Qeveria shpalli 2 paketa ekonomike brenda 3 javësh, me qëllim dhënien e ndihmës për kategoritë më vulnerabël, sipas saj për shkak të masave ndaj COVID-19. Paketa e fundit u publikua nga kryeministri më 13 prill dhe i adresohej 176 mijë familjeve me një ndihmë direkte monetare. Sa e qartë ishte kjo paketë? Kush mbeti jashtë saj? Ekspertët e ekonomisë, zoti Arben Malaj dhe zoti Adrian Civici japin këndvështrimet e tyre.


Paketa e parë ekonomike e qeverisë për të ndihmuar mbijetesën në këtë kohë kufizimesh të gjithanshme nga pandemia, u publikua nga kryeministri Rama më 19 mars. Ajo përmbante 7 pika, mes të cilave programohej ndihma për sistemin shëndetësor, biznesin e madh nëpërmjet një garancie sovrane, dhe shtresave më në nevojë. Për këta të fundit ndihma ishte në formën e një page lufte prej 26 mijë lekësh për të vetëpunësuarit e biznesit të vogël që mbyllën aktivitetin për shkak të pandemisë, dyfishimi i ndihmës financiare dhe të asistencës për papunësinë.

13 prill, kryeministri Rama njoftoi paketën e zgjeruar të ndihmës financiare, ku premtoi një pagesë fikse për ata që nuk u përfshinë në paketën e parë. Këtu përfshiheshin personat të cilët vazhdonin ta mbanin hapur biznesin e tyre, por që për shkak të masave kufizuese pësuan rënie të konsiderueshme të punës.

“Faktoje” kontaktoi me ekspertin e ekonomisë, zotin Adrian Civici, për ta pyetur mbi paketën ekonomike dhe diferencën e saj me paketën e parë. Ai thotë se ndërsa paketa e parë konsiderohej si paketa e emergjencës, ku parashikoheshin mbështetja maksimale e sistemit shëndetësor dhe garantimi i konsumit për shtresat më në nevojë, paketa B synon të ndihmojë në dy drejtime. Zoti Civici shpjegon se kjo paketë vazhdon ta ketë në konsideratë anën sociale, por ka edhe elementë që e ndihmojnë biznesin.

“Nëse do t’i ndajmë në një lloj përqindjeje është në raportin 80% ana sociale me 20% ana e biznesit, në sensin që sërish u vazhdua me mbështetjen me pagat prej 40 mijë lekësh të reja për të gjithë ata që janë të papunë, aktiviteti i të cilëve u mbyll ose nuk funksionoi në këtë periudhë, por njëkohësisht u bënë disa hapa më shumë në drejtim të biznesit për të mos e lënë që të shkojë deri në pikën zero ose në pikën e falimentimit.”, tha zoti Civici.

Po sa i qartë është ky plan?

“Faktoje” iu drejtua ish-Ministrit të Financave, zotit Arben Malaj për të pyetur sa efikase dhe të qartë e sheh këtë paketë. Ndërkohë që në vendet e tjera qeveritë mundohen ta rrisin transparencën, të deklarojnë mbështetjen javore apo mujore dhe sa vihet në dispozicion menjëherë, në vendin tonë ka një lloj paqartësie, thekson Malaj.

“Në qoftë se thuhet se do të përfitojë 40 mijë lekë, e para për sa muaj janë? Që të dimë afërsisht sa merr në çdo muaj. Janë për 2 muaj? Janë për 3 muaj? Se është konsideruar një pagesë e menjëhershme, një lloj ndihme.

Dhe mekanizmi i shpërndarjes duhet të ishte i menjëhershëm, sepse thuhet që do fillojë në datë 20 prill, kur njerëzit kemi parasysh që kanë filluar ta ndjejnë koston e papunësisë apo koston e varfërisë për shkak të humbjes edhe të burimeve të tjera potenciale.” u shpreh zoti Malaj.

I këtij mendimi ështe edhe zoti Civici, i cili tregon se ka paqartësi jo vetëm mes qytetarëve që përfitojnë pagesën prej 40 mijë lekësh, por edhe bizneseve.

“Masat duhet të bëhen të qarta, me VKM, me pjesën institucionale të nevojshme, sepse akoma ka paqartësi për ata që përfitojnë pagesën prej 40 mijë lekësh. Nëse do jetë një pagesë e bërë vetëm një herë apo do bëhet çdo muaj. Ka vështirësi të bizneseve nëpër banka për të qartësuar se çfarë do me thënë garanci me kredi sovrane. Pra që shteti garanton kredinë dhe bizneset nuk kanë nevojë për kolateral. Të paktën nga deklaratat e shumë bizneseve ka patur shqetësime në këtë pikë, që nuk po mund ta vënë në funksionim si duhet.”- tha zoti Civici.

Ndërkohë zoti Malaj sjell një tjetër problematike, mungesën e proporcionalitetit në ndihmën e menjëhershme që do t’u jepet njerëzve në formën e 40 mijë lekëve. Ai beson që do të ishte më e mirë edhe për përfituesit realë në qoftë se do të përcaktohej kuota sipas grupeve sociale, të cilat qeveria merr përsipër t’i ndihmojë.

“Njerëzit shikojnë edhe aty një lloj solidariteti, sepse një shifër e barabartë për të gjithë kur numri i pjesëtarëve për familje është i ndryshëm, mundësia është e ndryshme… Duhet të kishim një formë ID sociale të çdo familjeje shqiptare në mënyrë që edhe kur ndërtojmë politika,t të financojmë këto shtresime sociale. Paratë të shkojnë në mënyrë propocionale aty ku është më e domosdoshme.”, tha zoti Malaj.

Kush e mban riskun në këtë situatë?

Situata ekonomike e shkaktuar nga koronavirusi është delikate, veçanërisht kur vë në sprovë një ekonomi të vogël si ajo e jona. I pyetur se kush i mban risqet, zoti Malaj na tha se në këtë situatë kemi tre “aksionerë”: individët, biznesi dhe qeveria. Të tre do të paguajnë kostot e tyre.

“1. Grupi i parë, do preken individët, do kenë më pak të ardhura. Duke pasur më pak të ardhura do rrezikohen më shumë nga varfëria. Duke pasur një krizë të thellë mund të zgjasë papunësia.

2. Grupi i dytë do të jetë biznesi, i cili pavarësisht nga çdo lloj skenari që të mbështetet nga qeveria, nuk ka asnjë qeveri në botë që kompenson humbjet që ka biznesi nga një krizë. Pra shumë politika janë spostim detyrimesh për t’u paguar më vonë, por nuk janë falje detyrimesh.

3. Grupi i tretë që paguan një kosto ndërmjet rritjes së borxhit, është kosto e taksapaguesve shqiptarë, por në këtë rast flasim për buxhetin, është qeveria. Çdo qeveri në kohë krize del me një borxh më të madh.”- tha zoti Malaj

Kush ka mbetur jashtë paketave ekonomike?

Kur prezantoi paketën e parë, kryeministri Rama njoftoi se do të ndihmoheshin 123 mijë individë, ndërsa në paketën e dytë 176 mijë të tjerë, pra një total prej rreth 300 mijë individësh. Kush mbeti jashtë dy paketave ekonomike? Zoti Civici thekson se ka mbetur “jashtë skemës” i gjithë sektori bujqësor.

“Nga dy paketat e fundit kanë mbetur jashtë gjithë pjesa e sektorit rural, bujqësor, sepse ne nuk i konsiderojmë të nevojshëm për t’iu dhënë ndihma. Sepse edhe kur llogarisim punësimin në Shqipëri, kushdo që ka një pronë, sado minimale, në sektorin bujqësor quhet i vetëpunësuar dhe besoj që kjo pjesë akoma nuk është diskutuar dhe nuk është shtruar për zgjidhje.”- tha ai.

Edhe sipas ish-ministrit Malaj sektori i bujqësisë duhej të kishte kolonën e dedikuar nga qeveria, që për pjesën rurale, për bizneset dhe individët të kemi një lloj mbështetjeje dhe solidariteti.

“Edhe pse bujqësia përfaqëson 18% të PBB dhe është e prekur nga pandemia, aq më tepër, do të preket akoma më shumë në qoftë se nuk do arrijmë dot sezonin turistik. Pra, do të preket agropërpunimi, do të preket agroturizmi. Me gjithë kërkesën e bërë edhe nga ekspertët e bujqësisë, edhe nga shoqatat e biznesit të bujqësisë, qeveria nuk ka paraqitur asnjë paketë se si do t’i asistojë.”- tha zoti Malaj.

Një paketë e tretë në horizont

Shumë shpejt, ashtu siç paralajmëroi kryeministri Rama, mes datave 20 dhe 25 maj mund të kemi një paketë të tretë ekonomike. Edhe zoti Civici, duke iu referuar sinjaleve që ka dhënë kryeministri Rama, beson se në javët në vijim do kemi një paketë C të orientuar kryesisht drejt biznesit dhe sektorëve më të dëmtuar prej tij.

“Paketa C në vetvete mund të mbajë një nënpaketë për sektorin e turizmit dhe sektorin e shërbimeve që është sektori më i prekur dhe pak mundësi ka që edhe të ringrihet në këtë sezon vere. Mund të ketë elementë të veçantë për sektorin e fasonëve, që është sektor që punëson një numër të konsiderueshëm punonjësish.”- tha zoti Civici.

Duke iu rikthyer paketave që janë duke u zbatuar tashmë, një tjetër element që spikat është fakti se e paketa e dytë nuk ishte një vazhdim i të parës, duke reflektuar një mungesë studimi të mirëfilltë. Ja si e shpjegon ish-ministri Malaj:

“Nuk ishte një vazhdim i paketës që u mendua në fillim që këtë mbështetje do të japim për papunësinë, këtë për të paaftët për punë, këtë për të sëmurët, këtë për biznesin individual, familjar, për biznesin e madh, por përgjithësisht janë bërë dy paketa më shumë bazuar në presionet publike lidhur me domosdoshmërinë e ndërhyrjes, por jo me një studim të mirëfilltë.”

JOEL ÇELA