Fshati turistik Funar i Elbasanit mbetet i arritshëm vetëm me anë të rrugës së vjetër, ende të pa vënë dorë. Kryebashkiaku Gledjan Llatja premtoi nisjen e punimeve për rregullimin e kësaj rruge brenda vitit. Megjithatë, Faktoje verifikoi se projekti për rimëkëmbjen e saj ende nuk ka nisur procedurat e prokurimit.

—————————————————

Gjatë fushatës zgjedhore të këtij viti, kryebashkiaku i Elbasanit, Gledjan Llatja, i cili kandidonte për mandatin e tij të dytë, premtoi rimëkëmbjen e rrugës së Funarit, fshatit turistik 22 km larg Elbasanit.

Në 6 maj 2023, gjatë një takimi elektoral, kryebashkiaku Llatja u premtoi banorëve të Funarit se “këtë vit do të rregullojmë pjesën e parë të rrugës ekzistuese,” ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri, premtoi mbështetjen e qeverisjes qendrore, specifikisht kryeministrit Rama, me “4-fish më shumë investime.”

Duke qenë se Llatja është në krye të Bashkisë Elbasan që në vitin 2019, Faktoje vendosi t’i drejtohej me një kërkesë për informacion Bashkisë për t’u interesuar për statusin e rindërtimit të kësaj rruge, të premtuar në Maj nga Llatja.

përgjigjen e tyre, Bashkia na bëri me dije se segmenti i cili planifikohet të rindërtohet, Letani – Bixëllenjë, do të kushtojë rreth 38 milionë lekë. 

Megjithatë, punimet për rindërtimin e tij ende nuk kanë filluar. 

Sipas Bashkisë, zbatimi i projektit do të fillojë zbatimin pas përfundimit të procedurës së prokurimit, “e cila ka filluar.” 

Çuditërisht, në po të njejtën përgjigje të Bashkisë, ajo bie në kundërshti me veten duke na thënë se punimet “pritet të fillojnë sapo të mbarojnë procedurat e prokurimit, të cilat pritet të fillojnë së shpejti.”

Kështu, përpos premtimit të kryebashkiakut Llatja, Bashkia Elbasan duket se ende nuk e di kur do të nisin, jo vetëm punimet për rindërtimin e rrugës së Funarit, por as procedura e prokurimit që u paraprin atyre.

Nga verifikimi në terren në fund të tetorit 2023, Faktoje konfirmoi se rruga e Funarit e ndërtuar gati 10 vite më parë, mbetet e paprekur nga Bashkia. Megjithatë, koha dhe kushtet atmosferike kanë lënë gjurmën e tyre në këtë rrugë, duke sjellë vështirësi në kalimin e saj.

Rruga e Funarit, Elbasan, 24 tetor 2023

Rruga e Funarit, Elbasan, 24 tetor 2023

Rruga e Funarit, Elbasan, 24 tetor 2023

Rruga e Funarit, Elbasan, 24 tetor 2023

Në pjesën e parë të rrugës, të cilën kryebashkiaku Llatja premtoi se do të rregullohej këtë vit, evidentuam rrëshkitje dheu. Pasi ecëm deri në një pikë, rruga me asfalt mbaroi për t’i lënë vendin një shtegu me zhavorr. 

Në kushtet në të cilat e gjetëm rrugën, ishte e pamundur për të arritur në Funar me makinë. Ndoshta me parashutë do të ishte më i arritshëm.

Edhe në faqen zyrtare të bashkisë Elbasan Funari promovohet si një perlë turistike e pazbuluar me 4 liqene dhe 7 fshatra në administrim. Por nga verifikimi në terren, rruga për në Funar nuk ka nisur të rikonstruktohet

Në këto rrethana, premtimin e kryebashkiakut të Elbasanit, Gledjan Llatja, për nisjen e rikonstruksionit të rrugës së Funarit gjatë këtij viti do ta kategorizojmë të Pambajtur.