BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookLogo e bretkosës në produktet ushqimore nuk ka lidhje me vaksinimin mRna

Logo e bretkosës në produktet ushqimore nuk ka lidhje me vaksinimin mRna

Logoja e bretkosës në ushqime nuk tregon se ato kanë përmbajtje insektesh apo vaksinash, siç pretendohet në disa postime të pabazuara të shpërndara në rrjetet sociale. Përveç kësaj, Faktoje sjell argumentet që tregojnë se logo nuk ka lidhje me Bill Gates.

Postime të shpërndara në rrjetet sociale pretendojnë se logoja e bretkosës e markës “Rainforest Alliance” është e lidhur me Bill Gates dhe po qarkullon në tregun italian dhe në atë shqiptar.

“Logoja e bretkosës së Bill Gates ka mbërritur edhe në supermarketet italiane. Shmangni blerjen e produkteve ushqimore të markës ‘Rainforest Alliance”-shkruajnë përdorues në rrjetet sociale.

Postimi i shpërndarë në rrjetet sociale

Sipas postimeve të bërë publike, këto produkte paraqesin rrezik për shëndetin.

Janë futur me shumicë edhe në tregun ushqimor shqiptar. Shikoni etiketat para se të blini”- shkruajnë sërish përdorues në rrjetet sociale.

Postimi i shpërndarë në rrjetet sociale

Kujdes çfarë hani”-thuhet në postime të tjera duke publikuar logon në produkte të ndryshme ushqimore që gjenden edhe ne tregun shqiptar.

Postimi i shpërndarë në rrjetet sociale

Këto postime kanë lidhje me disa teori të përhapura së fundi në rrjet që aludojnë se disa ushqime përmbajnë pjesë të insekteve dhe vaksinave mRNA, si një mënyrë për të vaksinuar përmes ushqimit ata që nuk e kanë marrë injeksione nga vaksinimi.

Por, sa qëndrojnë këto pretendime, të cilat përhapin panik te qytetarët? Nga një kërkim i bërë në internet rezulton së pari se vula me vizatimin e një bretkose dhe fjalët “Rainforest Alliance Certifiedështë e vërtetë dhe është krijuar nga Rainforest Alliance, një organizatë ndërkombëtare jofitimprurëse që punon për mbrojtjen e pyjeve.

Qëllimi i vulës është të tregojë se produkti ose përbërësi i certifikuar është bërë duke përdorur metoda që mbështesin qëndrueshmërinë sociale, ekonomike dhe mjedisore. Organizata shpjegoi gjithashtu se zgjodhi bretkosën me sy të kuq më shumë se 30 vite më parë, pasi: “bretkosat janë ato që shkencëtarët i quajnë bioindikatorë, në kuptimin që një popullatë e shëndetshme bretkosash tregon një mjedis të shëndetshëm”.

Nuk ka asnjë provë apo lajm të verifikuar se këto produkte përmbajnë pjesë të insekteve dhe vaksinave mRna, siç pretendohet në postimet e shpërndara në rrjetet sociale. Deri më sot nuk ka ushqime që përmbajnë vaksina mRna. Kjo është konfirmuar nga “Public Health Communication Collaborative” si edhe është verifikuar nga kolegët e “Facta.news” në disa artikujpublikuar.

Gjithashtu, këto pretendime janë verifikuar edhe nga kolegët e mediave të tjera fakt-verifikuese në botë.  

Kjo është një tjetër teori e pabazuar, me qëllim përhapjen e dizinformimit rreth vaksinave anti-Covid mRna dhe përdorimit të insekteve në ushqim.

Fondacioni Bill dhe Melinda Gates i ka dhënë një grant vetëm një herë “Rainforest Alliance”, në vitin 2007, shumë më herët se të zbulohej teknologjia mRna dhe të lindnin teoritë konspirative rreth saj.

Veç kësaj, Bill Gates, bashkëthemelues, sipërmarrës dhe filantrop i Microsoft, nuk ka deklaruar kurrë se njerëzit do të vaksinohen përmes ushqimit.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img