BallinaTë pambajturaDenaj: Vendimi për rritjen e pagave për mjekët dhe infermierët miratohet brenda muajit shtator

Denaj: Vendimi për rritjen e pagave për mjekët dhe infermierët miratohet brenda muajit shtator

Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Anila Denaj më 22 shtator njoftoi se vendimi për rritjen e pagave për mjekët dhe infermierët do miratohej brenda atij muaji. Me gjithë premtimet, 18,415 punonjës të sistemit shëndetësor, janë ende në pritje të një vendimi qeverie dhe hyrjen në fuqi të tij.


Pagat e mjekëve dhe infermierëve do kalojnë me Vendim Qeverie, brenda muajit shtator. Pagat e mjekëve janë zëri më i rëndësishëm. Ne po flasim për një rritje të dytë të rëndësishme, mbas rritjes 21% të bërë para disa vitesh – deklaroi më 23 shtator, gjatë një interviste në emisionin “Open” në Top Channel, ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Anila Denaj.

Deklarata e ministres Denaj, erdhi fill pasi Sindikata e Punonjësve të Shërbimit Shëndetësor, listoi katër kërkesa duke paralajmëruar protesta nëse ato nuk do përmbusheshin.

Kërkesat e Sindikatës së Punonjësve të Shërbimit Shëndetësor

Mjeku infektolog, njëkohësisht kryetar i Sindikatës së Punonjësve të Shërbimit Shëndetësor, Gentian Stroni, në një intervistë për Euronews Albania më 1 tetor, njoftoi se ende po zhvilloheshin diskutime mbi rritjen e pagave për punonjësit e sistemit shëndetësor.

Ajo që është pozitive është fakti se këto katër pika janë parë nga qeveria që janë të drejta dhe për diskutim. Pavarësisht se kryeministri ka diskutuar faktin e 40%, ne do të jemi të kënaqur të rritet sa  më shumë të jetë e mundur, por do të jemi me këmbë në tokë – u shpreh Stroni.

Më 6 tetor, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, gjatë konferencës së përbashkët për mediat, me kryeministrin Edi Rama, ndonëse kishte deklaruar se rritja e pagave për punonjësit e sistemit shëndetësor do bëhej brenda muajit shator, e shtyu atë për “në mbledhjen tjetër të qeverisë”.

Denaj argumentoi se në mbledhjen e radhës do të miratohej një rritje e konsiderueshme e pagave në sektorin e arsimit dhe shëndetësisë që do të ketë efekt financiar nga janari 2021.

“Faktoje” verifikoi të gjitha vendimet e Këshillit të Ministrave prej datës 22 shtator kur është bërë deklarata e Denajt, deri në datën 12 tetor, por ende premtimet për rritjen e pagave të mjekëve nuk kanë marrë formën e një VKM-je.

Deklaratën e ministres së Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj lidhur me miratimin e vendimit për rritjen e pagave për mjekët dhe infermierëve brenda muajit shtator, do ta kategorizojmë si “Premtim të pambajtur”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img