BallinaPremtimeTaksat mbi karburantin, çfarë presin fermerët pas premtimit të radhës

Taksat mbi karburantin, çfarë presin fermerët pas premtimit të radhës

MERXHAN DACI

Qeveria dhe kryeministri Rama i janë rikthyer premtimit për heqje të akcizës dhe uljes së çmimit të karburantit për bujqësinë. Ai premtoi se akzica e naftës për fermerët do të hiqet ndërsa çmimi i karburantit për bujqësinë do të ulet me 50%.

Sot do të ndërhyjmë për të filluar një regjim të ri për karburantin në regjim bujqësor. Do të heqim nga karburanti për prodhim bujqësor akcizën, taksën e qarkullimit, nga karburanti do të hiqet edhe taksa e karbonit. Do të ulim gjysëm për gjysëm mesatarisht çmimin e karburantit për fermerët“- tha Rama në 13 tetor.

Duke folur për mënyrën praktike Rama u shpreh:

Për monitorimin në terren për naftën gjithçka do të jetë online ku të dhënat do të grumbullohen në një tabelë, ku ka filluar puna nga Ministria e Bujqësisë. Me këtë skemë u japim fermerëve mundësinë të mos kenë probleme buroktratike, kanë NIPT-in, futen në platformë. Sasia që do të harxhojë për barrën 50 % mbi çmimin do të jepet falas“- tha ai.

Premtime dhe skema e re, përse ekspertët janë skeptikë

Eksperti i bujqësisë Ervin Resulaj i tha Faktoje se duket qartazi se ky është një premtimi më shumë.

Çdo lehtësim për fermerët është pozitiv, por të kemi në konsideratë që pas 7 vite e gjysmë premtim, duket më shumë si premtimi i radhës. Nafta është një zë për lehtësimin e fermerëve, ata kanë shumë probleme. Ajo që më dhemb më shumë mua është: Pse jahtet mjete luksi marrin karburantin 100% të zhveshur nga taksat pra afërsisht 50 lek litri, ndërsa fermerët duhet ta marin me 100 lek litrin?”- thotë Resulaj.

Eksperti i bujqësisë Ismail Beka i tha Faktoje se që të funksionojë kjo skemë duhet ngritur një mekanizëm i mirëfilltë dhe transparent.

“Gjithmonë është premtuar, madje të gjitha qeveritë e kanë premtuar. Fshatari nuk ka arsye pse të paguajë çmim të lartë. Por është i vështirë identifikimi i përfituesve. Momentalisht ne kemi vetëm një sistem ku furnizohen fermerët që janë pikat e karburantit dhe është e pamundur që të dallosh cilat janë mjetet bujqësore që kanë marrë naftë. Duhet gjetur një mënyrë praktike, sepse duhen shmangur edhe abuzimet. Sepse të marrësh një vendim është e lehtë, por zbatueshmëria është e vështirë, madje shumë e vështirë. Teorikisht është vendim që do të lehtësonte fermerët, sepse ka një eksperiencë pozitive që është rasti i peshkimit. Ideja është që mund të jenë 10 mijë traktorë, por janë mbi 300 mijë shqiptarë që merren me bujqësi. Duhet gjetur një mekanizëm transparent që mbështetja të shkojë direkt te fermeri”- sugjeron ai.

Premtimet për heqjen e akcizës dhe uljen e çmimit të karburantit me ‘moshën’ e disa mandateve

Aktualisht, akciza e naftës është 37 lekë/litër dhe bujqit duhet ta paguajnë karburantin njëlloj si të gjithë qytetarët e vendit, edhe pse kontribuojnë për sektorin më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare. Ndërkaq shqetësim është edhe taksa e qarkullimit që momentalisht është 27 lekë/litër.

Deklaratat dhe premtimet për akcizën dhe uljen e çmimit të karburantit nuk janë një histori e re.

Edi Rama, pa ardhur në qeveri tha në 11 shtator të vitit 2012: “Nqs nuk ulet çmimi i naftës për bujqësinë ne do ta heqim akcizën”.

Gramoz Ruçi në 2 qershor 2013 tha:

Që çmimet e plugimit, të frezimit, të korrjes të bien 35% duke ulur çmimin e naftës për fermerët në bujqësi brenda 100 ditëve të para të qeverisjes, votoni numrin 29, votoni Partinë Socialiste të Shqipërisë. Do të merrni 35% më lirë litrin e naftës sesa ai, që e merr për veturën e tij, Saliu,”- u shpreh Ruçi.

Ministri i Bujqësisë, asokohe Edmond Panariti në 5 qershor 2014 në një konferencë për shtyp tha:

Do të inkurajojmë prodhuesit e serave me ngrohje të zgjerojnë aktivitetin. Mbajmë një premtim për mbështetje me naftë pa akcizë të prodhimit bujqësor.”

Ministri Bledi Çuçi gjatë një bashkëbisedimi që pati me fermerë të Fierit në shtator 2019 tha:

Kam nisur një projekt që unë besoj se do na çojë shumë shpejt tek lehtësitë për marrjen e naftës nga fermerët të zhveshur nga taksat. Është e rëndësishme që ne të ngremë infrastrukturën që këtë ta bëjmë dhe ta kemi të kontrollueshme për të mos lejuar abuzimin. Me zhvillimin e teknologjisë sot, ne i kemi të gjitha mundësitë ta bëjmë këtë gjë. Por do të përfitojnë vetëm ata që janë të formalizuar. Ky është një projekt që po vijon. Me shpresë vitin tjetër do ta paraqesim në qeveri për të marrë pastaj një vendim”.

 

 

 

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img