Një foto e kryeministrit kanadez Justin Trudeau ku ai shfaqet krahas një djali të ri po qarkullon nëpër rrjet bashkë me insinuata se Trudeau ka gjetur një partner të ri pas ndarjes nga bashkëshortja. Verifikimi i “Faktoje” tregon se djali në krah të Trudeau është i biri 15-vjeçar, Xavier.

—————————————————-

Në 5 gusht 2023, kryeministri i Kanadasë Justin Trudeau ndau nga llogaria e tij në Twitter një foto të tij dhe një djali të ri të veshur me ngjyrë rozë, në një shfaqje të filmit Barbie.

Disa ditë më parë, Trudeau kishte lajmëruar se ai dhe gruaja e tij Sophie Grégoire Trudeau kishin vendosur të ndaheshin.

Kjo mjaftoi që përdorues të rrjeteve sociale të pretendonin se djaloshi në foto me Trudeau duhet të ishte i dashuri i tij. Komente si “Për këtë e le gruan?”, “I dashuri i ri?” dhe “Trudeau shihet në qytet me kukullën e tij të preferuar Ken menjëherë pas ndarjes nga gruaja” shoqëruan foton.

Në hapësirat online shqipfolëse, gjithashtu, foto u ripostua me përshkrime si: “E paska kap zogun trydokastro”

Në të vërtetë, “zogu” në fjalë është i biri i kryeministrit Trudeau, 15-vjeçari Xavier Trudeau. 

Kjo nuk është hera e parë që Justin Trudeau poston foto me të birin Xavier. Një vit më parë, ai ka postuar një tjetër foto ku matet për gjatësi me atëherë 14-vjeçarin Xavier.

Në Prill të këtij viti, bashkëshortja e Trudeau, Sophie, ka postuar gjithashtu një foto të të birit Xavier në llogarinë e saj në Instagram.

Më herët, në Mars, Xavier shfaqet bashkë me familjen e tij duke takuar presidentin amerikan Joe Biden dhe zonjën e parë, Dr. Jill Biden, gjatë një vizite në shtëpinë e Trudeau.