Kryeministri izraelit Netanyahu nuk ka propozuar implantimin e çipeve në trupat e qytetarëve. Netanyahu ka sqaruar që në 2020 se kjo ide, e cila nuk u implentua kurrë, imagjinonte një byzylyk të pajisur me sensorë si tek makinat që do të ndihmonte njerëzit të mbanin distancën sociale gjatë Covid-19.
——————————————————————–
Në rrjete sociale po qarkullon një fjalim i vjetër i kryeministrit izraelit me pretendimin se ky i fundit “ka zbuluar publikisht planin e tij për të implantuar çipe në trupin e qytetarëve, duke filluar nga fëmijët, me pretekstin e luftës kundër Covid-19.”
Video që shoqëron postimin duket si një kronikë e medias ruse RT. Me anë të motorit të kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, Faktoje zbuloi se video e mësipërme është marrë vërtet nga një konferencë për shtyp e kryeministrit Benjamin Netanyahu, mbajtur më 4 maj 2020.
Në një artikull të gazetës izraelite The Jerusalem Post, Netanyahu citohet të ketë thënë:
“Fola me drejtorët tanë të teknologjisë për të gjetur masa në të cilat Izraeli është i mirë, si sensorët. Për shembull, çdo person, çdo njeri – e dua fillimisht tek fëmijët – do të kishte një sensor që do të jepte alarm kur afrohesh shumë [më shumë se distanca e lejuar për të parandaluar transmetimin e Covid-19], si ato që ka tek makinat.”
Pas kritikave nga ekspertët e kibernetikës, zyra e Netanyahu sqaroi në atë kohë se sugjerimi i Netanyahut “nuk është menduar të implementohet nëpërmjet databazave, por nëpërmjet një teknologjie të thjeshtë që njofton qytetarët për distancën. Është një zgjedhje vullnetare që është dizenjuar për të ndihmuar fëmijët të ruajnë distancën, si Mobileye tek makinat,” dhe se sugjerimi i kryeministrit ishte “një ide që mund të ndihmojë në ruajtjen e distancës sociale, dhe nuk do të ketë shkelje privatësie.”
Në 1 qershor 2020, gjatë një takimi me partinë e tij Likud, vetë Netanyahu sqaroi se çfarë donte të thoshte në deklaratën e tij kontroverse një muaj më parë.
“Kjo është një mundësi për të përgënjeshtruar një legjendë urbane të pabesueshme se unë ose dikush tjetër ka për qëllim të fusë sensorë nën lëkurën e fëmijëve apo të rriturve. Nganjëherë teoritë konspirative arrijnë në deluzion. Unë nuk mbaj mend asgjë të tillë. Ne e kishim fjalën për një lodër fëmijësh, një byzylyk, që secili mund të zgjedhë të vërë vullnetarisht për të mbajtur distancën. Nuk e kanë zhvilluar akoma dhe nuk e di nëse do zhvillohet. Është në bazë vullnetare, gjithsesi, është me zgjedhje. Nuk do i futen sensorë askujt, mund të qetësoheni,” tha ai.