.

.

BallinaFaktometerE PavërtetëDanimarka nuk e ka ndaluar vaksinën për qytetarët e saj

Danimarka nuk e ka ndaluar vaksinën për qytetarët e saj

Një njoftim i Autoritetit Shëndetësor Danez rezulton se është keqinterpretuar në portalet shqiptare, për të pretenduar se “Danimarka ka ndaluar vaksinën kundër Covid për shumicën e njerëzve nën 50 vjeç.” Nga verifikimi i “Faktoje”, rezulton se ky lajm është i pavërtetë dhe krijon mbështetje të gabuara për teoritë konspirative dhe grupet anti-vaksinim.

Patris Pustina

Konspiracionistët anti-vaksinim mesa duket janë të vendosur t’i veshin, pa asnjë lloj prove, bindjet e tyre çfarëdolloj lajmi që i zë syri, qoftë ai mbi vdekjet e parakohshme që nuk kanë lidhje me vaksinën apo virusin, studime shkencore, apo politika të shteteve mbi vaksinimin. Së fundmi, një njoftim i Autoritetit Shëndetësor Danez është keqinterpretuar për të pretenduar se “Danimarka ka ndaluar vaksinën kundër Covid për shumicën e njerëzve nën 50 vjeç.” Nga verifikimi i “Faktoje”, rezulton se ky lajm është i pavërtetë.

Titulli dhe fjalia e parë e artikullit të “Patriotik Media” kundërshtojnë njëri-tjetrin. Ndërsa i pari deklaron se “Danimarka ndalon vaksinën kundër Covid për shumicën e njerëzve nën 50 vjeç,” e dyta thotë se “Danimarka tashmë ka ndërprerë vaksinat për Covid-19 për pothuajse të gjithë nën 18 vjeç.” Që këtu, situata me seriozitetin e artikullit nuk duket premtuese.

Artikulli citon ‘gazetarin e pavarur’ Alex Berenson, i cili është përjashtuar nga rrejti social Twitter për shpërndarjen e lajmeve të rreme mbi Covid-19. Sipas Berenson, “Danimarka nuk tha në mënyrë eksplicite se rreziqet e vaksinave mRNA tani tejkalojnë përfitimet e tyre për njerëzit e shëndetshëm nën 50 vjeç, por kjo pikëpamje është e nënkuptuar në njoftim.” 

Në të vërtetë, njoftimi i Autoriteti Shëndetësor Danez thotë që personave nga 50 vjeç e sipër do t’u ofrohen doza përforcuese të vaksinës, sepse rreziku i simptomave të rënda të Covid-19 rritet me moshën. Duke qenë se gjatë stinëve të vjeshtës dhe dimrit pritet të rriten infektimet me Covid-19, shteti ka për qëllim ri-vaksinimin e grupeve më në rrezik, në mënyrë që në rast infektimi ata do të jenë të mbrojtur nga simptomat më të rënda të virusit.

Për më tepër, rekomandimi për vaksinim nuk është vetëm për moshat mbi 50 vjeç, por edhe për grupe të tjera si punëtorët e shëndetit dhe kujdesit ndaj të moshuarve, si dhe të afërmit e grupeve me rrezik të lartë. Personat nën 50 vjeç që janë në rrezik nga komplikacionet e Covid-19, si për shembull ata me sistem imunitar të kompromentuar, rekomandohet të vaksionohen, gjithashtu. 

Faqja zyrtare e Autoritetit danez të Shëndetit sqaron gjithashtu se kjo fushatë rivaksinimi ka për qëllim parandalimin e sëmurjes në gjendje të rëndë, shtrimit në spital, dhe vdekjes si pasojë e Covid-19, jo parandalimin e infektimit me Covid-19. Rivaksinimi, si pasojë, nuk rekomandohet për personat e shëndetshëm nën 50 vjeç sepse këta nuk janë në rrezik të theksuar nga komplikacionet e virusit. Për më tepër, duke qenë se mbi 80% e popullsisë së Danimarkës janë vaksinuar, dhe një pjesë e madhe e kanë kaluar tashmë virusin, imuniteti kundër Covid-19 është i fortë në grupmoshën nën 50 vjeç.

 

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img