BallinaPertejPartneriteti Publik-Privat, qeveria e mbron ndërsa institucionet ndërkombëtare e kritikojnë

Partneriteti Publik-Privat, qeveria e mbron ndërsa institucionet ndërkombëtare e kritikojnë

MARJO BRAKAJ

Kontratat e Partneritetit Publik-Privat janë kthyer në një model në ekonominë shqiptare në vitet e fundit. Kryeministri, Edi Rama e ka mbrojtur skemën e PPP-ve duke e konsideruar si një “model të zhvillimit ekonomik”. Rama argumenton se modeli i PPP-ve është i huazuar nga vende “shembull” i ekonomisë së fortë. Por si konsiderohen PPP-të nga institucionet financiare ndërkombëtare?


Në një postim në facebook, më 31 janar Rama akuzoi duke i konsideruar “derra të kënaqur” gjithë ata që kundërshtojnë modelin PPP. Rama, duke mbrojtur “koncesionin e sterilizimit” shprehu bindjen se falë PPP-ve qytetarët po marrin shërbime më të mira.

Rama: Ju kanë kërdisur pa pushim me tam-tamin se PPP-të janë paratë tuaja që i dhurohen privatit, por jo gënjejnë si derrat e knaqun të Migjenit. Në Partneritetet Publik Privat janë paratë e privatit që investohen për shërbime shumë më të mira për ju.

Në një artikull të publikuar nga “Faktoje” më 28 janar 2020 lidhur me “koncesionin e sterilizimit” rezultoi se i njëjti shërbim në Itali dhe Gjermani është disa herë më i ulët krahasuar me Shqipërinë. Por veç çmimit të ulët, gama e instrumenteve të përfshira në sterilizim në Gjermani dhe Itali është shumë herë më e lartë. E thënë ndryshe, koncesioni i shkakton humbje Buxhetit të Shtetit duke mos qenë eficent.

Banka Botërore është ndër institucionet financiare ndërkombëtare që ka kritikuar modelin e PPP-ve në Shqipëri. Specialistja e Bankës Botërore në Shqipëri, Hilda Shijaku gjatë prezantimit të raportit ekonomik për rajonin kërkoi më shumë transparencë gjatë procesit të tenderimit.

Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit i publikuar më 17 korrik, shprehej se PPP-të kanë eleminuar konkurrencën duke përkeqësuar konkurencën

DASH: Raportet e korrupsionit në prokurimet e qeverisë janë të zakonshme. Përdorimi në rritje i kontratave të Partneritetit Publik Privat (PPP) ka ngushtuar mundësitë për konkurrencë, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë duke përfshirë edhe investitorët e huaj.

Komisioni Evropian gjithashtu ka kritikuar modelin e PPP-ve në ekonominë shqiptare. Në raport-progresin e publikuar më 29 maj 2019, i konsideroi PPP-të si “rrezik fiskal”. KE-ja, në raport shprehet se pjesa më e madhe e kontratave PPP janë përzgjedhur në bazën e ofertave të pakërkuara, çka redukton konkurrencën në prokurim.

Fondi Monetar Ndërkombëtar, përmes një raporti të publikuar më 3 korrik 2019, paralajmëroi se PPP-të mund të dëmojnë bilancin publik. FMN i rekomandoi Shqipërisë përdorimin e huave nga institucionet ndërkombëtarë dhe jo PPP-të, si mënyrën me koston më të ulët për të projektet publike.

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), gjithashtu kritikoi institucionet shqiptare për dhënien e Partneriteteve Publike-Private pa garë dhe analizë të qartë të risqeve që i vijnë ekonomisë. Në raportin e Tranzicionit 2019-2020, BERZH shkruan se qeveria ka dhënë PPP pa një proces transparent konkurrimi dhe pa garë. Një tjetër shqetësim që ngre BERZH është mospasja e mundësive financiare të kompanive që kanë fituar kontratat PPP.

Pas tërmetit të 26 Nëntorit, Shqipëria po gjendet përsëri në vështirësi ekonomike si pasojë e pandemisë “COVID-19”. “Faktoje”, referuar edhe situata financiare pyeti edhe kryeredaktoren e revistës ekonomike, “Monitor”, Ornela Liperi mbi “fenomenin” PPP. Liperi shprehet se teorikisht kontratat koncesionare duhen anuluar pasi pjesa më e madhe e tyre kanë kosto të larë dhe nuk janë eficente.

Liperi: Pjesa me e madhe e konçesioneve, PPP kanë rezultuar se kane një kosto tepër të lartë në raport me shërbimet që ofrojnë dhe për më tepër risku financiar është marrë përsipër nga shteti dhe jo nga privati. Por praktikisht duhen parë kontratat, sa mundësohet kjo në mënyrë që shteti shqiptar të mos rrezikohet në arbitrazh. Për të gjitha kontratat duhet të hapet hetimi nga Prokuroria, bazuar dhe në gjetjet e një raporti të KLSH për konçesionet që konstatonte parregullsi, shkelje dhe humbje të mëdha nga disa kontrata konçesionare, për të parë dhe mundësinë e anulimit të tyre dhe sidomos ndëshkimit të personave përgjegjës për hartimin e tyre.

Por, edhe pse janë cilësuar si një element negativ në ekonominë e vendit, PPP-të vijojnë të shihen me “optimiziëm” nga qeveria.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img