JOEL ÇELA, Tiranë
ANXHELA RUÇI, Gjirokastër
AURORA SHPATAJ, Durrës
Masat për të parandaluar përhapjen e armikut të padukshëm këtë të dielë i gjetën qytetet tërësisht të paralizuara. “Faktoje” bëri një vëzhgim në tre qytete, Tiranë, Durrës dhe Gjirokastër. Si dukeshin ato në kushtet e ndalimit total të lëvizjes dhe aktiviteteve tregtare?
……………………………………………………………………………………………………………………………………………………
E diela e 22 marsit e gjeti Tiranën me rrugë të boshatisura, ku e vetmja shenjë jete vinte nga policët që kontrollonin rrugët për ndonjë të pabindur, por edhe ata vështirë t’i gjeje sot.
Ne shkuam në disa nga zonat ku në ditë të zakonshme gëlon jeta, përkatësisht përgjatë unazës, në rrugën e Elbasanit, në qendër, në rrugën Myslym Shyri, në rrugën e Durrësit, në rrugën e Kavajës si dhe tek zona e ish-bllokut. Në secilën prej tyre dukej sikur koha ishte ndalur.
Pamje të tilla të Tiranës së boshatisur duken të trishtueshme, por lajmi i mirë është se qytetarët i kanë marrë seriozisht paralajmërimet dhe po zbatojnë masat për të shmangur përhapjen e COVID-19.
Edhe Durrësi është zgjuar i tëri në karantinë këtë të dielë. Rrugët ishin tërësisht të qeta, pa lëvizje automjetesh apo këmbësorësh. Boshatisja nisi me hyrjen në fuqi të urdhërit të kryeministrit për ndalimin e çdo lëvizjeje apo aktiviteti tregtar prej së shtunës në orën 13:00 deri të hënën në orën 05:00. Në rrugët e Durrësit, të cilin në fundjavë ishim mësuar ta shihnim me rrugë e restorante të mbushura plot, këtë të diel kishte vetëm efektivë të policisë, ushtrisë dhe mjete të blinduara. Durrësi të jepte përshtypjen e një vendi në gjendje lufte!
Të dielën e 22 marsit, qyteti i gurtë i Gjirokastrës ishte krejt i boshatisur, pas masave shtrënguese për parandalimin e përhajes së koronavirusit.
“Faktoje” bëri një vëzhgim në terren ku konstatoi rrugë pa kalimtarë dhe pa makina. Urdhërit për izolim total i janë bindur edhe bizneset të cilët kishin ulur qepenat.
Të vetmit që lëviznin në qytet ishin patrullat e shumta të policisë, të cilët monitoronin respektimin e shtetrrethimit.