BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookKujdes nga këshilla për pirjen e vajgurit si trajtim për veshkat

Kujdes nga këshilla për pirjen e vajgurit si trajtim për veshkat

Pretendimi: Pirja e vajgurit ndihmon në kurimin e problemeve me veshkat dhe sëmundje të tjera

Vlerësimi: Mungon konteksti

Nuk ka asnjë studim shkencor që provon se pirja e vajgurit mund të trajtojë problemet e veshkave, siç pretendohet në postime të shpërndara në rrjetet sociale në vendin tonë. Verifikimet tregojnë se përkundrazi, pirja e vajgurit mund të rrezikojë jetën. 

Një video e shpërndarë në rrjetet sociale në vendin tonë tregon një grua të moshuar, e cila pretendon se është shëruar duke pirë vajguri. “Nëna 111-vjeçare dëshmon se është kuruar me vajguri”- është ky mbishkrimi që shoqëron videon. Ky postim ka marrë mbi 149 mijë shikime në rrjetin Facebook në vetëm 3 ditët e para të publikimit të tij. 

Më tej në video dëgjohet një burrë që thotë: “E ka pirë vajgurin kur ka pasur krizë veshkash, për 3 ditë nga 50 gramë”. Postimi është ndarë nga një profill që reklamon shitjen e produktit të kerozinës apo vajgurit të distiluar, si një mënyrë kurimi për shumë sëmundje.

Postimet e shpërndara online

Në një kërkim të bërë online, nuk ka asnjë informacion të besueshëm apo studim shkencor që provon se vajguri kuron problemet me veshkat, siç pretendohet në këtë postim.

Përkundrazi, studimet kanë treguar se ekspozimi akut ndaj vajgurit tek njerëzit është shoqëruar me një sërë efektesh, duke përfshirë nervozizëm, shqetësim, ataksi, përgjumje, konvulsione, koma dhe deri në vdekje.

Ndërkohë, sipas Qendrës amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) pirja e vajgurit mund të shkaktojë të vjella, diarre, enjtje të stomakut, kollitje, përgjumje, shqetësim, nervozizëm dhe humbje ndjenjash.

Për më tepër ata që pinë vajguri mund të hasin vështirësi ose dhimbje në frymëmarrje. Kolla, pneumonia, vështirësi apo dhimbja në frymëmarrje pas pirjes së vajgurit janë tregues që vajguri ka hyrë në mushkëri.

Nëse vajguri prek lëkurën për periudha të shkurtra, mund ta shkaktojë skuqje, kruarje, apo plagë. Ndonjëherë mund të shfaqen flluska ose rrjepje lëkure. Ka patur disa raste të evidentuara të fëmijëve që janë helmuar nga pirja aksidentale e vajgurit.

I kontaktuar më herët nga Faktoje në lidhje me efektet e vajgurit, Prof.Dr. Zihni Sulaj theksoi se: “Nuk ka prova të bazuara në evidencë klinike që vajguri mund të përdoret në praktikën klinike moderne”.

Mjekët specialistë kanë ngritur alarmin herë pas here mbi rrezikun e kurave që vijnë nga inteneti, duke përmendur edhe atë të “vajgurit çudibërës”.

Në një tjetër artikull, Faktoje ka hedhur poshtë informacionet që kanë qarkulluar online, se vajguri shërben si kurë për kancerin.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img