Pas tre vitesh monitorim nga Task Forca e Veprimit Financiar, Shqipëria doli nga ‘lista gri’ e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Lajmin e njoftoi numri 2 i qeverisë, Balluku që theksoi se vendimi i dedikohej reformave të qeverisë. Verifikimi i Faktoje tregoi se arsyet e vërteta të daljes nga ‘lista gri’, lidhen kryesisht me tërheqjen e qeverisë nga amnistia fiskale. 

Esmeralda Topi

‘….Shqipëria sot, në një unanimitet të plotë votimi, doli nga lista gri e FATF dhe MONEYVAL.’, deklaroi ndër të tjera, më 27 tetor zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, teksa lajmëronte vendimmarrjen Task Forcës për Veprimin Financiar (FATF). 

Sipas Ballukut, vendimi për ta nxjerrë Shqipërinë nga monitorimi i shtuar i dedikohet reformës në Agjencinë e Inteligjencës Financiare si dhe ndryshimit thelbësor të disa ligjeve. 

“Është vlerësuar reforma e thellë që ne kemi bërë tashmë në Agjencinë e Inteligjencës Financiare, dikur Drejtoria e Përgjithshme për Parandalimin dhe Pastrimin e Parave. Gjithashtu, janë vlerësuar të gjitha hapat që kemi hedhur për ndryshimin thelbësor të disa ligjeve që ndihmojnë këtë kuadër, por nga ana tjetër edhe dixhitalizimin masiv të shumë proceseve që do të garantojnë një transparencë sot dhe në të ardhmen.”, argumentoi Balluku.

Vendimi 

Task Forca e Veprimit Financiar (FATF) udhëheq aksionin global për të trajtuar pastrimin e parave, financimin dhe përhapjen e terrorizmit.  Më 27 tetor, kjo strukturë ndërkombëtare vendosi vrërtetë të nxjerrë Shqipërinë nga e ashtuquajtura ‘lista gri’, pas një monitorimi të shtuar prej 3 vitesh. 

Në raportin për Shqipërinë, Task Forca e Veprimit Financiar ka listuar disa arsye se përse vendi nuk është më pjesë e listës gri, duke nisur me formalizimin e ekonomisë dhe rritjen e bashkëpunimit midis institucioneve.

“Krijimi i mekanizmave efektivë për zbulimin dhe parandalimin e infiltrimit kriminal në ekonomi, duke përfshirë forcimin e kompetencave të autoriteteve përgjegjëse për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme.”, është një tjetër rekomandim që Shqipëria ka plotësuar, sipas FATF-së.

Task Forca e Veprimit financiar vlerëson reformën në drejtësi, duke përmendur si pozitive rritjen e numrit të ndjekjeve penale si dhe konfiskimeve në kuadër të luftës kundër pastrimit të parave. Ndikim në daljen nga lista gri e Shqipërisë ka dhënë edhe trajtimi në kohë i kërkesave për ndihmë juridike. 

Në fund të raportit Task Forca e Veprimit Financiar përmend edhe amnistinë fiskale.

“FATF mirëpret angazhimin e Shqipërisë për të respektuar parimet e FATF-së në rast se Shqipëria prezanton një program të amnistisë fiskale në të ardhmen.”, shkruan raporti.

Shqipërisë i rekomandohet të vazhdojë të punojë me MONEYVAL, organin monitorues të Këshillit Evropian për të forcuar edhe më tej luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Tërheqja nga amnistia fiskale, ‘komardare shpëtimi’ për Shqipërinë 

Dalja e Shqipërisë nga lista gri e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit ka marrë vëmendje edhe në raportin e Komisionit Europian, të progresit për Shqipërinë, publikuar më 8 nëntor. Raporti thekson se vendi ka arritur progres në zbatimin e rekomandimeve të Moneyval dhe të Task Forcës së Veprimit Financiar (FATF). 

‘Shqipëria mbeti në listën e FATF-së të juridiksioneve nën monitorim të shtuar për shkak të projektligjit të saj për Deklarimin Vullnetar të Pasurisë (duke përfshirë një amnisti fiskale/penale). Pas tërheqjes së projektligjit, në qershor 2023 FATF vendosi të propozojë një vizitë në terren, e cila u zhvillua në gusht dhe çoi në heqjen e Shqipërisë nga lista në tetor 2023.’, shkruhet në raportin e progresit. 

Megjithatë, Komisioni Europian thekson në raport se Shqipëria duhet të sigurojë që çdo ligj i ardhshëm (përfshirë amnistitë e mundshme fiskale/penale) të jetë në përputhje me acquis të BE-së dhe standardet ndërkombëtare.

Prania e Shqipërisë në listën gri të pastrimit të parave ishte një ndër pengesat e saj në rrugën drejt integrimit të BE, siç përmendet në disa progrespraporte radhazi të Komisionit Europian për Shqipërinë dhe për të cilat Faktoje ka raportuar gjatë tri viteve të fundit.

Çfarë thonë ekspertët?

Dalja nga lista gri e pastrimit të parave, sipas opinionit tw ekspertëve, mund të lehtësojë flukset hyrëse të pagesave drejt Shqipërisë dhe të ketë një efekt pozitiv edhe në tërheqjen e investimeve të huaja në prona. 

‘Dalja nga Lista Gri e ndihmon mobilitetin dhe qëndrueshmërinë e tregut të Pasurive të Paluajtshme, duke rritur shpejtësinë e kryerjes së transaksioneve si dhe duke e bërë vendin me tërheqës për investime të huaja cilësore në këtë fushë, gjithnjë në përputhje me legjislacionin parandalues të pastrimit të parave.’, thotë Reinaldo Pipiria, drejtues i Shoqatës Shqiptare të Pasurive të Paluajtshme (NAREA). 

‘Sektori i Pasurive të Paluajtshme, së bashku me sektorë të tjerë, të lidhur mes tyre ngushtësisht, është thelbësor në ekonominë e Shqipërisë dhe do të vazhdojë të jetë promotor zhvillimi.’, shton ai. 

Përfundim

Nisur nga informacionet e mbledhura, deklaratën e zëvendëskryeministres Belinda Balluku për daljen e Shqipërisë nga lista gri e FATF dhe MONEYVAL, do ta kategorizojmë të vërtetë.