BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookFotot e antenave të komunikimit të nëndetëseve ngatërrohen me sistemin famëkeq HAARP

Fotot e antenave të komunikimit të nëndetëseve ngatërrohen me sistemin famëkeq HAARP

Këto foto nuk tregojnë “një HAARP të fshehur në Francë”. Verifikimi i Faktoje zbuloi se në to shfaqen dy radiostacione të frekuencave shumë të ulëta që përdoren për të komunikuar me nëndetëset. Njëri prej tyre ndodhet në ShBA, jo Francë.

————————————————

Në rrjetet konspiracioniste po shpërndahen disa foto antenash të larta me pretendimin se tregojnë “një HAARP të fshehur në Francë.”

Projekti studimor shkencor amerikan i quajtur HAARP shfaqet shpesh në narrativat konspiracioniste si një gogol. Në botëkuptimin konspiracionist, veprimtaria e tij djallëzore përfshin shkaktimin e tërmeteve, uraganëve, përmbytjeve, thatësirave, stuhive, ndërprerjeve të energjisë, rrëzimit të avionëve apo sëmundjeve.

Me anë të motorit të kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, Faktoje zbuloi se foto e parë e postimit është postuar fillimisht në 2021 nga faqja e Facebook Offshore Adventure Sailing.

Në këtë postim, sqarohet se foto është shkrepur në Cutler, Maine në ShBA, jo në Francë siç pretendojnë postuesit e saj të teorisë HAARP.

Njësoj, edhe foto e dytë e postimit është shkrepur në Cutler.

Foto e tretë e postimit, gjithashtu është shkrepur në Cutler.

Këto foto tregojnë një radiostacion të frekuencave shumë të ulëta të Marinës amerikane në Cutler, Maine. Ky stacion përdoret që në vitet ‘60 për t’u transmetuar sinjale nëndetseve të Flotës Atlantike të Marinës, në frekuenca 24 kHz.

Një tjetër kërkim me Google Reverse Image Search na tregon se foto e fundit e postimit, që tregon pamje satelitore tregon vërtet një transmetues në Francë, pranë Rosnay.

Transmetuesi HWU (në hartë), si ai në Cutler, përdoret nga Marina franceze për të transmetuar mesazhe tek nëndetëset e saj. Ky radiostacion është nga më të mëdhenjtë në Francë dhe operon në frekuenca 18.3 kHz, 20.9 kHz dhe 21.7 kHz.

Të dy këta transmetues përdoren nga forcat detare të dy shteteve dhe nuk kanë lidhje me projekti studimor shkencor HAARP.

Siç “Faktoje” ka shpjeguar më parë, HAARP është një projekt i përbashkët i Forcave Ajrore Amerikane dhe Marinës Amerikane i kijuar në vitin 1993, i cili i ka kaluar më vonë Universitetit të Alaskës Fairbanks (UAF) në vitin 2015. 

Karakteristika e tij kryesore është një transmetues me frekuencë të lartë që përdoret për të studiuar jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Duke analizuar se si valët e radios ndërveprojnë me elektronet në jonosferë, studiuesit në HAARP janë në gjendje të studiojnë fenomene, të tilla si efektet e aurora borealis, ose dritat veriore, në sistemet radio dhe komunikimet e avionëve në lartësi të mëdha.

Sipas shkrimtarit të shkencës, Mick West, “mënyra për të përgënjeshtruar teoritë konspirative rreth HAARP është të përpiqesh t’i shpjegosh njerëzve ekzaktësisht çfarë HAARP bën. Shpjegoi se është thjesht një radiotransmetues që është në një vend në Alaska dhe mund të ndikojë vetëm në një sasi të vogël ajri mbi të. Shpjegoji se fuqia e përdorur nga ky radiotransmetues është shumë shumë e vogël krahasuar me çfarë do të duhesh për të bërë disa nga gjërat që po pretendohen.”

“Faktoje” ka verifikuar dhe më parë pretendime të ngjashme mbi sistemin HAARP.

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img