BallinaFaktometerE PavërtetëA i përmbush Shqipëria 15 kushtet për të merituar hyrjen në BE?

A i përmbush Shqipëria 15 kushtet për të merituar hyrjen në BE?

MARJO BRAKA

Shqipëria nuk i përmbush të 15 kushtet për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, ndonëse qeveria thotë se ka bërë detyrat për t’u ulur në Konferencën e Parë Ndërqeveritare. “Faktoje” bashkë me ekspertë të specializuar në disa fusha, konstatoi se vendi ka përmbushur më pak se gjysmën e këtyre kushteve, ndërsa janë shënuar hapa prapa në përmbushjen e disa kritereve ‘jetike’ për të vijuar rrugëtimin drejt “unionit”. Sivjet raportet e vënë theksin te korrupsioni i lartë në vend, pandëshkueshmëria e zyrtarëve të lartë për shitblerjen e votave, lufta kundër krimit të organizuar ndërsa statistika dëshmojnë numër të lartë riatdhesimesh të Shqiptarëve që kërkojnë ‘tokën e premtuar’ në Europë.

 

 

Rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian është e mbushur me kushte dhe ato duhen përmbushur. Kjo është konfirmuar nga Komisioni Europian në deklarata, në përgjigje zyrtare për “Faktoje”, nga shtetet anëtare, përfaqësuesit e lartë të BE-së dhe është pranuar edhe nga zyrtarët shqiptarë. E kushtëzuar madje ishte edhe “Po-ja” që Shqipëria mori për hapjen e negociatave marsin e vitit 2020. Rrugëtimi i  vendit drejt Bashkimit Europian ka qenë i mbushur me kushte prej 27 qershorit të vitit 2014, kur Shqipëria mori statusin e vendit kandidat.

Kushtet janë të shumta e të shtrira në disa drejtime, ato janë vendosur sa nga institucionet e Bashikimit Europian dhe të tjera nga vendet anëtare, ndërsa sot përmblidhen në 15 të tilla.

Kushtet që Shqipëria duhet të përmbushë në rrugën drejt anëtarësimit në BE

  • Miratimi i Reformës Zgjedhore
  • Funksionimi i Gjykatës Kushtetuese
  • Funksionimi i Gjykatës së Lartë
  • Forcimi i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar
  • Ulja e numrit të azilkërkuesve shqiptarë
  • Rishikimi i ligjit të medias në linjën e rekomandimeve të Komisionit të Venecias
  • Vazhdimi i Reformës në Drejtësi
  • Dënimi i ish-zyrtarëve dhe politikanëve të përfshirë në blerjen e votave
  • Progresi në reformën administrative
  • Zbatimi i Reformës Zgjedhore
  • Vendimi mbi ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale 2019
  • Miratimi i akteve nënligjore për Ligjin për Pakicat Kombëtare
  • Miratimi i ndryshimeve për Rregjistrimin e Popullsisë
  • Ecuria e regjistrimit të pronave

Miratimi i Reformës Zgjedhore me 100 vota pro dhe 6 kundër në 23 korrik të vitit 2020 u duk sikur do t’i jepte fund një herë e mirë pakënaqësive për Kodin Zgjedhor të vendit si nga partitë politike, ashtu edhe nga ndërkombëtarët.

“Reforma Zgjedhore nuk ka përmbushur pritshmëritë. Ajo nuk ka krijuar mundësinë për gjithëpërfshirje. Partitë e vogla politike diskriminohen dhe reforma devijoi nga qëllimi fillestar. Nisma e re nuk zgjidhi problemet e vjetra të Kodit Zgjedhor” – thotë politologu Bledar Milaqi, kur kanë kaluar 2 vite nga ky proces.

Për të përforcuar argumentet, ai rikujton se në fillim të majit të këtij viti, ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Vincenzo Del Monaco nisi edhe konsultimet me faktorët politikë për Reformën Zgjedhore.

Ngritja dhe funksionimi i Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë vijon të mbesë një sfidë për vendin. Gjykatës Kushtetuese i duhet edhe një anëtar për të plotësuar numrin total prej 9 anëtarësh. Gjykata e Lartë po funksionon me 13 nga 19 gjyqtarë që duhet të ketë, ndërsa numri i dosjeve të prapambetura ka arritur në mbi 35 mijë.

“Nevoja për stabilitet e rendit Shqipërinë në listën e vendeve prioritare, por nevoja për demokraci funksionale, si standard drejt BE-së, e rendit Shqipërinë në listën e vendeve kritike.” – argumenton drejtuesi i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi  mbi nevojën e pasjes funksionale të këtyre institucioneve.

E nëse për kushtet e marra në analizë deri më tani vendi ka bërë pak hapa para, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Për pedagogun Ilir Aliaj, kjo mund të konstatohet edhe në raportin e progresit të vitit të shkuar të Komisionit Europian për Shqipërinë.

“Shikoni raportin e fundit të Komisionit Europian për progresin e Shqipërisë dhe togfjalëshi më i përhapur është “korrupsion i madh”. Nga ana tjetër mungon lufta ndaj krimit te organizuar.” – thotë ai.

Në raportin e progresit të Komisionit Europian të tetorit 2021 thuhej se numri i çështjeve për korrupsion, që përfshijnë zyrtarë të lartë ende mbetet i kufizuar dhe vazhdon kultura e mosndëshkimit në nivelet e larta të shtetit.

Po kështu së fundmi është edhe raporti i Departamentit amerikan të Shtetit i cili jep një pasqyrë negative të situatës në vend. Aty thuhet se Shqipëria është një vend me korrupsion të lartë si në pushtetin vendor ashtu dhe në qeverinë qendrore.” – shton Aliaj.

Shqipëria ka mbetur në vendnumëro gjithashtu edhe në drejtim të kushtit tjetër, atij për uljen e numrit të azilkërkuesve në vendet e Bashkimit Europian.

“Po t’i referohemi statistikave, Shqipëria mbetet vendi me numrin më të lartë të azilkërkuesve në Ballkanin Perëndimor. Gjithashtu, vendi ka nivele shumë të larta të të riatdhesuarve nga Gjermania, Britania e Madhe apo edhe vendet e tjera të Bashkimit Europian” – argumenton politologu Bledar Milaqi.

Rishikimi i ligjit të ashtuquajtur “Anti-shpifje”, është një tjetër kërkesë e BE-së, e cila për momentin “ka ngrirë”. Komisioni i Venecias, më 5 qershor 2020 i kërkoi Qeverisë së Shqipërisë të rishikojë paketën “Anti-Shpifje”. Në opinionin e saj Venecia vlerësoi se paketa “Anti-Shpifje” nuk është gati për t’u adoptuar dhe karakterizohet nga vakuum ligjor. Qeveria, deri më tani nuk ka dhënë ndonjë “shenjë” reflektimi mbi “Paketën AntiShpifje”.

“Nga agjenda politike ende nuk është hequr qartazi e ashtuquajtura paketë anti-shpifje, që do t’i jepte shtetit pushtet disproporcional mbi përmbajtjen e mediave online dhe do të përforconte auto-censurën, ndonëse versioni i saj fillestar është kritikuar nga Këshilli i Evropës, Bashkimi Evropian dhe nga organizatat ndërkombëtare për lirinë e shtypit,” – thuhet në raportin e fillim-majit të organizatës “Reporterë pa kufij”.

Ndërkohë që kushti për vijimin e Reformës në Drejtësi, mund të vlerësohet si “në përmbushje e sipër”, kjo nuk mund të thuhet edhe për dënimin e ish-zyrtarëve dhe politikanëve të përfshirë në blerjen e votave.

“Haptazi nuk është përmbushur. Në asnjë proces nuk kemi zyrtarë të lartë politikë të dënuar me akuzën e shitblerjes së votës. Madje, te ne ka ndodhur e kundërta. Ministri aktual i Drejtësisë, Ulsi Manja, i cili mbante më herët pozicionin e drejtuesit të Komisionit të Ligjeve ka dalë në përgjime ku ka të dhëna potenciale të ndikimit te vota. E ritheksoj që ky është një kusht katërcipërisht i papërmbushur!”  – argumenton prerazi politologu, Bledar Milaqi.

Kjo pohohet edhe nga Departamenti amerikan i Shtetit në raportin e fundit në të cilin thuhet:

“Ndërsa prokurorët bënë përparim të rëndësishëm në ndjekjen e rasteve të korrupsionit publik të nivelit të ulët dhe të mesëm, shkalla e ndjekjes penale për zyrtarët e rangut të lartë mbeti e ulët”.

Vendimi mbi ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale 2019 mund të konsiderohet një kusht i përmbushur plotësisht. Gjykata Kushtetuese la në fuqi zgjedhjet e “30 qershorit 2019”.

Miratimi i Akteve nënligjore të Ligjit për Pakicat Kombëtare vijon të jetë i paplotë. Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për vitin 2019, thekson problematikat lidhur me zbatimin e të drejtave të minoriteteve. Ndërkohë edhe miratimi i ndryshimeve për Regjistrimin e Popullsisë si dhe ecuria e regjistrimit të pronave vijojnë të mbesin në pikëpyetje.

Rikthimi i pronave te pronarët ligjorë nuk ka ndodhur ende. Vijon të mbesë një proces gangrenë. Deri më tani mund të themi se kemi përafrim me kornizën ligjore të Bashkimit Europian, por në përmbushjen e kushteve jemi larg. Procesi i deritanishëm është jofunksional dhe tejet i ngurtë” – argumenton politologu Milaqi.

Në përpjekje për të përmbledhur ecurinë e deritanishme të kushteve që Shqipëria ka për të përmbushur për të vijuar rrugën drejt Bashkimit Europian, politologu Afrim Krasniqi thotë:

“Niveli i korrupsionit është rritur ndjeshëm, valët e emigrimit drejt BE vijojnë me intensitet më të lartë se vendet e tjera të rajonit, lidhja e politikës me krimin është temë dominuese në raportimet ndërkombëtare mbi Shqipërinë dhe rënia e standardit ekonomik të jetesës shihet si katalizator për thellimin e krizës së demokracisë funksionale. Në këto rrethana, me ose pa Maqedoninë e Veriut, progresi i Shqipërisë drejt BE është i kushtëzuar më shumë nga ecuria e brendshme politike dhe ekonomike, sesa nga proceset e brendshme në BE.”

Në linjë të ngjashme shprehet edhe pedagogu Ilir Aliaj, i cili thotë:

“Shitblerja e votës, e drejta për t’u gjykuar nga një gjykatë e pavarur dhe brenda afatit, liria e shprehjes, e drejta për t’u informuar, e drejta për të zgjedhur lirisht mes alternativave politike, respektimi i pronës private, media me pronar që janë pro qeverisë, emërimet në sistemin e drejtësisë të politizuara, ngadalësi ne zbatimin e Reformës në Drejtësi.”

Me qëllim kthimin e kursit dhe avancimin e rrugës drejt “unionit”, Krasniqi propozon:

“Në kushtet aktuale zgjidhja më e mirë për Shqipërinë do të kishte qenë një paketë reformash konsensuale për të parandaluar thellimin e krizës së demokracisë dhe shtetit të së drejtës, të rënies ekonomike dhe të emigrimit, shoqëruar kjo me lobing më të madh ndërkombëtar në favor të integrimit të secilit vend rajonal në procesin e integrimit. Po ashtu, për Shqipërinë është jetike përshkallëzimi real i dekriminalizimit të shtetit dhe politikës përmes vendosjes para drejtësisë së zyrtarëve të lartë përgjegjës për korrupsionin, si dhe forcimi I komponentit të dhënies së drejtësisë përmes plotësimit dhe funksionalitetit të të gjitha institucioneve të reja të drejtësisë.”

Në përfundim mund të thuhet se Shqipëria ka përmbushur 6 kushte, 5 janë në proces e sipër ndërsa pjesa tjetër janë ende pa u realizuar.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img