BallinaNë lupën e FakteveTabaku: Pastrimi i parave dhe amnistia fiskale cënojnë rëndë integrimin në BE

Tabaku: Pastrimi i parave dhe amnistia fiskale cënojnë rëndë integrimin në BE

MARJO BRAKA

Në tri deklarata të ndryshme, deputetja e Partisë Demokratike, njëherazi kryetare e Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian, Jorida Tabaku akuzoi se pastrimi i parave dhe nisma e paralajmëruar nga maxhoranca nën emërtimin, “Amnistia fiskale” po cënojnë rëndë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. “Faktoje” bazuar në dokumente të Parlamentit e Këshillit Europian si dhe argumentime të ekspertëve verifikoi këto pretendime.

 “Një nga 15 kushtet e BE për të zhvilluar konferencën e parë ndërqeveritare dhe çelur zyrtarisht procesin përfundimtar të integrimit është lufta kundër pastrimit të parave. Shqipëria ndërkohë gjendet në listën gri të Moneyval dhe konsiderohet si një nga vendet kryesore ku mund të pastrohen paratë. Ky fenomen pengon çdo përpjekje të shqiptarëve për të integruar vendin në BE.” – argumentoi deputetja e Partisë Demokratike, njëherazi kryetare e Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian, Jorida Tabaku në takimin me temë “Ecuria në luftën kundër krimit të organizuar dhe zbatimi i rekomandimeve të Komisionit Europian në Raportin e vitit 2021 për Shqipërinë të mbajtur më 11 maj.

Rreth dy javë më pas, në një intervistë për emisionin “31 Minuta” në A2CNN zonja Tabaku rikonfirmoi pretendimet e saj kur tha:

Fillimi i konferencës së parë qeveritare nuk do të thotë se ty të fillojnë negociatat. Një nga këto parakushte është pastrimi i parave. Pastrimi i parave dhe dalja e Shqipërisë nga lista gri e Moneyval dhe vlerësimi nga Instituti i Bazelit janë dy elementët kyç që lidhen me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, por njëkohësisht me nisjen e negociatave dhe bisedimeve”.

Më herët, më 21 prill, pas publikimit të rezolutës së Parlamentit Europian, Jorida Tabaku paralajmëroi gjithashtu se një tjetër nismë e qeverisë mund të bllokojë Shqipërinë në rrugën e integrimit drejt BE-së

Mendoj që nuk duhet të vihet në zbatim amnistia fiskale, pasi do të cënojë rëndë integrimin në BE, kjo pasi lidhet me animistinë penale.” – tha Tabaku.

Si fillim, pohimi i deputetes se “lufta” ndaj pastrimit të parave është një ndër kushtet e vendosura Shqipërisë për vijimin e rrugëtimit drejt Bashkimit Europian është i vërtetë, siç ka verifikuar më herët Faktoje.

Kjo gjetje theksohet edhe në një dokument të Parlamentit Europian ku thuhet shprehimisht:

Duhet të nënvizohet rëndësia e ndërmarrjes së veprimeve konkrete ndaj pastrimit të parave nëpërmjet hetimeve të thelluara pro-aktive”, – thuhet në dokument.

Ish-prokurori dhe ish-përfaqësuesi i Shqipërisë në Moneyval, Besnik Muçi sjell edhe një rast që përforcon rëndësinë e luftës ndaj pastrimit të parave.

Vetë Parlamenti Europian në tetor të vitit 2020 i ka shtuar dy pyetje Komisionit të Zgjerimit të Bashkimit Europian lidhur me Shqipërinë. Si e justifikon Komisioni Europian vendimin e çeljes së negociatave me Shqipërinë në një kohë që ky vend është në listën gri të MONEYVAL dhe çfarë hapash do të marrë Komisioni në lidhje me Shqipërinë, nëse kjo e fundit vazhdon të jetë në ‘listën gri’? – janë edhe dy pyetjet”. – thotë Muçi.

Ngjashëm argumenton edhe ish-zv.ministrja e Drejtësisë, Brikena Kasmi.

Është e qartë që integrimi në Bashkimin Evropian ka disa kritere e standarde të cilat duhet të arrihen në të gjithë sektorët.  Sektorët janë pika e takimit të FATF dhe Bashkimi Evropian të cilat aplikojnë standarde të njëjta dhe kritere të njëjta.  Mangësitë e vëzhguara në planet legjislative dhe ligjzbatuese për pastrimin e parave dhe çështjeve të terrorizmit tregojnë ndër të tjera që ky vend i përfshirë në listën gri nuk përmban standardet e kërkuara nga Bashkimi Evropian. Është një sistem indirekt vlerësimi edhe për kapacitetin e këtij vendi për t’u integruar në familjen evropiane.”

Duke iu përgjigjur interesit të “Faktoje”, Kasmi thekson:

Nga një vëzhgim ndër vite të listës Gri nuk gjenden vende me prirje të forta anëtarësimi në BE apo anëtare të BE-së që të jenë përfshirë në të.  Pra, asnjë nga vendet anëtare nuk tregon boshllëqe, ndërkohë që vende si Shqipëria kanë treguar paqëndrueshmëri. Ky vëzhgim shpreh qartë se vendi ynë pavarësisht se ka dalë dhe ka hyrë shpesh në listën Gri, ka ende nevojë për përmirësime të vazhdueshme në nivelin legjislativ dhe ligjzbatues në sektorë si ai fiskal, i drejtësisë, i ndërtimit dhe ai teknologjik.”

Me anë të një kërkese për informacion, “Faktoje” pyeti Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave lidhur me arsyet se pse për të tretin vit me radhë vendi vijon të mbesë në “listën gri” të vendeve me risk të lartë të pastrimit të parave.

Vlen të theksohet se për shkak të një sërë sfidash që pandemia globale Covid-19 solli në nivel botëror përfshirë dhe Shqipërinë, vitet 2020-2021, si për ekspertët vlerësues dhe për institucionet shqiptare u pa e arsyeshme shtyrja e afateve të planit të dakordësuar të veprimit, shkak për të cilin vazhdojmë të jemi në listën gri.  Por duhet të theksohet se Shqipëria  i ka përmbushur pothuajse të gjitha pikat e planit të veprimit, për të cilat jemi besimplotë për marrjen e një vlerësim pozitiv brenda 2022”,  thuhet në përgjigjen për Faktoje.

E nëse për mbetjen në “listën gri” fajin e ka pandemia, pyetjes së “Faktoje” përse niveli i sekuestrimeve dhe konfiskimeve të parave ka ardhur në rënie nga viti në vit. DPPPP u përgjigj kështu:

Nëse i referoheni statistikave të urdhrave të bllokimit të përkohshëm që nxjerr DPPPP, ato janë produkt i elementeve të mirëpërcaktuar në ligj dhe urdhra të tillë nxirren vetëm kur marrim dijeni për një transaksion në proces për të cilin ‘ka arsye të bazuara në fakte dhe rrethana konkrete për pastrim parash dhe financim terrorizmi’.  Këta urdhëra nuk mund të krahasohen në terma statistikorë pasi janë produkt i elementeve specifike, që në një vit mund të ndodhin me shumë apo më pak.”

“Faktoje” konsultoi me ekspertët edhe deklaratën tjetër të deputetes së Partisë Demokratike, njëherazi kryetare e Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian, Jorida Tabaku se “Amnistia fiskale” mund të kthehet në bllokuese të procesit të integrimit të vendit.

Amnistia fiskale shkon në kahun e kundërt të angazhimeve që Shqipëria ka marrë ndaj Bashkimit Europian në Kuadër të parandalimit të pastrimit të parave dhe potencialisht financimit të terrorizimit”. – argumenton ish-prokurori Muçi.

Për ish-zv.ministren e Drejtësisë, Brikena Kasmi, miratimi i “Amnistisë fiskale” është gjithashtu i nxitur dhe mund të përkeqësojë pozicionin e vendit në drejtim të pastrimit të parave.

Amnistia Fiskale është një përjashtim nga rregulli i përgjithshëm. Në parim amnistia është një mekanizëm që përdoret në fusha e sektorë të ndryshëm, herë pas here nga qeveritë për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve, por edhe mekanizmave kontrollues shtetërorë, është një formë rregullimi e një politike që nuk është zbatuar mirë ndër vite – një mekanizëm drejtimi. Në mënyrë që të zbatohet përjashtimi nga rregulli duhet të sigurohet terreni që ky fenomen i keqzbatuar nuk do të ndodhë më.  Në rastin konkret, me evidentimin e një sërë boshllëqeve të luftës kundër pastrimit të parave dhe çështjeve të terrorizmit, amnistia mund të krijojë premisa dhe risqe që i hapin shtigje veprimtarive penale dhe metodave të pastrimit të parave apo edhe më me rrezik, të terrorizmit.” – argumenton Kasmi.

“Amnistia fiskale” më herët është kundërshtuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimi Europian.

Vitin e shkuar, sipas të dhënave nga Prokuroria e Përgjithshme pati 301 procedime penale në fushën e pastrimit të parave nga 286 në 2020-n.

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të integrimit Europian të zhvilluar më 18 maj, kryeprokurori, Olsian Çela shtoi se nga procedimet e kryera, 56 persona janë marrë të pandehur, 33 janë dërguar për gjykim dhe vetëm 21 persona janë dënuar.

I pakënaqur me shifrat u duk edhe shefi i prokurorisë, Çela kur tha:

“Relativisht ka përmirësime, ashtu siç duket, por hapësira për përmirësim është mjaft më e madhe se sa ajo që është arritur deri tani dhe mbetet goxha për t’u përmirësuar në këtë drejtim dhe do të jetë sërish një nga objektivat tanë për vitin në vijim.”

“Koka”, “Taçi” e “Prifti” janë disa nga çështjet e fundit e hetuara për pastrim parash në vend. Mbi ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, biznesmenin Rezart Taçi dhe mjekun kardiolog, Edvin Prifti rëndojnë akuza të pastrimit të parave në miliona euro.

Relativisht ka përmirësime, ashtu siç duket, por hapësira për përmirësim është mjaft më

e madhe se sa ajo që është arritur deri tani dhe mbetet goxha për t’u përmirësuar në këtë drejtim

dhe do të jetë sërish një nga objektivat tanë për vitin në vijim.

Pas verifikimit të dy pretendimeve në dokumentet e Parlamentit Europian e Këshillit Europian e konsultave me ekspertë të fushës, deklaratat e deputetes së Partisë Demokratike, njëherazi kryetare e Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian, Jorida Tabaku do t’i kategorizojmë si “Të vërteta”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img