.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookUria për konspiracione lidh vdekjet e artistëve me vaksinimin Covid

Uria për konspiracione lidh vdekjet e artistëve me vaksinimin Covid

Grupet anti-vaksinim po ngrenë dyshime mbi vdekjen e dy artistëve të rinj në ShBA, duke e gjetur shkakun e këtyre humbjeve të papritura tek fushatat e vaksinimit të imponuara nga qeveritë gjatë pandemisë Covid-19. “Faktoje” verifikoi më tej këto dyshime të shpërndara në rrjet për të rrëzuar një tjetër teori konspiracioniste të pabazuar në prova shkencore apo fakte reale.

Patris Pustina

Vdekjet e artistëve të rinj, shpeshherë të etiketuar në mënyrë të rreme si “pa asnjë sëmundje,” priten me një etje të ethshme nga konspiracionistët anti-vaksinë. Viktimat më të fundit të kësaj praktike të shëmtuar janë aktorja Charlbi Dean dhe muzikanti Luke Bell. “Nuk raportohet askund shkaku i vdekjes,” shkruan faqja e Facebook “Aleanca Për Mbrojtjen e Jetës”, ndërsa, me një kapërcim olimpik, autori i jep të drejtën vetes “që ka patur të drejtë për kundërshtimin e vaksinimit ndaj Covid-19”, duke lënë të kuptohet në fjalinë pasuese se këto vdekje të pashpjegueshme janë pasojë e fushatave vaksinuese të ndërmarra nga qeveritë gjatë pandemisë.

Postimi i “Alencës për Mbrojtjen e Jetës”, e krijuar nga aktivistë që kundërshtojnë vaksinimin

“Faktoje” verifikoi më tej këto dyshime dhe teori konspiracioniste, që duhet thënë se nuk janë vetëm një fenomen shqiptar dhe kanë ngjallur kuriozitet në hapësirën online.

Bazuar mbi këto verifikime nuk rezulton ndonjë provë bindëse se aktorja Charlbi Dean vdiq si pasojë e vaksinës ndaj Covid. Intervistuar nga Rolling Stone,  Alex Jacobs, vëllai i aktores Dean, i ka quajtur “krejt qesharake dhe tepër naive” komentet në internet që insinuojnë se ajo humbi jetën si pasojë e vaksinës. Sipas tij, megjithëse autopsia e saj nuk ka përfunduar ende, familja ka mësuar se aktorja ka patur një infeksion në mushkëri. Ai shtoi se në vitin 2009, aktorja pësoi një aksident të rëndë me makinë, si pasojë e të cilit, ajo pësoi dëmtime në shpinë, brinjë dhe u detyrua të heqë shpretkën. Mjekët e kishin paralajmëruar aktoren se mungesa e shpretkës, organi që shërben për të luftuar infeksionet, përbën një rrezik të shtuar për të luftuar infeksionet, siç dyshohet se është rasti i infeksionit në mushkëri. Intervista me Jacobs hedh poshtë gjithashtu pohimin se aktorja “vdiq papritur”. Ai tregoi se si aktorja kishte patur disa simptoma të lehta. Ajo i kërkoi të fejuarit të saj ta çontë në urgjencë, dhe vdiq pas pak orësh.

Nuk thuhet me siguri nëse aktorja nga Afrika e Jugut ishte vaksinuar nga Covid, por gjasat janë që hyrja e saj në ShBA, (ajo jetonte në Nju Jork), të jetë kushtëzuar me vaksinimin.  ShBA kërkojnë certifikatë vaksinimi për të gjithë personat që hyjnë në territorin e tyre. Nga të gjitha provat shkencore të deritanishme, efektet anësore të vaksinës Covid shfaqen brenda 15-30 minutash nga vaksinimi, në rastin e shokut anafilaktik  dhe zakonisht brenda një jave nga vaksinimi në rastin e problemeve me zemrën, si miokarditi apo perikarditi. Tromboza e shkaktuar në disa raste specifikisht nga vaksinat e AstraZeneca dhe Johnson & Johnson është provuar se shfaqet brenda 4-28 ditë nga vaksinimi.

Në mënyrë të ngjashme, nuk ka asnjë provë se kantautori amerikan Luke Bell vdiq si pasojë e komplikimeve nga vaksina Covid. Bell ishte zhdukur  që në 20 Gusht, sipas policisë së Tukson, dhe trupi i tij u gjet pas më shumë se një jave, në afërsi të vendit ku ishte raportuar si i zhdukur. Përpara se trupi i Bell të gjendej, miku i tij Matt Kinman deklaronte se  muzikanti vuante nga çrregullimi bipolar. Karriera e Bell kishte pësuar goditje si pasojë e kësaj sëmundjeje. Duke filluar që nga 2016, performancat e tij u rralluan ndjeshëm. Kinman tha dhe se, kohët e fundit, Bell kishte ndryshuar llojin e mjekimit që merrte për sëmundjen e tij, dhe se kjo mund të kishte patur rol në zhdukjen e tij. Ai iu lut lexuesve që, nëse e shihin muzikantin, duhet ta “dërgonin menjëherë në spital”. Në një deklaratë pas vdekjes, familja e tij gjithashtu konfirmoi se Bell vuante nga kjo sëmundje mendore, e cila ishte përkeqësuar pas vdekjes së babait të tij. Deklarata të pabaza se vdekja e Luke Bell ka ndonjë lidhje me vaksinën Covid janë fyese ndaj luftës së tij me çrregullimin bipolar dhe ndaj dhimbjes së familjes së tij. Me qëllim dizinformimin mbi rrezikshmërinë e një vaksine, mosmarrja e të cilës mund t’i kushtojë jetën njerëzve, këto deklarata maskojnë pasojat e sëmundjeve potencialisht vdekjeprurëse si ato të shëndetit mendor.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img