.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookE keqintepretuar harta e Kosovës në zyrën e raportuesit europian Lajçak

E keqintepretuar harta e Kosovës në zyrën e raportuesit europian Lajçak

Një fotografi që po qarkullon së fundi në rrjet ka ngritur pretendimin se në zyrën e raportuesit europian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak është varur në mur një hartë ku mungon kufiri mes Kosovës dhe Serbisë. Vërtetimi i “Faktoje” tregon se ky informacion është i pavërtetë.

Jona Plumbi

Një imazh i shpërndarë në rrjet ku duket raportuesi i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak në zyrën e tij, me në sfond një hartë ku kufiri mes kosovës dhe Serbisë nuk duket, po përdorur si provë e njëanshmërisë së tij në procesin e ndërmjetësimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve të Ballkanit.

Ky person, sllovak, që në zyrën e tij mban këtë hartë nuk ka asnjë mundësi të bëjë ndërmjetës  mes Serbisë së Madhe dhe diçkaje që nuk ekziston. Ka ardhur koha që shtetet e BE-së t’i vënë gishtin kokës. Ky e mban flamurin e Evropës kot, sepse është pro-rus i betuar.”shkruhet në një nga shpërndarjet e këtij imazhi në 17 qershor 2023.

Nisur nga ky pretendim “Faktoje” bëri një verifikim për çështjen, e cila ngjalli debat në rrjet.

Imazhi është publikuar për herë të parë në 20 shkurt 2021 nga vetë Miroslav Lajçak, i cili njoftonte një diskutim me drejtuesen e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal të BE-së, Majlinda Bregu, për një bashkëpunim më të madh të rajonit dhe aspiratave europiane të tij.

Fotografia tregon raportuesin europian për dialogun Kosovë – Serbi, me një hartë të rajonit të Ballkanit, ku kufiri mes shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë nuk duket qartë.

E njëjta hartë u shfaq edhe në intervistën që Lajçak dha për European Western Balkans në 20 shkurt të dy viteve më parë.

*imazh i shkëputur nga intervistë e Lajçak për EWB në 20 shkurt 2021.

Kjo pamje, ku Kosova nga larg duket si të jetë pjesë e territorit të Serbisë, nxiti pakënaqësi në rrjet.

Fotografia u shpërnda gjerësisht duke shkaktuar debat lidhur me ekzistencën apo jo të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë në hartën që ndodhet në zyrën e Lajçak.

Reagimet qenë të shumta. Ndër to edhe ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj shpërndau në Twitter një mesazh ku i sugjerontë Lajçakut të përdorte një hartë të saktë.

Peter Stano, zëdhënësi i BE-së për punët e jashtme e quajti pretendimin e ngritur për hartën “e njëanëshme” si “të pavënd dhe false” në një reagim në rrjetin social Twitter.

Pretendimi për hartën është i pavënd dhe i pavërtetë. Kjo hartë zyrtare e BE-së është në linjë me pozicionimin e BE-së – status neutral. Do rekomandoja që gjithëkush të fokusohej në çështje të vërteta që ndihmojnë në përparimin e dialogut drejt normalizimit, në vend që të mundohen të krijojnë histori të pavërteta”. – shkruan Stano në Twitter.

Disa orë më vonë erdhi edhe reagimi i vetë raportuesit europian Miroslav Lajçak për çështjen. Përmes një publikimi në rrjetin social Twitter, Miroslav Lajçak publikoi pamjen nga afër të hartës që ndodhet në zyrën e tij.

Duke qënë se harta në zyrën time, e shfaqur turbullt në fotografinë e intervistës sime, ka ngjallur keqkuptime sot, po ndaj një fotografi nga afër të saj. Është një hartë zyrtare e BE-së për Ballkanin Perëndimor. Kosova është aty, ashtu si edhe linja që ndan Kosovën nga Serbia.” – shkruan Lajçak në Twitter.

Parë nga afër, harta që ka shpërndarë Lajçak duket kështu:

*harta që Lajçak shpërndau në reagimin e tij pas akuzave në rrjet

Imazhi tregon vërtetë një linjë mes Kosovës dhe Serbisë, aty ku ndahet kufiri mes dy vendeve. Ajo që bie në sy është fakti se kjo “linjë” nuk është e njëjtë me të tjerat që tregojnë ndarjen e kufijve të shteteve të tjera.

Qëndrimi i BE-së ndaj Kosovës dhe pavarësisë së saj varet edhe nga vendet anëtare. Pesë vende anëtare të BE-së nuk e njohin Kosovën (Greqia, Rumania, Sllovakia, Spanja dhe Qiproja). Për këtë arsye Bashkimi Europian i referohet shtetit të Kosovës vetëm si “Kosovë” me një shënim në fund të faqes ku vendoset teksti i marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë ku thuhet se: Ky përcaktim është pa paragjykim ndaj qëndrimeve për statusin dhe është në përputhje me Rezolutën 1244/1999 të Kombeve të Bahskuara dhe Opinionin e GJND-së për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Nisur nga këto informacione mund të kuptojmë se harta e shfaqur në zyrën e Miroslav Lajçak është harta zyrtare që përdor Bashkimi Europian dhe jo një zgjedhje e tij. Gjithashtu kufiri që ndan territorin e Kosovës nga ai i Serbisë, edhe pse jo i njëjtë me kufijtë e tjerë territorial të hartës, është përcaktuar në hartë. Sipas qëndrimeve të BE-së harta në fjalë është në përputhje me pozicionimin neutral të unionit sa i përket njohjes së kufirit mes Kosovës dhe Serbisë.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img