Në rrjete sociale po qarkullon një video që pretendohet se tregon një helikopter izraelit duke qëlluar civilë në festivalin Nova në Izrael më 7 tetor. Verifikimi i Faktoje zbuloi se video nuk tregon vendndodhjen e festivalit, por një operacion pranë gardhit kufitar në Gaza.

——————————————

Video me pamje ajrore natën nga një helikopter ushtarak që sulmon njerëz në tokë po qarkullon në rrjet me pretendimin se tregon se ushtria izraelite ka bombarduar qytetarët izraelitë, të cilët po largoheshin nga festivali Nova.

Me anë të motorit të kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, Faktoje zbuloi se pamjet e mësipërme janë postuar fillimisht në Twitter, si pjesë e një video më të gjatë, më 9 tetor 2023, nga llogaria zyrtare e ushtrsë izraelite.

Video shoqërohet me përshkrimin në hebraisht: “Përgjatë ditës së kaluar, avionët e Forcave Ajrore kanë qenë duke kryer sulme të gjerësishme përgjatë gjatësisë dhe gjerësisë së Rripit të Gazës, duke bërë kërdinë mbi terroristët e Hamas. Vetëm në tre orët e fundit, rreth 130 shënjestra u sulmuan duke përdorur dhjetëra avionë. Përqendrimi i sulmit: Beit Hanon, Sajaya, Al Furkan dhe Rimal”

Dy ditë pas sulmit terrorist nga Hamas në festivalin Nova, ky postim duket si një shfaqje force nga ushtria izraelite. Megjithatë, edhe në këtë vrull, vështirë të besohet se vetë ushtria e Izraelit do të postonte në Twitter prova të dështimit të tyre.

Për më tepër, video e mësipërme është xhiruar natën, ndërsa sulmi i 7 tetorit në festivalin Nova nisi në mëngjes. Kështu, është e pamundur që personat e shënjestruar në video të jenë duke u arratisur nga sulmi në festival.

GeoConfirmed, një organizatë vullnetarësh e specializuar në gjetjen e vendndodhjeve të videove në konflikte, analizoi pamjet dhe arriti ta lokalizojë videon si pranë gardhit kufitar në Gaza. Gardhi në fjalë mund të duket në video.

Ndërkohë, festivali Nova u mbajt në Kibbutz Re’im, 4.8 km larg gardhit kufitar.

Si rrjedhim, pretendimi se video e mësipërme tregon helikopterët e ushtrisë izraelite duke sulmuar njerëzit që po arratisen nga festivali Nova është i pavërtetë.