Në datën 19 qershor 2023, ish-kryeministri Sali Berisha me një grup deputetësh të Partisë Demokratike prezantuan nismën për miratimin e një ligji që do të përcaktojë minimunim jetik të nevojshëm për qytetarët e Shqipërisë. Zëdhënësja e Berishës, theksoi se kjo është hera e parë në 30 vite që merret një nismë ligjore për minimumin jetik. Por verifikimi i Faktoje tregoi se një propozim i tillë është depozituar në Kuvendin e Shqipërisë, që në mars, si nismë e shoqëruar me 21,000 firma qytetarësh nga Lëvizja Bashkë.

Jona Plumbi

Drejtuesi i grupimit të deputetëve të Partisë Demokratike të Komisionit të Rithemelimit, Sali Berisha njoftoi propozimin në Kuvendin e Shqipërisë të një ligji social, atij për minimumin jetik. Prezantimin e propozimit të grupit të deputetëve që ai përfaqëson, Berisha e bëri përmes një konference për media.

Sipas zëdhënëses së ish-kryeministrit Berisha, Floriana Garo, ky është propozimi i parë i këtij lloji.

Ky projektligj është dorëzuar nga grupi Parlamentar para dy javësh, në datën 7 qershor 2023. Eshtë hera e parë në 30 vite që merret një nismë për të vendosur një minimum jetik për qytetarët shqiptarë”. – Floriana Garo, Zëdhënëse e drejtuesit të Komisonit të Rithemelimit, Sali Berisha.

Nisur nga kjo deklaratë, Faktoje vendosi të verifikojë nëse ky është me të vërtetë propozimi i parë që shkon në Kuvendin e Shqipërisë për miratimin e një ligji që përcakton minimumin jetik në vend. Nga kërkimi  rezulton se në tetor 2022, “Organizata Politike”, (lëvizja aktiviste që u registrua si partia “Lëvizja Bashkë”, përpara zgjedhjeve vendore 2023) nisi një fushatë për mbledhjen e firmave të qytetarëve për propozimin e një ligji për minimumin jetik.

Në 12 Dhjetor 2022 Organizata Politike dorëzoi firmat e mbledhura gjatë fushatës së njoftuar, në Komisoinin Qendror të Zgjedhjeve, institucioni që bën verifikimin e të dhënave të mbledhura për propozimin e ligjit.

21 mijë nënshkrime janë mbledhur në kohë rekord, brenda 2 muajsh dhe kjo falë qindra qytetarëve brenda Shqipërisë, por dhe jashtë. I gjithë angazhimi tregon për domosdoshmërinë, nevojën dhe emergjencën që ka vendi ynë për përcaktimin e minimumit jetik”. – tha asokohe Viki Çipi, Lëvizja Bashkë.

Në 9 janar 2023, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi miratimin e regjistrimit të nismës ligjvënëse të zgjedhësve “Për përcaktimin e minimumit jetik”.

Komisioneri Shteteror i Zgjedhjeve vlerëson se nënshkrimet e depozituara nga përfaqësuesit e nismës ligjvënëse për të propozuar projektligjin “Për përcaktimin e minimumit jetik”, janë dorëzuar në përputhje me kërkesat e ligjit dhe si të tilla duhet te pranohen” – thuhet në vendim.

Në 30 Mars 2023, Lëvizja Bashkë njoftoi dorëzimin në Kuvend të këtij propozimi.

Sot Lëvizja BASHKË dorëzoi në Kuvendin e Shqipërisë projektligjin për miratimin e Minimumit Jetik”.

Kuvendi i Shqipërisë e ka protokolluar këtë propozim prej datës së dorëzimit, pra 30 mars 2023.

Për sa kohë propozimi i nisur nga Komisioni i rithemelimit të Partisë Demokratike është dërguar në Kuvend në datën 7 qershor, siç njofton zëdhënësja e këtij grupimi, atëherë është e qartë se nisma e propozuar nga Sali Berisha për përcaktimin e minimumit jetik, nuk është e para në 30 vjet.

Nisur nga këto të dhëna, deklaratën e zëdhënëses së deputetëve të grupimit “Berisha” e kategorizojmë si të pavërtetë.