Pretendimi: Mbreti i Spanjës deklaroi se Izraeli po kryen gjenocid dhe masakër në Gaza

Verdikti: E pavërtetë

Mbreti i Spanjës nuk deklaroi se Izraeli po kryen gjenocid dhe masakër në Gaza, siç pretendohet në psotime të shpërndara në rrjetet sociale në vendin tonë. Verifikimet tregojnë se Mbretit Felipe VI shprehu shqetësimin për rëndimin e krizës në Lindjen e Mesme, por nuk e akuzoi Izraelin për situatën në Gaza.

Në mediat sociale në vendin tonë po qarkullojnë postime ku pretendohet se mbreti i Spanjës, Felipe VI ka denoncuar publikisht gjenocidin e Izraelit ndaj palestinezëve.

Mbreti i Spanjës akuzoi Izraelin për gjenocid dhe masakër në Gaza”-shkruhet në një nga këto postime në 10 maj.

Postimet e shpërndara në rrjetet sociale

Spanja është një nga vendet që ka mbajtur qëndrime të hapura kundër ndërhyrjes së Izraelit, por megjithatë një deklaratë e tillë e Mbretit nuk do të kalonte pa zhurmë në mediat botërore.

Ne vendosëm të bëjmë një verifikim të këtyre pretendimeve, fillimisht duke gjetur fjalimin e plotë të Mbretit të Spanjës.

Mbreti Felipe VI mori pjesë në Forumin e 5-të Ndërkombëtar të Zgjerimit të mbajtur në Madrid, Spanjë më 8 maj, ku mbylli seancën mbi ‘inteligjencën artificiale’ dhe kryesoi darkën institucionale të samitit.

Gjatë takimit ai foli edhe për sulmet mes Izraelit dhe Hamasit, ku shprehu shqetësimin për rëndimin e krizës në Lindjen e Mesme që lindi nga konflikti midis Izraelit dhe Gazës.

“Sot është shtuar një tjetër konflikt. Përkeqësimi i krizës në Lindjen e Mesme, siç nuk e kemi parë më herët. Pasojat e tyre gjithashtu tejkalojnë nivelin rajonal dhe po projektohen globalisht, me një pasiguri të madhe se deri ku mund të jenë, apo cilat mund të jenë pasojat.

Kujtojmë se e gjithë kjo nuk fillon në atë ditë fatale të 7 tetorit. Por, pikërisht atëherë, me atë sekuencë të sulmeve të tmerrshme terroriste në shkallë të gjerë ndaj Izraelit, të kryera nga Gaza, filloi ky përshkallëzim i tmerrshëm i dhunës.

Sot, me shkatërrimin e tmerrshëm dhe situatën humanitare në Gaza, ajo po merr përmasa të paimagjinuara muaj më parë. Dhe është një shqetësim i madh për të gjithë ne. Këtu përfaqësuesi Josep Borrell është i angazhuar çdo ditë në të dhe pa dyshim e kuptojmë shumë mirë se çfarë po kalon”-deklaroi Mbreti i Spanjës.

Pra, Mbreti Felipe VI në asnjë moment gjatë fjalimit të tij nuk shqiptoi fjalët “masakër” ose “gjenocid”, as nuk e akuzon Izraelin për këtë.

Këto pretendime janë verifikuar edhe nga kolegët e Maldita, një organizatë fakt-verfikuese në Spanjë.

Artikulli paraprakGjysmë e vërteta e Delina Ibrahimajt për incidentin e bashkëshortit
Artikulli tjetërÇmimi i bukës në Slloveni trazon qetësinë e shqiptarëve në rajon
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.