? Çfarë vlere i shton Tiranës? Ka humbur komplet autenticiteti i saj. Xhamia e Tiranës, i vetmi monument historik ka humbur mes pallate dhe dikush që do ta kërkojë mezi e gjen. Për të mos llogaritur pastaj lëvizjen e njerëzve dhe trafikun e ngarkuar. Tiranës i duhet se s’bën të paktën një metro‘ që të reduktojë këtë gjë. Gjithashtu, për cilët konsumatorë janë duke u ndërtuar këto godina me çmime jashtë çdo niveli të realitetit shqiptar?!“-thotë Ina.

Ndërtimet në Tiranë, 27 mars 2023

Një tjetër qytetare e Tiranës, Era thekson se këto ndërtime duket sikur po i “zënë frymën”.

“Më shqetësojnë shumë kur kaloj rrugës, se ka rrezik të na bjerë ndonjë gjë në kokë. Na zënë frymën kur ngremë kokën. Problemi kryesor është levizja e automjeteve në momentet që do bëhen funksionale si ndërtesa”, shprehet 29-vjeçarja.

Ndërtimet në zonat Monument Kulture në Tiranë, 27 mars 2023

Ndërtimet në Tiranë, 27 mars 2023

Nisur nga verifikimi i kryer, deklaratën e kryebashkiakut të Tiranës Veliaj se nuk janë dhënë leje ndërtimi në zonat e shpallura monument kulture, do ta kategorizojmë të Pavërtetë.

Ky shkrim u publikua në kuadër të projektit “Nxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartë” mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) dhe zbatuar nga Faktoje.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img