BallinaAktualitetCovid-19COVID-19, situata në Vlorë dhe Gjirokastër 

COVID-19, situata në Vlorë dhe Gjirokastër 

INVA HASANALIAJ & ANXHELA RUÇI

8 ditë pasi në Shqipëri u shënua rasti i parë me koronavirus, harta e të prekurve është zgjeruar në  Tiranë, Durrës, Rrogozhinë, Fier, Elbasan, Lushnje. Por çfarë ndodh në Vlorë e Gjirokastër, ku nuk ka ndonjë person të konfirmuar zyrtarisht më koronavirus? Autoritetet e ISHP dhe ato spitalore thonë se e kanë situatën në kontroll, por kur “Faktoje” i pyeti sesa tamponë kanë në dispozicion për testimin e popullsisë, nuk morëm një përgjigje.

————————————————————————————————————————————————————

“Nuk mund të luftosh një pandemi nëse nuk di kush është i infektuar” Kjo ishte deklarata që drejtori i përgjithshëm i OBSH bëri në kuadër të luftës ndaj virusit Covid-19 .

Pjesë e kësaj lufte është edhe Shqipëria, ku numri i të infektuarve sipas shifrave zyrtare i kalon 50 personat.

“Faktoje” ka pyetur në qytetin e Vlorës dhe të Gjirokastrës sesi paraqitet situata, edhe pse  zyrtarisht në këto dy qarqe nuk është shënuar ndonjë rast me COVID-19. 

Instituti i Shëndetit Publik, Vlorë

Në qytetin e Vlorës drejtori i Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) Agron Bashllari tha për “Faktoje” se merr mbi 100 telefonata në ditë nga qytetarë të cilët kërkojnë të testohen, për të kuptuar nëse janë apo jo të prekur nga ky virus. 

Deri më 17 mars, nga Vlora në Tiranë janë dërguar 32 mostra për analiza, të cilat sipas Bashllarit kanë rezultuar të gjitha negative. Pavarësisht thirrjes së OBSH për testime, sipas drejtorit të ISHP Vlorë, në mungesë të një protokolli apo urdhëri zyrtar, kjo nuk mund të bëhet lirisht për çdo qytetar që kërkon të kryejë këtë test.  

“Ne jemi duke ndjekur situatën edhe sipas anketimeve të ndryshme që bëjmë me qytetarët të cilët na kanë telefonuar të shqetësuar për shenja të mundshme”-u shpreh Bashllari. 

Me disa prej qytetarëve mbahen kontakte telefonike pa qenë nevoja e paraqitjes fizikisht të personit në spital, kjo sipas Bashllarit për të parandalimin e përhapjes edhe te mjekët.

Spitali Rajonal i Vlorës

Pyetjes nëse ISHP e Vlorës ka numër të mjaftueshëm të tamponëve në dispozicion, Bashllari tha se janë menaxhuar me kujdes. “Ne ende nuk dimë sesa tamponë ka Vlora në dispozicion nëse numri  qytetarëve të infektuar rritet dhe kjo prek edhe Vlorën.”-i tha Bashllari “Faktoje”.

Po ashtu, sipas këtij institucioni personeli prej 22 personash që bën menaxhimin e situatës në Vlorë është mëse i mjaftueshëm.

Në qytetin e Gjirokastrës, vend kufijtar me Greqinë, shtet i cili numëron qindra të prekur me COVID-19, situata paraqitet më e qetë.

Drejtori i Spitalit Rajonal “Omer Nishani” Gjirokastër, Sokol Feruni tha se qëkur në Shqipëri u identifikuan rastet e para pozitive me koronavirus, në Gjirokastër është testuar vetëm një person, i dyshuar si i prekur, por edhe ai ka rezultuar negativ.

 Spitali Rajonal Gjirokastër

Stafi mjekësor i spitalit të Gjirokastrës, sipas Ferunit është i pajisur me të gjitha masat e nevojshme për të përballuar situatën nga koronavirusi.

“Faktoje” komunikoi edhe me drejtorin e Shëndetit Publik Gjirokastër, Shpëtim Novi i cili na shpjegoi sesi procedohet me personat e dyshuar të infektuar. Sipas Novit, pas paraqitjes së rastit tek mjeku i familjes apo në spitalin rajonal, epidemiologu i ISHP-së merr tamponin me analizat e të dyshuarit dhe e nis në drejtim të Tiranës për të marrë përgjigje për gjendjen e të dyshuarit, përgjigje e cila nuk zgjat më shumë se 8 orë.

 Instituti i Shëndetit Publik, Gjirokastër

Sipas protokollit, pacienti që dyshon se është i infektuar, duhet të telefonojë fillimish në numrin e urgjencës kombëtare 127, më pas ndjekë udhëzimet e tjera.  Edhe nga ISHP Gjirokastër nuk kemi shifër të tamponëve në dispozicion për testimin e të dyshuarve me COVID-19.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img