Pretendimi: Agjenda 21 e OKB synon të krijojë një rend të ri botëror duke marrë pronën private

Vlerësimi: E pavërtetë

—————————————–

Vjolanda Peca

Prej disa kohësh në rrjete sociale qarkullon një foto në të cilën janë listuar objektivat që Organizata e Kombeve të  Bashkuara do të ndjekë përgjatë 15 vjeçarit 2015-2030 për të krijuar një “Rend të ri botëror. Ky pretendim ka ekzistuar prej vitesh në rrjete sociale, por një postim në 10 maj 2020, u bë viral menjëherë.

Në postim, bashkëngjitur me një foto, thuhej: “Nuk është teori konspirative. Mjafton me një kërkim të shpejtë në faqen e internetit të OKB mund t’i lexoni vetë objektivat e Agjenda 21”. 

Autori i postimit ka krijuar një listë të objektivave të OKB, që sipas tij ka si qëllim të krijojë; një qeveri botërore, një Bankë Qendrore Botërore, një ushtri botërore, fundin e të gjithë pronave private etj  dhe kjo është në mospërputhje më atë ç’ka Agjenda 21 duhet të përfaqësojë.

E njëjta foto është ndarë së fundi edhe nga një profil shqiptar në Facebook.

Ky pretendim që sugjeron se Agjenda 21 e OKB-së dhe Agjenda 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm do të krijojnë “një qeveri botërore” është hedhur poshtë nga ekspertët dhe vlerësohet si i rremë sepse nuk mbështetet nga kërkimi i rezolutës. Një përfaqësues nga OKB tha se Agjenda e shpërndarë nëpër rrjete sociale nuk është një dokument i vërtetë agjencie.

Kombet e Bashkuara e kundërshtojnë këtë teori konspirative duke na treguar që Agjenda 21 është dokument planifikimi krejtësisht i arsyeshëm, i cili ka si qëllim sigurimin e të drejtave dhe mirëqenien e të gjithëve në një planet të shëndetshëm dhe të lulëzuar.

Çfarë është Agjenda 21 dhe cilat janë objektivat e saj?

Agjenda 21 është një rezolutë e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB në përfundim të Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Mjedisin dhe Zhvillimin e 3-14 qershorit 1992 në Rio de Zhaneiro, Brazil.

Mbi 178 udhëheqës të kombeve që përfaqësojnë 98% të popullsisë së botës dakordësuan dhe nënshkruan agjendën e zhvillimit të qëndrueshëm, apo Agjenda 21. Në atë kohë, ai shihej si një dokument planifikimi krejtësisht i arsyeshëm, që synonte trajtimin e qëndrueshmërisë në një planet gjithnjë e më të mbushur me njerëz.

Pas 23 viteve, udhëheqësit botërorë u mblodhën në vitin 2015 dhe bënë një premtim historik për të siguruar të drejtat dhe mirëqenien e të gjithëve në një planet të shëndetshëm dhe të lulëzuar, kur miratuan Axhendën 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe 17 Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm. Një ndër sfidat më të mëdha të axhendës është zhdukja e varfërisë, sidomos asaj ekstreme.

Agjenda përfshin 31 pika që trajtonin dimensionet sociale dhe ekonomike globale; ruajtjen dhe menaxhimin e burimeve; forcimi i rolit për gratë, fëmijët dhe punëtorët, si dhe metodat e propozuara të zbatimit.

Në Axhendën 2030 termat si; “një botë”, “monedhë”, “ushtarake”, “njësi familjare”, “5G”, “transport privat”, “udhëtim ajror” dhe “droga sintetike” nuk përmenden megjithëse janë renditur në listën e “rendin e ri botëror”.

Daniela Gross, një zëdhënëse e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, i tha USA TODAY në një email se pretendimi është tërësisht i sajuar.

“Jo, kjo është e rreme. Ky nuk është një dokument i vërtetë i OKB-së,” shkroi Gross.

Kush është kundër kësaj rezolute?

Kjo rezolutë, fill pas miratimit të saj është përballur me kritikë dhe skeptike. Vitet e fundit grupime si John Birch Society, kanë sulmuar këtë zotim ndërkombëtar si një komplot të fshehtë për të imponuar një qeveri totalitare botërore, një përpjekje për të shtypur lirinë në emrin e ambientalizmit. Dhe nuk janë vetëm ekstremistët që e shtyjnë këtë teori konspirative – në janar 2012, Komiteti Kombëtar Republikan pranoi propagandën, duke denoncuar Axhendën 21 në një rezolutë si një “skemë shkatërruese dhe tinëzare” që synon të imponojë një “rishpërndarje socialiste/komuniste” të pasurisë.”

Ka referenca për të drejtat e barabarta dhe aksesin në tokë dhe forma të tjera të pronës për burrat dhe gratë e varfër dhe të pambrojtur, sovranitetin e plotë dhe të përhershëm mbi burimet natyrore dhe ekonomike për shtetet individuale dhe mbulimin universal shëndetësor për të përfshirë vaksina të përballueshme për të gjithë. Megjithatë, Agjenda e vitit 2030 nuk përmend sovranitetin global mbi këto pika, siç thuhet në pastimet e fundit në rrjet.