Prej tre javësh, ndalimi i dinarit në Kosovë është kryefjalë e përplasjes mes Serbisë dhe Kosovës. Shkak u bë rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës që përforcon faktin se euro është valute e vetme e ligjshme. Edhe pse vendimi është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, praktika e deritanishme e përdorimit të dinarit në komunat me shumicë serbe i ka bërë ndërkombëtart të kërkojnë pezullimin e vendimit, me qëllim vendosjen e një periudhe tranzitore për përshtatje. Ekspertët shpjegojnë për Faktoje çfarë sjell në të vërtetë vendimi i Bankës Qëndrore të Kosovës për serbët që jetojnë në Kosovë por edhe për vetë shtetin e Kosovës.
Në Kosovë, në komunat me shumicë popullsie serbe, prej përfundimit të luftës qytetarët janë paguar dhe kanë psonisur në dinarë. Eurot përdoren gjithashtu, por njëra valutë nuk ka përjashtuar tjetrën prej të paktën 22 vitesh në këto komuna.
Kjo praktikë u vendos në pikëpyetje në 17 janar 2024. Atë ditë, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) publikoi një rregullore që theksoi se valuta e vetme e lejuar për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është Euro. Valutat jo-euro sipas rregullores mund të përdoren vetëm për t’u ruajtur në llogari bankare dhe me to mund të kryhen pagesa ndërkombëtare e të përdoren për këmbim. Këmbimi mund të bëhet vetëm përmes institucioneve që Banka Qendrore e Kosovës licenson për këtë shërbim. Pasojë e vendimit është edhe ndalimi i dinarit në Kosovë.
Rregullorja hyri në fuqi në 1 shkurt 2024.
Historiku i valutave në Kosovë
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK në shtator 1999 vendosi përdorimin e markës gjermane dhe monedhave të tjera të huaja në Kosovë. Shkak ishte ekzistenca e shumave të konsiderueshme të markes gjermane, që ishte valuta më e përdorur në periudhën para luftës, si dhe fakti që popullsia ishte e familiarizuar me këtë monedhë.
Në vitin 2002 UNMIK dhe Bashkimi Europian i besuan Bankës Qendrore të Kosovës (asokohe BPK) zëvendësimin e monedhës në euro në bashkëpunim me Bankën Qendrore Europiane. Edhe pse nuk është pjesë e Eurozonës, Kosova shpalli ligjërisht euron valutë të vetme zyrtare. Kushtetuta e Kosovës e vitit 2008 përcaktoi ‘si mjet të vlefshëm pagese përdorimin e një valute të vetme’ (neni 11).
Si ka funksionuar dinari në Kosovë
Pavarësisht ligjeve në fuqi, shteti i Kosovës ka qënë në dijeni të funksionimit të një sistemi paralel, përmes të cilit Serbia paguan serbët në Kosovë në dinarë. Duke përdorur rrugë tokësore, Serbia përmes kompanisë britanike Henderson dërgon dinarë në Bankën Qendrore të Serbisë që ka një kasafortë në Leposaviç. Geron Kamberi, hulumtues i Qendrës për Studime të Demokracisë dhe Qeverisjes, këtë mënyrë pagese e quan si një “marrëveshje të heshtur” që ka funksionuar në 22 vite.
“Serbia e përdor këtë rrugë për të paguar 31,831 të punësuar të minoritetit serb në veri të Kosovës në sistemin e shëndetësisë, arsimit dhe shërbimeve të ndryshme publike; 29,115 pensionistë nga të cilët 4,700 i tërheqin pensionet “cash” në filialet e Bankës Popullore të Serbisë, si dhe paguan gjithashtu përmes këtij fondi edhe 31,586 banorë serbë që janë përfitues të asistencës sociale”. — Geron Kamberi
“Ndalimi i dinarit në Kosovë — nxitim i panevojshëm”
Rregullorja e BQK-së dhe fakti se zbatimi i saj nisi dy javë pas shpalljes solli shumë reagime. Serbia u ndërsye duke akuzuar Kosovën për “spastrim pa përdorimin e armëve”. Vendimi u pa me shqetësim edhe nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Komisioni Europian shprehu keqardhje për miratimin e vendimit pa konsultim paraprak, nisur nga efekti që ndalimi i dinarit në Kosovë mund të ketë në përditshmërinë e serbëve në Kosovë, duke veçuar ndikimin që vendimi ka në shkolla dhe spitale. BE kërkoi që faza tranzitore e hyrjes në fuqi të vendimit të jetë e gjatë mjaftueshëm për përshtatjen që duhet të bëjnë qytetarët dhe institucionet.
Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Gjermania, Italia dhe Britania, shtete anëtare në organizatën QUINT, kërkuan shtyrjen e zbatimit për të lejuar një tranzicion të nevojshëm për t’u përshtatur. ‘Të nxituar dhe jo të drejtë’ e vlerëson vendimin edhe Selami Xhepa, doktor i shkelcave ekonomike në Univeristetin e Tiranës.
“Vendime të natyrës së tillë ekonomike nuk merren me një fuqi veprimi të menjëhershëm, dmth sot del ligji dhe sot hyn në fuqi. Bëhet fjalë për një fenomen ekonomik që ka që ndrueshmëri në kohë për shkak të historisë së vetë dhe për pasojë vendime të tilla, edhe nëse merren për arsye politike, duhet të kenë një fazë të gjatë tranzicioni të zëvendësimit të parasë.” — Selami Xhepa.
Sa ndikon tek qytetarët ndalimi i dinarit në Kosovë
Shqetësimi i qytetarëve serbë në Kosovë se nuk do kenë mundësi të marrin pagat apo pensionet nga Serbia, për eksperët është një teknikalitet që zgjidhet përmes sistemit bankar. Eksperti Geron Kamberi thekson se pengesa që krijohet është më shumë e karakterit psikologjik, si një fazë tranzitore e përshtatjes së banorëve të komunitetit serb me këtë mënyrë të re pagese.
“Familjet serbe në veri të Kosovës kanë privilegjin të kenë dy llogari bankare aktive. Janë 43 mijë llogari aktive ku transferohen para nga buxheti i Kosovës në Euro. Nga ana tjetër në komunat në veri të Kosovës ekzistojnë katër degë të bankave të nivelit të dytë që veprojnë në Republikën e Kosovës. Gjithashtu ekzistojnë degë të 15 institucioneve financiare jobankare (psh Western Union), ku mund të dërgohen pagesat në euro nga ana e Republikë së Serbisë për qytetarët e minoritetit serb që banojnë në këto zona.” — argumenton Geron Kamberi.
Arbër Zaimi, anëtar i kryesisë së lëvizjes Vetëvendosje, nuk sheh asnjë problem në vijimin e pagesave të pensioneve, pagave apo asistencave. Serbia mund t’i dërgojë paratë në Kosovë përmes transfertave në banka të ndryshme të Kosovës, pa patur nevojë të shkelë ligjin.
“Ajo që po pengohet [me këtë rregullore] është kontrabandimi i parasë së thatë në Republikën e Kosovës. Më parë miliarda dinarë janë futur në Kosovë ilegalisht me automjete e furgona. Këto para kanë shkuar për pagesa në dorë (cash). Një pjesë e tyre mund të kenë qenë pensione e asistenca sociale, por një pjesë e tyre me siguri ka qenë “subvencionim” për rekrutim e armatim për aktivitetet e dhunshme e kriminale që kulmuan në sulmin terrorist të 24 shtatorit.” — Arbër Zaimi.
Zëvendëkryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, një ditë përpara hyrjes në fuqi të rregullores së BQK-së deklaroi se ‘bankat komerciale qё operojnё nё Kosovё janё udhёzuar tё hapin degё tё reja nё katër komunat veriore tё vendit dhe gjithashtu Banka Qendrore i detyron tё njëjtat qё tё ofrojnё llogari rrjedhëse bankare bazike qё nuk bartin asnjё kosto pёr poseduesit e tyre’.
Pavarësisht kë saj, eksperti i ekonomisë Selami Xhepa e sheh problematik impaktin tek qytetarët për shkak të afatit të përforcimit të këtij rregulli të ri. “Mund të ketë implikime në procesin e konvertimit. Mund të krijohet frika që nga konvertimi njerëzit të humbasin një pjesë të kursimeve. Sepse nuk e dimë si ndodh procesi i konvertimit, ndaj nuk mund të dilet një ligj me një forcë të tillë veprimi në mënyrë të papritur. Duhet një kohë tranzicioni dhe gjatë kësaj kohe njerëzit kanë mundësi të marrin vendim për kthimin e depozitave të tyre nga një monedhë në tjetrën në një kurs që të jetë i përshtatshëm për interesin e tyre ekonomik.” – Selami Xhepa për Faktoje.
Vendim ekonomik — përdorim politik
Edhe pse vendimi ka karakter ekonomik dhe është konsideruar i ligjshëm nga partnerët ndërkombëtarë të Kosovës, fakti qëndron që ai po përdoret politikisht nga Serbia. Ish-kryetari i odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ish kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës këtë e sheh si kosto të paevitueshme të marrëdhënies jo normale mes Kosovës dhe Serbisë. Ai thekson se nga ky vendim i BQK-së më shumë është dëmtuar Kosova sesa serbët në Kosovë.
“Kjo temë është aktualizuar, politizuar dhe ndërkombëtarizuar dhe vetë fakti që kemi reagime të ashpra nga Brukseli dhe veçanërisht nga DASH e dëmton Kosovën. Kur kësaj i shtohet fakti që një gjë e tillë ndodhi ndërkohë që Kosova është nën masa apo sanksione të BE-së, vërtetë besoj që ky vendim i Bankës Qendrore të Kosovës është një gabim në hapa që ka bë Kosova dhe përveç pasojave të tjera negative, do të vuloset edhe një kohëgjatësi e sanksioneve për Kosovën.” – Safet Gërxhaliu.
Ndryshe e sheh Arbër Zaimi i Vetëvendosjes, i cili suksesin e vendimit e mat me rezultatin përfundimtar dhe jo me pengesat e hasura gjatë rrugës.
“Njësoj si në rastin e targave, që ishte marrëveshje e arritur para më se dhjetë vitesh, edhe ligji për monedhën ligjore në Kosovë ekziston qysh prej shpalljes së Pavarësisë. Për targat Serbia krijoi njësoj një atmosferë konfliktuale dhe mjegull informimi, por pas tre vitesh ja ku jemi, targat e Kosovës u detyruan t’i njohin, dhe kjo është mirë për të gjithë. Njësoj edhe për rendin financiar të Kosovës, Serbia do të detyrohet ta njohë dhe ta zbatojë. Shpresoj sa më shpejt, pa trazira e vonesa të kota.” – vlerëson Zaimi.
Safet Gërxhaliu nuk sheh kurrëfarë problemi në marrjen e pagave në euro nga serbët në Kosovë. Problemi – thotë ai – qëndron tjetërkund.
“Duhet të kuptohet që Kosova nuk ka fuqi diplomatike, qoft politike apo ekonomike, ti bëj ballë presionit europian dhe amerikan. Duhet të kuptohet që Kosova është produkt i diplomacisë ndërkombëtare dhe koordinimi dhe bashkërendimi i veprimeve me miqt ndërkombëtarë është shumë i nevojshëm. Që do të thotë se ajo që do ndodhë më së keqi në këtë skenar, e para definitivisht do të ketë zgjatje të zbatimit, e dyta raporti i Bankës Qendrore nga Serbia alarmon se kjo temë do të bëhet pjesë e dialogut në Bruksel dhe e treta duhet të gjendet një kompromis sikur me energjitikën dhe targat dhe në fund prapë do jetë e dmëtuar dhe humbëse Kosova.” – argumenton Gërxhaliu për Faktoje.
Përfundim
Qeveria e Republikёs sё Kosovёs është zotuar se ‘periudha tranzitore do tё sigurojё qё qytetarёt tё mësohen sa mё shpejtё, sa mё lehtё dhe pa dёmtime me realitetin e ri, duke u investuar mё shumё nё informim dhe edukim tё bizneseve dhe qytetarёve dhe jo nё masa ndёshkuese’. Ministria e Tregtisё dhe Industrisё ka njoftuar se Agjencia pёr Regjistrimin e Bizneseve do tё fillojё operimin edhe nё katёr komunat në veri të Kosovës, nё mёnyrё qё bizneset serbe atje tё mund tё regjistrohen e fiskalizohen.
Ligjërisht vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës është i gjithëpranuar. Mendimet ndahen tek mënyra e zbatimit të tij. E ndërsa Serbia e shfytëzon konfuzionin e krijuar për të ushqyer narrativën e saj të “spastrimit të serbëve” nga Kosova, kjo e fundit deri tani e ka refuzuar pezullimin e vendimit. Në këtë situatë ekspertët shohin rezultate të ndryshme. Në një anë është kryeministri i Kosovës dhe e drejta e tij legjitime – edhe pse e nxituar sipas ekspertëve – e zbatimit të rregullave ekonomike dhe financiare të shtetit të Kosovës. Në anën tjetër është komuniteti serb në Kosovë, i gjendur mes dy zjarresh, vendimit tashmë në fuqi të Bankës Qendrore të Kosovës dhe konfuzionit të nxitur nga narrative serbe e importuar nga Beogradi.